Sulmuesi Xhunior largohet nga Kastrioti, Teuta “piketon” mesfushorin e krutanëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2019 | 12:02

Sulmuesi Xhunior largohet nga Kastrioti, Teuta “piketon” mesfushorin e krutanëve

Ndonëse i rënë në Kategorinë e Parë, Kastrioti “fërkon duart” pasi në adresë të klubit ka kërkesa pafund për lojtarët e tij. Dy futbollistët më të kërkuar janë Patrik Bardhi dhe Julian Shehu, për të cikët në adresë të klubit kanë mbërritur kërkesa nga shumë klube të Superiores, duke filluar nga Partizani, Kukësi e deri te Laçi dhe Flamurtari.

kastrioti

Së fundmi, për këto dy lojtarë ka interesim edhe nga Liga e Parë turke dhe nga një klub në Zvicër. Këtë fakt e ka konfirmuar edhe drejtori teknik i krutanëve, Gazmend Vogli, por ende nuk është vendosur.

Një tjetër lojtar që ka shkëlqyer te krutanët është edhe nigeriani tjetër Henri Okebugu. Për shërbimet e mesfushorit ka shfaqur interes skuadra e Teutës dhe kërkesa në klub ka mbërritur. Nëse palët do të bien dakord, gjasat janë që në ditët në vazhdim të kemi edhe finalizimin e transferimit të Okebugut te “djemtë e detit”.

Ndërkaq, klubi ka zyrtarizuar dje përfundimin e marrëveshjes me brazilianin Xhunior.  “Periudha 1-vjeçare e huazimit të brazilianit Roger Junior te Kastrioti ka përfunduar dhe tashmë lojtari është larguar nga skuadra dhe Shqipëria me përshtypjet më të mira. Klubi e falënderon për kontributin e çmuar që ka dhënë për ekipin gjatë këtij sezoni dhe njëkohësisht i uron suksese në karrierë”, shkruhet në njoftimin e publikuar dje nga klubi krutan në profilin zyrtar në “Facebook”.

Kastrioti

Skuadra krutane luftoi deri në javën e fundit për t’i shpëtuar rënies nga kategoria, por e pati të pamundur. Tashmë Kastrioti do të rikthehet të luajë në Kategorinë e Parë në sezonin e ardhshëm. Drejtuesit kanë bërë të ditur se do të krijojnë sërish një ekip cilësor edhe për kampionatin e ardhshëm.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"