“Të likuidojmë Besëlidhjen”, Kaloshi: Gara është ndezur, të gjithë skuadrat rrezikojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2022 | 23:15

“Të likuidojmë Besëlidhjen”, Kaloshi: Gara është ndezur, të gjithë skuadrat rrezikojnë

Kur kanë mbetur edhe 10 javë nga Kategoria e Parë, mbijetesa është kthyer në një “rebus”. Askush nuk e ka të sigurt qëndrimin dhe diferencat janë aq të vogla, sa gjithçka përmbyset me një fitore apo humbje. Në Lushnjë e kanë të qartë këtë dhe janë ende në “ethe”, ndonëse janë në vendin e 9-të të renditjes. Këtë të shtunë udhëtojnë në Lezhë, atje ku do të luajnë një finale të mirëfilltë për zonën e rrezikut.

Mikel Kaloshi 2

Përgatitjet janë në kulm dhe Agim Canaj është duke u marrë edhe me detajet më të vogla, që kjo transfertë të përfundojë me sukses. Po punohet mbi të gjitha me ndërtimin e aksioneve, handikap që e shfaqën edhe në fitoren kundër Besës. Edhe kundër Besëlidhjes mund të kenë mungesën e madhe në vijën e parë, pasi Mikel Canka nuk është rikuperuar ende. Sulmuesi vazhdon të jetë i diferencuar nga grupi, ndonëse stafi mjekësor po bën të pamundurën.

Misioni është fitorja, edhe pse këtë vit jashtë fushe nuk u ka ecur fort. Ende nuk e kanë marrë një trepikësh të plotë. Nën zë ama e pranojnë që edhe një barazim do t’u bënte punë. Këtë e thotë edhe portieri Mikel Kaloshi, që ndeshjen e fundit mbajti edhe shiritin. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai skanon garën dhe rëndësinë që ka 90-minutëshi i kësaj jave.

“Mendoj që situata është shumë e ndezur. Të gjitha skuadrat janë pranë njëratjetrës në tabelë. Janë në garë për mbijetesën, shpresojnë të eliminojnë rënien në një kategori më poshtë. Kemi një ndeshje delikate në Lezhë. Pikët kanë shumë rëndësi, sepse mund të shkëputesh dhe mund të rrëzohesh njëherësh. Po punojmë shumë që në këtë ndeshje të marrim rezultatin pozitiv”, përfundoi gardiani. Verdhejeshilët dje janë stërvitur në fushën e Plugut.

Skuadra e drejtuar nga Agim Canaj duket mjaft e përqendruar për një ndeshje që ka shumë rëndësi për sezonin. Lushnja momentalisht është e shpëtuar me 24 pikë, por vend për qetësi nuk ka. Ata kanë vetëm dy pikë më shumë sesa vendi i 11-të, që është zona e “play out”-it. Aty është e pozicionuar Besëlidhja, kundërshtari i lushnjarëve këtë fundjavë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"