Staf 90% italian, flet trajneri i ri i Apolonisë: Do bëhen 6 afrime, i kemi idetë e qarta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2021 | 12:12

Staf 90% italian, flet trajneri i ri i Apolonisë: Do bëhen 6 afrime, i kemi idetë e qarta

Manuele Blazi prej tri ditësh ndodhet në Fier. Trajneri i ri i Apolonisë ka shkelur për herë të parë tokën shqiptare dhe ka testuar nga afër gjendjen aktuale të skuadrës. Ish-mesfushori i Juventusit është njohur nga afër me mjediset e akademisë dhe terrenet sportive të klubit, ndërkohë që ka zhvilluar edhe seancat e para stërvitore me kontigjentin aktual të Apolonisë, që ka qenë jo i plotë. 40-vjeçari italian ka qenë lakonik, teksa është shprehur shkurtimisht enkas për “Panorama Sport”.

blazi

“Është kënaqësi që do të drejtoj Apoloninë. Kam ardhur me ide dhe objektiva të qartë, duke qenë i bindur dhe duke besuar në atë që do të bëjmë bashkërisht si klub”. Blazi ka sjellë me vete edhe ndihmësin e tij të parë, i cili do të jetë 40- vjeçari Fabricio Antonini, një ish-mesfushor që ka luajtur në nivele inferiore në kampionatin italian dhe që ka qenë në të njëjtin funksion edhe te Hamrun Spartans në Maltë dhe Aja Napa në Qipro. Stafi teknik ka në përbërje edhe një tjetër zv.italian, Dario Dian, i cili është pjesë e fierakëve edhe me Xhovani Kolelën.

Nga Apolonia është larguar përgatitësi atletik, Daniele Nervi, i cili këtë sezon është bërë pjesë e bluve të Dinamos. Stafi teknik i Apolonisë ende nuk është i plotë, pasi nuk është vendosur se cili do të jetë trajner i portierëve. Kampionatin e kaluar këtë detyrë e ka kryer Eduard Miço, ndërsa këto ditë të para, në kampin fierak është shfaqur për një ditë Niko Divija, ish-trajner i portierëve të Bylisit, por më pas nuk është dukur më. Sa i përket fazës përgatitore, Apolonia pritet që ta nisë zyrtarisht të hënën e 9 gushtit dhe ajo do të zhvillohet në Fier. Në merkato janë në kërkim të paktën për 6 futbollistë: 1 portier, 1 mbrojtës i majtë, 1 qendërmbrojtës, 2 mesfushor dhe 1 sulmues, teksa janë planifikuar edhe tri miqësoret e para: me KF Liria të Prizrenit më 11 gusht, me Burrelin më 15 gusht dhe me Bylisin më 21 gusht, të tria të parashikuara për t’u luajtur në “Loni Papuçiu”.

BUJAR RAMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"