Spektakël në Shkodër, Shtubina ndal Teutën. Agim Canaj akuzon: Besa fitoi çuditshëm…

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Shkurt 9, 2014 | 10:25

Spektakël në Shkodër, Shtubina ndal Teutën. Agim Canaj akuzon: Besa fitoi çuditshëm…

Vllaznia-Teuta 1-1VLLAZNIA-TEUTA 1-1
GOLAT: Shtubina 90+3’/ Nika 15′
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Gocaj, Vukçeviç, Sykaj, Semina (Shtubina 32′), Boci, Tafili (Belisha 68′), Bardulla, Nikoliç (Kruja 52′), Hajdari, Bushiç; Trajner: Agim Canaj
TEUTA: Rizvani, Idrizi (Hoxha 46′), Jakupi, Osmani, Ahmataj, Hodo, Nika, Batha, Dosti, Joel (Xhafaj 46′), Samb (Kalu 62′); Trajner: Roberto Sorrentino
KARTONË TË VERDHË: Hajdari 18’/ Samb 53′, Hodo 86′
DELEGAT: Uvil Zajmi (Tiranë)
VËZHGUES: Sami Elezi (Peqin)
GJYQTARET: L.Jemini, R.Avdo, G.Qirici (Tiranë)

MINUTAT
1′ Hajdari në pozicion të prirët për gol, gjuan fort, por pa e gjetur katërkëndëshin e portës mike.
6′ Tafili i afrohet i vetëm zonës dhe i pambuluar nga mbrojtja mike, pak metra larg portës, gjuan. Mirëpo Rizavani bën mrekullinë, duke shmangur një gol të sigurt të Vllaznisë.
9′ Hajdari shfaqet bukur brenda zonës, gjuan përsëri portën e miqve, por Rizvani është i pakalueshëm, grushton dhe largon rrezikun.
15′ Aksion i shpejtë i durrsakëve, Samb shërben shkurt për shkodranin Nika, i cili i ndodhur brenda zonës, me një gjuajtje të shkëlqyer me të majtën e dërgon topin në trekëndësh dhe 0-1.
17′ Është sërish Hajdari për Vllazninë, që gjuan fort në hyrje të zonës mike, por gardiani i Teutës është i pakalueshëm, duke e grushtuar topin.
27′ Hajdari harkon bukur nga e majta e sulmit të tij, por topi, edhe pse kalon të gjithë pasqyrën e portës, nuk shfrytëzohet siç duhet nga ana e Seminës, i cili shpërdoron kështu një rast të artë për të barazuar.
27′ Joel shfaqet bukur brenda zonës, gjuan fort, por Vujadinoviç grushton në kohë, duke shmangur golin e dytë.
35′ Samb i afrohet bukur zonës, i vetëm përballë portierit malazez gjuan, por ky i fundit reagon në kohë dhe e shpëton katërkëndorin.
42′ Hajdari gjuan, por është sërish Rizvani që grushton, duke e shpëtuar portën e tij.
50′ Gjuan Dosti dhe pret Vujadinoviç.
67′ Shtubina provon nga jashtë zone, por portieri në pozicion grushton.
84′ Gjuan përsëri Shtubina dhe kësaj here është përsëri Rizvani që grushton.
90+3′ Pas një topi të marrë nga Kruja, Shtubina avancon nga e djathta bukur në zonë, gjuan fuqishëm dhe mposht Rizvanin, duke i barazuar shifrat në 1-1.

Vllaznia ndal Teutën dhe e kthen atë me këmbë në tokë pas goleadës së një jave më parë. Në barazim 1-1 ka përfunduar ndeshja e djeshme, e cila u luajt në “Loro Boriçi”. Ka qenë një ndeshje spektakolare, me ritëm të lartë dhe me raste të pastra goli. Në fakt golat kanë qenë totalisht shkodranë, duke qenë se për durrsakët shënoi një “ish”, pikërisht Nika, ndërsa rezultatin e baraspeshoi Shtubina në limit. Nga ky 90-minutësh kanë mbetur të kënaqur vetëm kuqeblutë, për nga mënyra se si shkoi ndeshja. Pra, goli i minutës së fundit shtesë mund të llogaritet si një fitore. Ndërsa për miqtë, të cilët kishin udhëtuar vetëm për të fituar, konsiderohet si një humbje. Megjithatë, situata në renditje mbetet e pandryshuar, pasi Teuta pozicionohet e dyta, ndërsa shkodranët të 9-ët, pra po në zonën e ftohtë. Për t’u përmendur është portieri Rizvani, i cili me pritjet e tij në disa raste ka shmangur gola të sigurt.
Pjesa e parë Loja ka nisur që në sekondat e para me një Vllazni sulmuese, e cila ka shfaqur hapur ambicien e saj për ta fituar ndeshjen. Hajdari ka qenë protagonist në dy episode për ekipin e tij, konkretisht kur shpërdoron dy raste ideale, por kjo edhe për meritë të portierit Rizavani. Mirëpo, shkodranët në minutën e 6-të kanë pasur edhe një tjetër rast ideal me anë të Tafilit, që fare pranë portës nuk ka arritur ta dërgojë topin në rrjetë. Ka qenë sërish Rizavani, ai që ka bërë mrekullinë. Megjithatë, atë që nuk arriti ta bënte Vllaznia, e bëri Teuta. Në rastin e parë që krijuan, në të 15-ën minutë Ansi Nika gjeti rrejtën. Aksion i shpejtë i durrsakëve, Samb ka shërbyer shkurt për shkodranin Nika, i cili i ndodhur brenda zonës, me një gjuajtje të shkëlqyer me të majtën, e dërgon topin në trekëndësh dhe 0-1. Pas golit kuqeblutë nuk dorëzohen, përkundrazi, shtojnë presionin në portën mike. Dy minuta më vonë Hajdari, që gjuan fort në hyrje të zonës, dhe sërish është Rizvani që grushton mrekullisht. Në minutën e 27-të është prapë sulmuesi, i cili ka harkuar bukur nga e majta e sulmit, por topi, edhe pse ka kaluar gjithë pasqyrën e portës, nuk u shfrytëzua siç duhet nga ana e Seminës, që humbet një mundësi të mirë shënimi. Në krahun tjetër janë miqtë që, me anë të dyshes sulmuese Joel-Samb, kanë vënë në vështirësi reale dy herë me radhë portën vendëse. Në të dy rastet janë ndërhyrjet e sakta të Vujadinoviçit që shpëtojnë portën shkodrane, nga pësimi i një tjetër goli. Pjesa e parë u mbyll me një tentativë të Hajdarit dhe me Rizvani të pakalueshëm.
Pjesa e dytë Në 45-minutëshin e dytë, Sorrentino bëri dy lëvizje në ekipin e tij. Ai aktivizoi Hoxhën dhe Xhafajn në vend të Idrizit dhe Jeol. Nga ana tjetër, Canaj përveç aktivizimit të Shtubinës në të 32-tën minutë të pjesës së parë, në fraksionin e dytë nuk u ngut me ndryshimet, duke u besuar pra të njëjtëve. Vllaznia vijoi të ishte më kërkuese dhe sulmuese njëherësh, teksa i afrohej shpesh portës mike. Megjithatë miqtë, nga ana e tyre, kërkonin të rrezikonin përmes kundërsulmit. Në të 50-tën minutë ishte Dosti që gjuajti, por Vujadinoviç priti në pozicion. Edhe Shtubina provoi në të 67-tën nga distanca, por priti Rizvani. Sulmet u shtuan. Në të 77- tën tentoi përsëri Shtubina, por Rizvani ishte në një ditë të mirë dhe largoi rrezikun. Shkodranët treguan karakter deri në momentet e fundit të sfidës. Në minutën e 3-të shtesë dhe të fundit, që u akordua nga gjyqtari kryesor Jemini, erdhi dhe goli i barazimit. Pas një topi të marrë nga Kruja, Shtubina avancoi nga e djathta bukur në zonë, goditi fuqishëm, duke mposhtur kështu Rizvanin dhe barazuar shifrat në 1-1. Një barazim që për shkodranët është më mirë se asgjë, aq më tepër që erdhi në limitin e kohës.

MË I MIRI
Bledian Rizvani ka qenë pa dyshim një nga më të mirët në fushën e lojës për ekipin e tij. Ndërhyrjet e vazhdueshme që portieri i Teutës realizoi në atë 90-minutësh ishin vendimtare, sepse me pritjet e tij ai shmangu gola të sigurt. Gardiani ka kontribuar shumë në pikën e marrë nga durrsakët në “Loro Boriçi”. 

MË PAK AKTIVI
Mesfushori serb i Vllaznisë, Milan Nikoliç, ka qenë një nga lojtarët që ka rënë më pak në sy nga të dyja skuadrat. Ai ka treguar sidomos gjatë pjesës së dytë shenja lodhjeje, duke mos bindur as të pranishmit. Në fakt, pritshmëria për këtë futbollist ishte e madhe, por duket se nuk është ende në formën optimale.

Agim CanajCanaj akuzon: Besa fitoi çuditshëm
Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, qan rastet e shpërdoruara nga skuadra e tij në ndeshjen kundër Teutës, duke fajësuar qetësinë para portës. Më pas ka hedhur edhe dyshime mbi ndeshjen e luajtur në Vlorë, ku Besa fitoi me rezultatin 4-1 ndaj Flamurtarit, duke e cilësuar si të çuditshme. Madje, ai akuzon se aleancat po dëmtojnë futbollin në Shqipëri. “Ndaj Teutës ishte një ndeshje e luftuar deri në fund. E vetmja gjë që na mungoi ishte goli. Desha të theksoj se lojtari më i mirë i ndeshjes ishte portieri i Teutës, i cili shpëtoi disa herë ekipin e tij. Kjo tregon qartë se kush ka qenë superior në fushë”, – u shpreh Canaj. “Skuadra hyri në fushë nën tensionin e arritjes së një rezultati. U munduam të ruajmë qetësinë, por e patëm mjaft të vështirë. Pas një shpërqendrimi, pësuam një gol, që në fakt nuk erdhi si rrjedhojë e lojës së mirë të Teutës. Kundërshtarët e gjetën rrugën e rrjetës në të vetmin rast që patën. Në pjesën e dytë ne arritëm të përmirësohemi ndjeshëm dhe krijuam më shumë mundësi për të shënuar. Mendoj se u penalizuam disi edhe nga aspekti psikologjik, pasi dëshironim me çdo kusht që të barazonim. Gjithsesi, lojtarët e mi dhanë gjithçka në fushë. Nuk dua të harroj pa përmendur edhe momentin e fundit të takimit, kur gjyqtari nuk akordoi një faull të dukshëm në favorin tonë”, – shtoi kreu i pankinës shkodrane. Më pas, ai hedh akuza për aleancat në futboll. “Aleancat nuk mund t’i shpreh unë, pasi ndodhin me rezultate të çuditshme. Një prej tyre ishte ai 1-4, i arritur nga Besa në Vlorë. Ne po e meritojmë çdo rezultat që marrim, duke dhënë maksimumin në fushë. Sot (dje) morëm një pikë në këtë takim, pas një loje të ndershme dhe shpresoj që me këto lojëra të ndershme që ne po tregojmë dhe do të tregojmë në të ardhmen, të sensibilizojmë edhe federatën dhe të tjerë që të shikojnë në këtë drejtim, pasi për ndryshe kampionati do të hyjë në një rrugë të vështirë”, – përfundoi deklaratën e tij Canaj.

Sorrentino“Mund të merrnim 3 pikë, por fitojmë me Skënderbeun”
Roberto Sorrentino priste më shumë se kaq nga 90-minutëshi i luajtur dje në “Loro Boriçi”. Për trajnerin e Teutës, skuadra e tij duhet ta kishte fituar këtë takim dhe ajo që rëndon më tepër është pikërisht pësimi i golit të barazimit në limitin e kohës shtesë. Megjithatë, si profesionit, ai e pranon se ky është futbolli. Pas ndeshjes, italiani i pankinës durrsake i ka bërë një analizë kësaj sfide, ndërsa nuk nguron të vlerësojë lojën e të tijve. “Më vjen keq që kemi lënë dy pikë në limitin e kohës shtesë. Në futboll ndodh që të humbasësh një pikë në minutën e fundit, ashtu si dhe t’i fitosh ato. Natyrisht që duhet të kishim marrë një rezultat më pozitiv, pasi ne në Shkodër erdhëm me ide të qarta për të fituar dhe vijuar serinë e rezultateve pozitive. Megjithatë, ne kemi marrë një tjetër rezultat pozitiv në një fushë të vështirë dhe përballë një kundërshtari që na bërë më së miri rezistencë. Vllaznia na ka vënë nën presion përgjatë gjithë kësaj ndeshjeje, ndaj nuk më mbetet gjë tjetër veçse të pranoj se rivali na vuri shumë në vështirësi. Vlerësoj kondicionin e lojtarëve të mi, të cilët edhe në këtë takim u përpoqën shumë dhe krijuan raste. Por, duket se sot (dje) nuk ishte dita jonë. Nika është një lojtar i mirë dhe që vazhdon të rritet dita-ditës profesionalisht. Është i ri, por po hedh hapa të mëdhenj përpara”, – tha fillimisht tekniku. Më tej, italiani ndalet te ndeshja e radhës, ajo përballë Skënderbeut, që është edhe rivali direkt për titull. “Kërkoj që në takimin me ekipin e vendit të parë të arrijmë të bëjmë një tjetër paraqitje të mirë dhe të marrim një tjetër rezultat pozitiv”, – ka përfunduar Sorrentino.

Ansi NikaNika: Goli për familjen, por më vjen keq për Vllazninë
Për Ansi Nikën, dita e djeshme ka qenë speciale. Ai ka shënuar një gol dhe pikërisht në qytetin e Shkodrës, kundër ish-ekipit. Mesfushori, edhe pse i është gëzuar golit, për respekt të qytetit të vendlindjes dhe ekipit prej ku ka dalë, nuk ka festuar. Megjithatë, në fund të takimit, në një bisedë me “Panorama Sport” ai ka rrëfyer se ky gol i dedikohet familjes dhe mikut të skuadrës, Riat Shala. “Çdo gol më gëzon. Por, të jem i sinqertë, ndiej keqardhje, pasi ia shënova ekipit tim të zemrës, Vllaznisë dhe për më tepër në Shkodër. Megjithatë, ne jemi profesionistë dhe si të tillë duhet të bëjmë detyrën te skuadrat tona. Ndaj shënova dhe u lumturova. E vetmja gjë që mund të bëja, ishte të mos festoja dhe kështu veprova. Këtë gol ia dedikoj familjes, si edhe mikut tim Shala”, – tha fillimisht Nika, i cili edhe në takimin e fazës së parë e ndëshkoi Vllazninë në takimin e luajtur në Kavajë asokohe. Megjithatë, shkodrani ka shprehur edhe keqardhjen për pozitat në të cilën gjendet Vllaznia. “Më vjen keq që Vllaznia është në të tilla pozita. Me brumin që ka, skuadra nuk është në vendin ku i takon. Mendoj se shpejt kuqeblutë do të largohen prej fundit të tabelës dhe nuk do e diskutojnë qëndrimin në Superiore”, – shtoi autori i golit të durrsakëve. Më pas, i pyetur nëse do të shikonte mundësinë për një rikthim në fund të këtij sezoni te Vllaznia, ai tha: “Nuk mund të flas kaq shpejt për këtë gjë, por nuk përjashtohet mundësia që të kthehem në Shkodër. Dëshira nuk më ka munguar dhe s’më mungon. Megjithatë, unë aktualisht luaj për Teutën dhe derisa jam këtu do vazhdoj të jap maksimumin për këtë fanellë”.

Rikthehen “Vllaznit Ultras”, por sërish ka pak tifozë
Shumë pak tifozë e kanë ndjekur ndeshjen Vllaznia-Teuta. Shkallët e stadiumit “Loro Boruiçi” vazhdojnë të jenë të boshatisura, ashtu si edhe gjatë pjesës së parë të sezonit. Tifozëria shkodrane jo vetëm që ka qenë e paktë në numër, por ajo ka qenë edhe tepër e vakët përgjatë gjithë takimit. Megjithatë pozitiv ishte rikthimi i grupimit “Vllaznit Ultras”, të cilët pas një mungese jo të vogël, kanë vendosur që të jenë sërish përkrah skuadrës së zemrës dhe ta mbështesin atë pa kushte. Ata nuk kanë pushuar gjatë gjithë kohës së dhëni zemër lojtarëve. Por vlen të theksohet se nuk munguan as tifozët e Teutës, të cilët kishin udhëtuar të organizuar nga Durrësi për të mbështetur skuadrën e tyre në transfertën e vështirë shkodrane.

Rajoviç, pranë skuadrës: Me pak fat mund të fitonim
Blazho Rajoviç, edhe pse nuk mund të japë dot kontributin e tij në fushë, e bën atë moralisht. Mbrojtësi ka qenë i pranishëm dje në stadiumin “Loro Boriçi”, por për t’u ofruar mbështetje morale shokëve të skuadrës. Ai e ndoqi nga afër 90-minutëshin gjithë ankth, meqenëse deri në fund shkodranët ishin në disavantazh. Madje dëshpërimin mund t’ia kuptoje lehtë në fytyrë, ndaj kur erdhi goli në fund nuk nguroi të festonte po aq fort sa edhe pjesa tjetër e skuadrës që ndodhej në fushë. Në fakt, malazezi e ka quajtur mungesë fati rezultatin e ekipit shkodran në këtë takim. Ja si është shprehur ai për gazetën: “Mund të fitonin po të kishin pak fat”. Kujtojmë që mbrojtësi prej muajit nëntor të vitit 2013 është i dëmtuar. Pas ndërhyrjes kirurgjikale, ai pritet të mbetet gjatë jashtë fushave të blerta.
ADMIR URUÇI





www.minuta90.com