“SUNDAY LEAGUE TIRANA”/ Kampionët e Prestige të papërmbajtshëm, asfaltojnë edhe “Friends Team” (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2020 | 22:45

“SUNDAY LEAGUE TIRANA”/ Kampionët e Prestige të papërmbajtshëm, asfaltojnë edhe “Friends Team” (VIDEO)

Prestige vijon me ecurinë fantastike në kampionatin e futbollit “Sunday League Tirana”. Pasi dominoi dhe fitoi edicionin e parë, Prestige po shkëlqen edhe në vitin e dytë në kampionatin e futbollit me 9 lojtarë që po mbahet në kompleksin “Football Republic” në kryeqytet. Kampionët në fuqi siguruan fitoren e radhës, teksa këtë herë shkatërruan me rezultatin 4-1 ekipin “Friends Team”, në përballjen e vlefshme për javën e pestë.

Prestigji

Sfida e zhvilluar ditën e sotme, ashtu sikurse parashikohej, u zhvillua nën diktatin e kampionëve, që drejtohen nga trajneri Fatmir Hysenbelliu, të cilët e treguan superioritetin e tyre që nga fillimi e deri në fund. Kështu, Prestige mbetet skuadra e vetme me pikë të plota në këtë kompeticion, ndërsa vijon ta ruajë pathyeshmërinë në të dyja edicionet e “Sunday League Tirana”.

Ndeshja

Prestige e kërkoi golin që në start, ndërsa e gjeti atë në minutën e 10-të. Pas një skeme mjaft të bukur gjatë një goditjeje këndi, Moçka shërbeu në limitet e zonës Muçën, i cili goditi saktë fluturimthi duke e dërguar topin në rrjetë. Megjithatë, “Friends Team” reagoi menjëherë, teksa dy minuta më vonë i barazoi shifrat në 1-1, me një gol të bukur nga distanca. Megjithatë, gëzimi i tyre nuk zgjati shumë, sepse në të 25-ën, Dajti riktheu në avantazh kampionët, duke shndërruar në gol një penallti. Me rezultatin 2-1 për Presige u mbyll edhe fraksioni i parë i lojës.

Në fillimin e pjesës së dytë, Shima humbi një penallti, e cila u prit nga portieri kundërshtar. Ndërsa në të 45-ën, Muça shënoi golin e tretë për Prestige dhe të dytin në aspektin personal. 10 minuta nga fundi i ndeshjes, Cakrri vulosi triumfin 4-1.

Ndonëse fitorja ishte hipotekuar, Prestige nuk i ndaloi sulmet deri në fund, megjithatë rezultati nuk ndryshoi më. Kështu, Prestige merr fitoren e radhës dhe vazhdon të mos njoh rivalë në kompeticionin e futbollit kryeqytetas.

PRESTIGE – FRIENDS TEAM 4-1

GOLAT: Muça (2), Dajti (pen), Cakrri

Prestige: Carra (Myrta), Xhepaj (Rragami), Rrapo, Mërtiri, Biba (Shima), Muça, Moçka (Cakrri), Dajti (Hysko), Vasha (Antoni).

Trajner: Fatmir Hysenbelliu, Trajner i dytë: Andi Koçi. Trajner i portierëve: Dashnor Hasani. Doktor: Perli Rusi. Fizioterapist: Daniel Vrapi. Magazinier: Sehit Lika

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"