Stërvitje mes taktikës, ja çfarë ka merak trajneri Ahmataj te Skënderbeu i ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2020 | 21:15

Stërvitje mes taktikës, ja çfarë ka merak trajneri Ahmataj te Skënderbeu i ri

Skënderbeu është duke punuar intensivisht në prag të ndeshjes me Bylisin, që do të luajë të shtunën ora 13:45 në Ballsh për llogari të javës së 3-të të Superiores. Trajneri Julian Ahmataj është duke punuar fort me skuadrën, për t’i dhënë besim se mund t’ia dalin të marrin pikët e plota në këtë transfertë.

Skenderbeu 2

Skënderbeu ka ndryshuar shumë në krahasim me sezonin e kaluar, teksa Ahmataj është duke kërkuar që ekipi të marrë ngarkesën e duhur fizike, por pa lënë pas këtu edhe punën në aspektin psikologjik. Edhe në seancën e djeshme, trajneri është parë gjithmonë në lëvizje duke udhëzuar të tijtë në çdo ushtrim. “Panorama Sport” ndoqi nga afër stërvitjen e djeshme, duke zbuluar edhe disa nga thëniet e Ahmatajt kundrejt lojtarëve.

Ahmataj

PRAKTICIZËM – Gjithçka fillon me këshillat e trajnerit. Ahmataj është i qartë që në start, duke u shpjeguar lojtarëve jo vetëm punën që do të bëjnë gjatë seancës, por edhe se ku ishin problemet e hasura në stërvitjen e ditës së kaluar dhe sigurisht aty ku duhet të ndërhyhet më shumë. Më pas, gjithçka i kalon praktikës.

Trajneri është shumë i vendosur që një ushtrim duhet të bëhet ashtu siç duhet dhe për këtë ndërhyn disa herë, duke e kthyer pas nga e para të gjithë ciklin, derisa të marrë më të mirën nga të gjithë. Ajo që spikat në seancë është fakti se Ahmataj udhëzon çdo lojtar për një situatë të caktuar.

GOLAT – Nëse ka diçka që e shqetëson trajnerin është finalizimi i aksioneve që ndërton ekipi dhe mbajtja e një ritmi të lartë. Ky ka qenë edhe ushtrimi me të cilin Ahmataj është marrë gjatë gjysmës së seancës së djeshme.

Pra, vendosja e ekipit në kushte loje para portës dhe finalizimi i shpejtë i aksioneve. Këshillat e elbasanasit kanë qenë të detajuara, me qarkullim dhe finalizim konkret. “Askush nuk duhet të mërzitet nga qarkullimi i topit dhe askush të mos humbë kohën e goditjes së portës”, ishin këshillat që trajneri jepte për lojtarët.

Ahmataj Skenderbeu

HARMONIA – Duke qenë një grup i ri dhe pa shumë senatorë në ekip, duket se edhe harmonia dhe fryma e bashkëpunimit është më e lartë. Ky është një fakt që vihet re lehtë gjatë stërvitjes. Lojtarët janë grup dhe Ahmataj “gjenerali” i vetëm i ekipit. Por, ajo që të bën përshtypje janë elementët e rinj. Nëse dikur ka qenë Meksi ai që kishte problem komunikimin, sot është Tereziu.

Shqipja e tij e përzierë me greqishten bëhet shpesh objekti humori në kampin korçar, aq sa ky i fundit kërkon ndihmën dhe asistencën e Meksit. Duke u nisur nga të gjitha këto, trajneri mundohet të marrë maksimumin, duke përfituar nga kjo situatë favorizuese për të synuar më të mirën.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"