Starton “valsi” i… trajnerëve, Cungu është më i kërkuari nga presidentët për sezonin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2015 | 9:49

Starton “valsi” i… trajnerëve, Cungu është më i kërkuari nga presidentët për sezonin e ri

tranjeret

Sezoni futbollistik 2014-2015 në Kate gorinë Superiore, në krahasim me edicionet e shkuara, ka prodhuar më shumë stabilitet, për sa i përket stolit drejtues. Nga 10 trajnerë, që e nisën punën në fillim të kampionatit, katër prej tyre kanë mbetur të pandryshuar në drejtim.

Mirel Josa me Skënderbeun, Gugash Magani me Tiranën, Shpëtim Duro me Partizanin dhe Armando Cungu me Laçin janë trajnerët që i kanë shpëtuar furtunës. Mirel Josa është një etalon më vete në futbollin shqiptar në vitet e fundit, pasi e drejton pa ndërprerje Skënderbeun që nga 31 korriku 2012. Pra, 40% e trajnerëve të Superiores ka mbijetuar deri tani, ndërsa pankinat e tjera i janë nënshtruar “valsit”. Por në përfundim të sezonit pritet që “valsi” i pankinave të jetë rrënjësor. Pjesa dërrmuese e klubeve ka nisur punën për të gjetur strategët e skuadrave për edicionin e ri. Për momentin, janë të pakët trajnerët aktualë që mendohet se mund të ruajnë vendin për sezonin e ri.

Flamurtari pret vetëm përfundimin e kampionatit për të larguar Ramelën. Zmijani varet nga drejtimi që do të marrë Bashkia Shkodër. Teuta, me shumë mundësi, nis një projekt të ri. Elbasani dhe Apolonia mbeten në varësi të politikave që do të kenë klubet. Duro pas dy javësh do të tregojë nëse do të vazhdojë bashkëpunimin me Partizanin. Disa nga të mbijetuarit e deritanishëm e kanë shprehur se në përfundim të kampionatit do të largohen, që t’i hapin rrugë një trajneri tjetër. Gugash Magani, pas barazimit me Skënderbeun, deklaroi se pas dy javësh se do të largohet nga drejtimi i Tiranës.

Është folur edhe për një “divorc” të Cungut me Laçin pas përfundimit të finales së Kupës së Shqipërisë, por dje tekniku shkodran ka pohuar se deklarata e tij është keqinterpretuar. Sipas Cungut, ai ka nevojë për pushime, por jo se do të largohet nga Laçi. Ndonëse nuk është hapur zyrtarisht merkatoja për sezonin e ri, “valsi” i trajnerëve është pjesë e opinioneve dhe bisedave në rrethet futbolldashëse. Disa trajnerëve po u lakohet emri në dy-tre klube të ndryshme dhe Armando Cungu është më i kërkuari. Fatet e disa trajnerëve varen edhe përfshirja e skuadrave në kompeticionet europiane. Por nuk përjashtohet mundësia që disa nga këto klube shqiptare prezantimin në Europë ta bëjnë me staf të ri teknik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"