Statistikat e UEFA-s/ Skënderbeu dhe Kukësi thyejnë kryeqytetin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2017 | 23:01

Statistikat e UEFA-s/ Skënderbeu dhe Kukësi thyejnë kryeqytetin

Skënderbeu është bërë skuadra e parë sh qiptare që arrin të kalojë katër ture për të arritur fazën në grupe të Ligës së Europës. Por, mes tifozëve shqiptarë vazhdon debati se cila është skuadra shqiptare që ka pasur më shumë sukses në arenën europiane. Një përgjigje mjaft interesante mund të gjendet sa i përket anës statistikore nga mënyra se si vetë UEFA mat ecurinë e klubeve në turnetë e saj.

Skenderbeu

“Panorama Sport” ka bërë një vëzhgim të hollësishëm të pjesëmarrjes së të gjitha skuadrave shqiptare në kompeticionet e UEFA-s. Në pak kohë, Skënderbeu dhe Kukësi kanë thyer mitin europian të “skuadrave të traditës”, duke filluar nga Tirana, Partizani, Dinamo dhe Flamurtari.

Prej një viti, UEFA ka ndërtuar renditjen e të gjitha kohëve të pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve (ish-Kupa e Kampioneve) dhe Ligën e Europës(ish-Kupa UEFA). Ajo vlerëson çdo fitore me 2 pikë dhe çdo barazim me 1, duke përpiluar renditjet historike.

kukesi

Sa i përket palës shqiptare, përfundimet tregojnë se tabloja e pjesëmarrjes së klubeve të Superiores në këto aktivitete ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore në 6 vitet e fundit, sapo në skenë kanë dalë klubet e Skënderbeut dhe Kukësit.

Ndërsa ata që cilësohen si “skuadra të traditës”, nuk kanë qenë edhe aq të suksesshme sa trumbetohet prej tyre, edhe pse kanë marrë pjesë për më shumë edicione apo kanë luajtur më shumë ndeshje në këto aktivitete.

LIGA E KAMPIONEVE

Duke parë statistikat e deritanishme të Ligës së Kampioneve, vazhdon të mbetet në vendin e parë në listën e të gjitha kohëve për klubet shqiptare skuadra e Tiranës, me 18 pikë pas 13 edicionesh dhe 38 ndeshjesh të luajtura në këtë turne.

Por Skënderbeut i kanë mjaftuar vetëm 5 pjesëmarrje për t’u ngjitur menjëherë në vendin e dytë të këtij klasifikimi dhe për të kërcënuar seriozisht hegjemoninë e klubit që mban rekordin për tituj kampion në vendin tonë.

Statistikat e Championsit

Korçarët janë 3 pikë pas bardhebluve, që do të thotë se u mjafton një fitore e një barazim në këtë turne, për t’i arritur e kaluar, falë një golavarazhi që ndonëse negativ, është shumë më i mirë se ai që kanë regjistruar kryeqytetasit në historinë e tyre në këtë turne.

E vetmja skuadër, e cila mund t’i “kërcënojë” në këtë renditje është Partizani, që gjithsesi mbetet e shkëputur në kuotën e 11 pikëve, të siguruara në 9 sezone e 20 ndeshje të luajtura.

Sa u përket skuadrave të tjera, do t’u duhet që të fillojnë një cikël të mirëfilltë suksesesh të njëpasnjëshme, para se të mundtë të rrezikojnë këtë hegjemoni në kreun e renditjes.

LIGA E EUROPËS

Në Ligën e Europës, Kukësi është ulur në fron një vit më parë, me vetëm 4 edicione në të cilat ka marrë pjesë në këtë turne, shumë më pak sesa skuadra të tjera që kanë luajtur më rregullisht si Tirana, Dinamo, Partizani, Vllaznia, Flamurtari apo Teuta.

Verilindorët kanë kaluar me pikë Tiranën që ka luajtur më shumë se dyfishin e sezoneve të Kukësit në këtë turne, kanë kaluar për numër ndeshjesh të luajtura Partizanin, Dinamon e Vllazninë, ndërsa kanë barazuar në vendin e dytë për momentin Flamurtarin. Mbresëlënëse është ecuria e Skënderbeut në këtë turne.

Statistikat e Liges se Europes

Vetëm në edicionin aktual, të parin që klubi e fillon që nga turi i parë, korçarët kanë regjistruar falë 4 fitoreve e 3 barazimeve më shumë pikë sesa Dinamo dhe më shumë se dyfishin e Laçit, Partizanit apo Teutës që kanë luajtur rregullisht në këtë turne gjatë gjithë historisë së tyre.

Pikët në tre edicione i barazojnë me ato të siguruar në 10 edicione nga Tirana, me një golavarazh shumë më të mirë se bardheblutë. Mjafton një fitore, apo dy barazime në fazën në grupe, që Skënderbeu të “mbretërojë” në këtë turne. Trendi është i qartë.

Të dy skuadrat që kanë shpërthyer vetëm në vitet e fundit në arenën ndërkombëtare, po paraqiten shumë më mirë sesa ekipet e traditës dhe pritet të vazhdojnë në këtë rrugë.

Falë edhe rezultateve të arritura në këto edicione, Kukësi e sidomos Skënderbeu, kanë përmirësuar koeficientin e tyre në UEFA, që u garanton një short më të lehtë në turin e parë në aktivitetet ku marrin pjesë e sigurisht më shumë rezultate pozitive që do i bëjnë më të pakapshëm nga skuadrat e traditës në këtë klasifikim statistikor.

ERMAL KUKA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"