“Ta harrojmë fitoren në Madrid”, Guardiola: Jam tifoz i Barcelonës dhe dua ta mund Realin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2020 | 13:52

“Ta harrojmë fitoren në Madrid”, Guardiola: Jam tifoz i Barcelonës dhe dua ta mund Realin

Nuk do të ketë shans më të mirë se ky sezon për t’iu afruar Champions-it të tij me një tjetër klub pas Barcelonës. Pep Guardiola shfaqet i qetë në konferencën e fundit për shtyp përpara ndeshjes së kthimit të 1/8-ave të Champions-it kundër Realit. Trajneri i Sitit thotë se pret një tjetër ndeshje nga takimi i “Bernabeu”-t, ku “Qytetarët” fituan 2-1.
pep-guardiola-manchester-city-nin-antrenmanla-13265374_o
“Ndeshja e parë është luajtur shumë kohë më parë, shumë kohë më parë. Ato janë ndeshje të ndryshme. Ne luajmë në shtëpi, por pa tifozët tanë. Ky është një sport për njerëzit. Lojtarët duan të luajnë me ta në tribunë edhe për veten, por tani nuk është e mundur. Ky është realiteti. Por, gjëja më e rëndësishme është shëndeti. Ka më shumë rëndësi që fëmijët të rikthehen në shkolla sesa tifozët në stadium”. Në lidhje me problemet e tij në mbrojtje, Pep nuk mendon se duhen marrë masa ekstra për të mbajtur larg porte spanjollët: “Çdo situatë është e ndryshme. Në këtë kompeticion gabimet të ndëshkojnë. Kemi folur për këtë, por ndonjëherë duhet duartrokitur kundërshtari. Ne jemi të ndërgjegjshëm se duhet të bëjmë një tjetër hap”.
Zidani5
Katalanasi i thur elozhe edhe rivalit Zidan për paparashikueshmërinë e tij: “Mendoj se Reali është një skuadër që ti e pret në një mënyrë dhe ata dalin në një tjetër. Kemi folur për ta, por jemi përqendruar më shumë te vetja dhe ajo që duhet të bëjmë për t’i mundur”. E shkuara e tij në Barcelonë është një arsye më shumë për t’i eliminuar rivalët e sotëm: “Nuk jam më shumë i motivuar, por sigurisht që si një tifoz i Barcelonës do të më pëlqente ta mundja Realin. Por, unë kam luajtur si kundër Bajernit ashtu edhe Barcelonës. Jam i përqendruar tek ajo që duhet të bëjmë për klubin për të arritur në raundin tjetër. Dua të mund çdo kundërshtar, cilido qoftë ai”.
Benzema
Benzema pritet të jetë kërcënimi kryesor i skuadrës së tij dhe Pep vlerëson sulmuesin francez, edhe pse nuk shkon shumë larg: “Benzema është i jashtëzakonshëm, fantastik, por që prej kohës sime te Barcelona kanë qenë 20 lojtarë që kanë dalë në skenë dhe njerëzit më kanë pyetur nëse mund ta krahasojmë me Mesin, 20 lojtarë”. Në fund, ai konfirmoi se mbrojtësi Erik Garsia nuk dëshiron të rinovojë kontratën me Sitin, e cila skadon në vitin 2021 dhe, me sa duket, mbrojtësi i talentuar do të rikthehet në Barcelonë: “Ai ka edhe një vit kontratë, por na ka thënë që tani se nuk dëshiron të rinovojë. Kështu që, ai do të largohet të luajë në një tjetër klub”.

ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"