Spektakël në konferencë, nis “lufta” Murinjo-Klop

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2020 | 10:48

Spektakël në konferencë, nis “lufta” Murinjo-Klop

Totenhem-Liverpul premton gjithmonë spektakël. Aq më shumë kur në stolin e të dyja skuadrave janë dy trajnerët që kanë bërë histori në vitet e fundit në futboll. Gjithçka ka nisur ende pa zbritur skuadrat në fushën e lojës, sepse Zhoze Murinjo dhe Jyrgen Klop kanë bërë batuta dhe kanë dhuruar spektakël në konferencën për shtyp përpara kësaj sfide.klop murinjo

I pari nuk e ka luksin për të bërë humor, ndërsa i dyti ndodhet në një pozicion shumë komod dhe po ecën i sigurt drejt titullit kampion. Në 18:30 dy skuadrat do të zbresin në fushën e lojës për të matur forcat, Totenhemi për të siguruar një vend në Champions sezonin e ardhshëm dhe Liverpuli për të thelluar diferencën me ndjekësit në luftën për titullin kampion.

MURINJO BESON

Trajneri i “Spërsave” beson se skuadra e tij mund ta mundë Liverpulin, por diçka të tillë e thotë duke qeshur. Murinjo përdor shefin e medias së skuadrës londineze për ta shprehur këtë gjë. “Vetëm dy persona në këtë dhomë mendojnë se Totenhemi mund ta mundë Liverpulin. Jam unë dhe shefi i medias”, tha Mou duke qeshur. Sigurisht që brenda tij ka shumë dëshirë për ta thyer Klopin, por e di që nuk është aspak e lehtë.

Ai foli gjithashtu edhe për dëmtimin e Kejnit. “Nëse unë do të flas shumë për Kejnin, do të bie në depresion dhe ju do të thoni se nisa të ankohem. Është më mirë të flasim për gjëra që më bëjnë të qesh. Nëse nuk e kemi Kejnin, atëherë ne nuk luajmë dot njësoj. Nuk ka lojtarë që mund ta zëvendësojnë atë”, ka thënë Murinjo.kLOP MURINJO

KLOP I TREMBET

Jyrgen Klop i thur elozhe Murinjos, por tregon se nuk e njeh shumë të shkuarën e tij si lojtar. “Çfarë ka qenë Murinjo portier? Nuk e di. Ndoshta si lojtar ka qenë më i mirë sesa unë, por tani që jemi trajnerë është fat që nuk luajmë ne. Ai është një trajner i klasit botëror dhe këtë e ka treguar në çdo skuadër ku ka shkuar Totenhemi është një ekip i mirë, i organizuar dhe i fortë në mbrojtje.

Kanë shumë futbollistë në mbrojtje dhe mund të krijojnë raste të rrezikshme. Edhe ne duhet të jemi të paparashikueshëm në ato që do të bëjmë në fushën e lojës dhe kjo është mënyra më e mirë për ta fituar ndeshjen. Efekti surprizues është shumë i rëndësishëm”, ka thënë Jyrgen Klop.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"