Tare: Mos prisni më shumë ndaj ekipeve si Italia, performancën e prishën vetëm tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2017 | 11:58

Tare: Mos prisni më shumë ndaj ekipeve si Italia, performancën e prishën vetëm tifozët

Igli Tare e vlerësoi me nota pozitive paraqitjen e Shqipërisë kundër Italisë, duke theksuar ndërkohë se incidentet që krijuan një grup tifozësh shqiptarë ishin të turpshme dhe të dënueshme. Në një intervistë për “Panorama Sport” pas ndeshjes drejtori sportiv i Lacios pohoi gjithashtu se skuadra jonë pësoi një rënie fizike.

Tare 1

“Mendoj se Shqipëria u paraqit mirë. Kundër një skuadre si Italia, ky është maksimumi. Krijon disa raste, luan një futboll të kënaqshëm, sidomos në pjesën e parë dhe, më pas, duhet edhe të mendosh të përballosh një nga ekipet më të mira në botë”, rrëfen Tare.

Igli, si ju duk ndeshja me Italinë?

Mendoj se Shqipëria luajti mirë në kompleks. Natyrisht ka vend për përmirësim, por gjithsesi mua performanca më pëlqeu. Luajtëm në pjesën e parë me autoritet dhe patëm raste për të shënuar.

Gjithsesi, në fund humbëm 2-0…

Dakord, por kishim përballë një skuadrat më të mira në botë. Duhet të jemi realistë dhe të kuptojmë potencialin tonë. Do të ishte naivitet të kërkonim që të dominonim Italinë në shtëpinë e saj. Ne i patëm rastet tona, por për fat të keq nuk i shfrytëzuam. Kaq, është e thjeshtë: nëse ndaj një rivali si Italia nuk shfrytëzon ato pak raste, atëherë…

A u ndiet keq për incidentin e tifozëve?

Po, shumë. Ishte një gjest i dënueshëm. I turpshëm. Shqiptarët me punë dhe me sakrifica po përpiqen që jo vetëm të ndërtojnë jetën e tyre jashtë Shqipërisë, por të përcjellin edhe mesazhin se vendi ynë po ndryshon dhe po përmirësohet. Mirëpo, ai incident për fat të keq nuk bëri gjë tjetër veçse cenoi imazhin e Shqipërisë dhe na kthen disa vite pas. U ndjeva keq dhe shumë i zhgënjyer nga sjellja e atyre tifozëve që shkaktuan edhe ndërprerjen e ndeshjes.

Folët fjalë të mira për Shqipërinë, por a mund të bënim diçka më shumë, a pati ndonjë gjë që në syrin tuaj nuk shkoi si duhet?

Pas ndeshjes është e lehtë të dalësh në konkluzione. Unë jam i mendimit se Shqipëria në tërësi, për potencialin që ka, luajti mirë. Natyrisht, u vu re një rënie fizike pas minutës së 70-të, por ky nuk është problem teknik. Kjo vjen edhe për diferencat që kanë skuadrat dhe kualitetet që i përbëjnë ato.

Pësuam dy gola ndoshta të evitueshëm…

Goli i parë ishte prej një episodi në zonë, që në futboll edhe ndodh. Te goli i dytë ndoshta mund të kishte pasur pak më shumë përqendrim, por tani është e kotë. Po luanim me Italinë, mos harroni asnjëherë…

Ju vetë si u ndiet gjatë ndeshjes?

Më hanin pak këmbët të luaja edhe vetë… (qesh). OK, kur luanim futboll sigurisht që të gjithë kanë pasur dëshirë që të luanin kundër Italisë. Megjithatë, paraqitja jonë ishte dinjitoze, me përjashtim të atij grupi tifozësh që bënë realisht një gjest të dënueshëm dhe të shëmtuar.

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"