Te Teuta shqetëson mbrojtja, Martini kërkon kthesën… e shpejtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2021 | 14:01

Te Teuta shqetëson mbrojtja, Martini kërkon kthesën… e shpejtë

Teuta pësoi disfatën e parë këtë kampionat përballë Tiranës, në një ndeshje ku gabimet ishin krejtësisht të evitueshme. Para seancës së djeshme stërvitore, trajneri Edi Martini u ndal tek ajo që ndodhi në ndeshjen e luajtur në “Elbasan Arena”, por jo vetëm.

TEUTA

Për trajnerin kampion në fuqi, kjo humbje e parë nuk bëhet dramë, por në bisedën me lojtarët, ai kërkoi që ekipi të gjejë mundësinë për të reaguar sa më shpejt, duke korrigjuar gabimet që u bënë në fazën mbrojtëse ndaj Tiranës. Ndeshja e radhës është të shtunën ndaj Egnatias në Rrogozhinë, ndaj një kundërshtari që ka po kaq pikë sa Teuta dhe ky fakt e bën këtë takim shumë të rëndësishëm.

“Dua përqendrim maksimal për ndeshjen ndaj Egnatias. Gabuam me Tiranën, por gjithçka duhet ta lëmë pas”, ka thënë fillimisht para ekipit trajneri shkodran. Ai bëri një analizë të thellë me lojtarët, për të evidentuar problemet dhe pjesën ku çaloi ekipi.

Trajneri u fokusua te rastet e humbura dhe mbi të gjitha naivitetin e shfaqur në mbrojtje. Kishte gati dy vite që durrsakët nuk pësonin tre gola brenda një ndeshjeje, pasi faza mbrojtëse ka qenë gjithnjë një pikë shumë e fortë e kampionëve. Megjithatë, skuadra në momente të vështira ka ditur të reagojë dhe të tregojë forcë karakteri, teksa kjo do të tentohet edhe të shtunën.

PËRGATITJET

Stërvitja e djeshme u fokusua te kondicioni fizik, pa lënë pjesën tekniko-taktike. Të gjithë futbollistët ishin nën urdhrat e Martinit, ku vlen të theksohet se skuadrës i është bashkangjitur edhe Hektor Idrizaj, i cili gjatë javës ka punuar veçmas grupit nën kujdesin e stafit mjekësor. Mbrojtësi vlonjat ka lënë pas tashmë dëmtimin dhe do të jetë i gatshëm. Në mesin e seancës Martini nisi të punonte për vendosjen e lojtarëve në fushë.

Trajneri nuk ndalej së foluri dhe udhëzuari lojtarët, të cilët i ndau në dy grupe dhe organizoi një ndeshje kontrolli në gjysmëfushë. Minindeshja pati rivalitet të madh, ndërsa më pas lojtarët nisën të bënin goditje në portë, të ndarë në grupe të vogla. Kotobelli dhe E.Vila u shfaqën si ekzekutues të goditjeve nga këndi për t’u shërbyer sulmuesve të ekipit si Gjorgiev, Gruda, Plaku dhe Koubemba.

Deri më tani faza sulmuese e ekipit ka funksionuar, me 7 gola në pesë javë. Në krahasim me sezonin e kaluar, shifrat flasin për një sulm më të mirë këtë vit, të paktën deri më tani. Martini ka nisur t’i besojë më tepër në majën e sulmit Koubembës, por Gjeorgiev është gati për një fanellë titullari.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"