Sulmi me thikë ndaj trajnerit Gjoka, Cungu: E paralajmërova, në Shkodër duhet t’i dalësh zot vetes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2018 | 10:15

Sulmi me thikë ndaj trajnerit Gjoka, Cungu: E paralajmërova, në Shkodër duhet t’i dalësh zot vetes

Armando Cungu, ish-trajneri i Vllaznisë ka folur shpeshherë publikisht për probleme në klubin shkodran që e mbanin peng skuadrën për të ecur përpara. I ndikuar edhe nga ngjarja e djeshme, ku trajneri aktual i kuqebluve, Ernest Gjoka, është sulmuar nga një person me armë të ftohtë, në një intervistë për “Panorama Sport”, Cungu është shprehur se edhe ai është përballur me probleme të tilla, por është detyruar të vetëmbrohet.

Cungu2

Profesor, sot (dje) në Shkodër është tentuar të qëllohet me thikë trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka. Ju keni folur në të kaluarën për probleme, por të arrihej deri këtu…

Nuk dija gjë në lidhje me këtë çështje, pasi kam qenë në Tiranë dhe nga ju po informohem. Unë kam folur për këto probleme, por nuk ma keni vënë shumë veshin. Duhej të vinte një nga Tirana që ta besonit një gjë të tillë. Por, më vjen shumë keq. Nuk është normale të punosh në kushte të tilla, madje do të thosha është skandaloze. Unë për dy vite që isha në krye të skuadrës, kam pasur probleme nga më të ndryshmet, përfshi edhe këto që po thoni ju. Ky është edhe shkaku që u lodha dhe vendosa që të mos vazhdoja më të punoja.

Mos ndoshta me ju problemet kanë qenë të një tjetër natyre dhe nuk kanë arritur deri në këtë pikë edhe për faktin se jeni shkodran?

Edhe unë kam pasur probleme që nuk kanë qenë më të pakta se kjo që i ka ndodhur trajnerit aktual, por unë kam arritur t’i menaxhoj gjërat dhe, në njëfarë mënyre, t’i dal edhe zot vetes. Nuk kisha çfarë të bëja deri në momentin që u lodha dhe nuk ia vlente më të vazhdoja. Shkatërrova nervat e mia, të familjes dhe çdo gjë, nuk ja vlente më.

Cungu1-470x270

Mund të na thoni se çfarë nuk shkon realisht te Vllaznia, përse ka gjithmonë telashe dhe ekipi nuk ecën përpara?

Kur jam shkëputur nga Vllaznia, kam qenë i tërhequr edhe nga deklaratat në media, gjithmonë në respekt të Vllaznisë. Por, nuk do shumë mend që ta kuptosh se çfarë nuk shkon. I kam thënë dhe nuk më pëlqen t’i përsëris më, pasi nuk është mirë që një shkodran të shajë apo të flasë për familjen e tij. Nuk më pëlqen kjo, por realisht ka probleme serioze. Zgjidhjen e kam thënë dhe vazhdoj të këmbëngul.

Dhe cila është zgjidhja sipas jush?

Është emergjente që skuadrën ta marrë një person, cilido qoftë ai. Nëse deri para dy viteve, kur u afrova te Vllaznia, kam thënë se duhet menduar mirë që klubi t’i jepet një njeriu serioz, pasi nuk mund të lihej në dorë të kujtdo, duke qenë se bëhet fjalë për një emër të madh. Por, tani fatkeqësisht dhe mjerisht, kam arritur në një konkluzion që ta marri një person edhe në rrugë të madhe. Kështu ka shkuar kjo punë dhe në këtë mënyrë nuk shtyhet më. Kjo punë është katastrofike dhe më vjen shumë keq.

Gjatë kësaj periudhe keni qenë disi në hije. Kur do t’ju shohim sërish në stol?

Në dhjetor dhe janar kam pasur oferta nga tri skuadra, dy në Kategorinë Superiore dhe një në Kosovë, por, të them të drejtën, mendova të qetësohem, pasi shumë gjëra nuk më shkonin për shtat. Do të shikoj një projekt serioz nëse del. Jo se nuk e kisha në janar, por ambiciet e ekipeve nuk përkonin me logjikën time.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"