Sulmuesi e ka lënë pas dëmtimin, u rikthye fuqishëm me dy gola kundër Besës. Greca: Elbasani s’e lëshon më kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2024 | 12:28

Sulmuesi e ka lënë pas dëmtimin, u rikthye fuqishëm me dy gola kundër Besës. Greca: Elbasani s’e lëshon më kreun

Elbasani ka gjetur kreun dhe goleadorin e skuadrës në ndeshjen ndaj Besës. Bedri Greca rikthehet po aq i fortë sa më parë. Pas një dëmtimi që e la jashtë fushave për më shumë se një muaj, sulmuesi kryesor i verdhebluve po gjen formën e tij maksimale dhe këtë e tregoi në përballjen ndaj Besës, ku shënoi dygolëshin që e ngjit në kuotën e 12 golave.

greca

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi pohon së tani që arritën edhe vendin e parë do të përpiqen të mos e lëshojnë më kryesimin. 33-vjeçari nuk i ka shumë “fiksim” golat para arritjes së rezultatit të skuadrës, ndërsa kërkon që edhe ndaj Burrelit të marrin maksimumin e mundshëm.

Sa i kishin munguar golat Bedri Grecës? 

Më shumë më kishte munguar fusha e gjelbër, pas një dëmtimi një mujor. Tani jam në ritëm edhe do të vazhdoj të punoj për arritjen e formës time.

Kujt ia dedikoni këto gola? 

Normalisht familjarëve të mi, ato janë shtysa më e madhe. Nëna, babai, vëllezërit e mi, motrat. Ato janë të interesuar për mua në çdo detaj dhe janë shtysa më e madhe për mua. Bashkëshortja edhe djali im tani, më kanë bërë më të fortë. Padyshim që golat janë dedikim për gjithë familjarët e mi, miqtë edhe tifozët.

12 gola në kampionat, me sa synoni ta mbyllni këtë sezon?

Synimi im është të jap më të mirën në stërvitje dhe në fushë. Rezultatet mblidhen në fund.

A e keni kaluar plotësisht dëmtimin? 

Po, po. Tani jam plotësisht gati, ku edhe minutazhin e duhur e mora. Shpresoj të vazhdoj në këto ritme dhe t’i shërbej Elbasanit për objektivin.

Kjo javë ju ngjiti në krye, sa të kënaqur jeni? 

Sigurisht jemi të kënaqur, por duhet përfunduar në vendin e parë që të gëzojmë në fund. Deri atëherë nuk ka kohë për shpërqendrim.

Mendoni se do ta mbani deri në fund këtë pozicion? 

Të them të drejtën shpresoj dhe kam besim se do t’ia arrijmë.

Këtë javë prisni Burrelin, çfarë synoni? 

Jo vetëm ndaj Burrelit, por në çdo ndeshje ne synojmë fitoren. I respektojmë kundërshtarët dhe i vlerësojmë. Kështu bëhet çdo gjë më e lehtë për ne, siç edhe ndodhi këtë javë kundër Besës.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"