“Stërvitje ekstra për të korrigjuar shënjestrën”, sulmuesi i Flamurtarit: Kjo skuadër do të eci, kini besim te ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2021 | 23:22

“Stërvitje ekstra për të korrigjuar shënjestrën”, sulmuesi i Flamurtarit: Kjo skuadër do të eci, kini besim te ne

Gersi Diamanti mendon se Flamurtari ka krijuar fizionominë e vet këtë sezon. Edhe pse nuk bën dot merkato, 21-vjeçari mendon se lojtarët vlonjatë do të bëjnë befasinë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi tregon se është duke punuar ekstra, për të përmirësuar shënjestrën. “Jam shumë i kënaqur që po na jepet mundësia që të luajmë për Flamurtarin. Unë dhe shokët e mi jemi të rinj në moshë, kështu që është privilegj i madh të përfaqësosh këtë ekip. Por, nga ana tjetër, është përgjegjësi dhe një barrë e madhe.
DIAMANTI GERSI
Megjithatë, unë kam bindjen se ky ekip do të ecë, pasi te djemtë ka dëshirë për të punuar dhe për të bërë mirë. Kërkoj nga të gjithë që të kenë besim te ne dhe u siguroj se kanë për të parë një Flamurtar simpatik dhe me pak punë, kjo do të jetë edhe baza e së ardhmes të këtij ekipi. Me Turbinën e filluam lojën shumë mirë, por rastet që na u krijuan nuk i shfrytëzuam si duhet. Edhe unë kisha disa mundësi. U mundova, por nuk shënova dot. Besoj se do t’i konkretizoj pasi do punoj fort në stërvitje për të bërë më të mirën në ndeshjet në vijim”, tha vlonjati.

I riu ndalet edhe te ndeshja me Besën, që luhet vetëm javën tjetër.

“Kemi pasur të gjithë kohën e nevojshme në dispozicion për t’u përgatitur për ndeshjen e radhës, pasi takimi u shty. Me Besën nuk do të jetë e lehtë, por ne do të kërkojmë pikët maksimale”, përfundon Diamanti.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"