“Sprint” për Superioren, Ndreu: Kam fjalët më të mira për Besëlidhjen, por ne jemi të avantazhuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2020 | 13:44

“Sprint” për Superioren, Ndreu: Kam fjalët më të mira për Besëlidhjen, por ne jemi të avantazhuar

Kastrioti mund t’i mbyllë sot llogaritë e vendit të parë. Nëse fiton me Besëlidhjen, atëherë pritet çdo shpresë e lezhjanëve për vendin e parë. Edhe pse sot kanë dy mungesa, Nezirin dhe Ramin. krutanët janë të vendosur për të vazhduar me serinë e fitoreve për t’i mbyllur gojën edhe Besëlidhjes, që në dy ndeshjet e para nuk e kanë mundur.

kastrioti
NDREU- “Në ndeshjen e parë treguam se nuk jemi në 100%-shin tonë, sepse pushimi bën të veten, por fituam. Jemi të mobilizuar dhe kemi dëshirën e madhe për ta mbyllur këtë pjesë të kampionatit me sukses. Ndaj Besëlidhjes duam fitoren e radhës dhe fakti që ata na kanë marrë pikë në dy ndeshjet e para, nuk është ndonjë tregues i madh. Kemi 9 pikë më shumë, i kemi marrë me djersë dhe jemi skuadra më e mirë. Për Besëlidhjen kam thënë fjalët më të mira, pasi në 4-5 vitet e fundit kanë qenë shumë afër Superiores, ndaj dhe merr vlerësim maksimal nga ne.
ramadan ndreu
Do jetë ndeshje e luftuar, ku ne jemi të avantazhuar. Luajmë në fushën tonë, kemi lojtarë shumë të mirë edhe në stol, që në çdo moment rritin nivelin e lojës. Këto na japin epërsi për ta fituar ndeshjen. E nisëm keq kampionatin, me djem të rinj që donin kohë, por ata e kanë të ardhmen në Superiore. Do mundohemi t’u japim minuta të rinjve dhe të kemi ide të qarta. Duhen të rinj që vrapojnë, por edhe lojtarë me eksperiencë.

Mungesat? Neziri dhe Rami janë paraqitur mirë, por e thashë se kemi luksin të kemi alternativa.

Tifozët? Nuk e imagjinoj dot si mund të luhet një ndeshje pa asnjë brohoritje. Është e tmerrshme, nuk ka vlerë. Është si të dalë një këngëtar në skenë dhe të këndojë vetëm. Duhet gjetur një formulë që të ketë tifozë”, tha mes të tjerash trajneri Ndreu.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"