Sherri në ndeshjen Tomori-Naftëtari për një të kuq, Ismaili: Më dënuan dhe më çuan në fermë të mbillja domate

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2020 | 20:20

Sherri në ndeshjen Tomori-Naftëtari për një të kuq, Ismaili: Më dënuan dhe më çuan në fermë të mbillja domate

Një karrierë portieri e ndarë në dy klube, Naftëtari dhe Partizani. Nga të rinjtë tek ekipi i parë, pëlqehet dhe piketohet nga Loro Boriçi. “Ka qenë një ndeshje kualifikuese e luajtur në stadiumin ‘Dinamo’, Naftëtari-Studenti, pas të cilës më thirrën të kryeja shërbimin ushtarak”, thotë Ismaili për “Panorama Sport”. 

ismaili LOGO

Nga 1969 deri 1973 ishte pjesë e portës së Partizanit, në krah të Muhedinit, për t’u kthyer te Naftëtari, që në ato vite kishte trajnerë Birçen, Deliallisin dhe Mukavelatin. Më pas Ismaili u bë drejtues, një personazh tejet i njohur, i diplomuar në ILKF, simbol i qytetit të Kuçovës dhe i klubit. 70-vjeçari Ismaili i rikthehet ngjarjes, kur pas takimit, i vunë prangat për ta liruar në mesnatë, por me arrest shtëpie. “Vetëm për një faull, pastaj një karton i kuq dhe largimi nga fusha i shoqëruar me polici i Koçit. Ishin këto që më nervozuan tej mase dhe që reagova”, thotë. Më pas dënimi me punë edukuese në fermë dhe sërish në portën e Naftëtarit deri në fund të karrierës.

Cilat ishin raportet midis dy qyteteve?

Ne ishim komuna, ata ishin rrethi. Ne nuk kishim polici të mirëfilltë, vetëm nja dhjetë të tillë. As gjykatë dhe as prokurori, gjithçka ishte në Berat. Me Tomorin kishim rivalitet sportiv, por të privilegjuar gjithmonë ishin ata. Ka qëlluar në disa sezone, kur ata ishin në të Dytën, ne luanim në të Parën dhe ky ishte një motiv më shumë për të na mbajtur, pasi kur bëhej fjalë për të rënë nga kategoria, viktima duhet të ishim ne.

Fatmir, flasim pak për ndeshjen… 

Luhej në Berat. Ndeshje e tensionuar, si zakonisht midis dy klubeve në atë fushë, pasi tifozët ishin vetëm 2 metra larg. U dha një faull afër këndit për beratasit, nga porta e lumit, për të cilin ne reaguam. Para se të goditej, pati polemika me arbitrin te vija e 16 metrave. Gjatë lojës kisha presion edhe nga policët që qëndronin mbrapa portës, duke më “provokuar” se do të pësoja gola nga Kovaçi, Arbëri, siç ndodh në të tilla fusha.

tomori naftetari (1)

Polemika me arbitrin ishte shumë agresive. Pse?

Në rrëmujën e krijuar, shoh Sandrin që debatonte ashpër me arbitrin. Kam vajtur për të qetësuar dhe e tërhoqa. Ishim shumë miq, flinim bashkë në dhomë. Duke shkuar drejt fundores, e kuptova se ishte ndëshkuar me karton të kuq, por motivin nuk e dija. Sandri kishte formë të mirë, lojtar i sakrificës, me ego, temperament dhe shpresonte të shënonte golin e barazimit. “Pse të dal?”, më thoshte dhe nuk e pranonte kartonin e kuq.

Si vijoi?

Deri në ato çaste unë isha korrekt, edhe nga fakti se dy javë më parë kisha luajtur me Tomorin në një miqësore ndaj Trepçes. Dhe para publikut vendës kisha përgjegjësi, duhet të prezantohesha mirë për takimin e kthimit. Por, pas asaj që ndodhi, nuk shkova në Mitrovicë.

Pse ndërhyri policia dhe e mori Koçin me forcë?

Pasi e shoqërova jashtë vijës fundore, duke shkuar në portë, kthej kokën e shoh që dy policë i futën krahun dhe po e merrnin me forcë. Vrapova drejt tyre dhe u thashë: “Çfarë po bëni, – duke e kapur prej krahu njërin prej tyre, – e çoj unë në dhomat e zhveshjes”, u them. Një drejtues policie pyeti: “Kush është ky? Merreni edhe këtë!” Por, ndërhyri një tjetër: “Mos, se nuk e ka nxjerrë arbitri nga loja, lëreni të luajë të kthehet në fushë, është portieri…”.

Vazhdoi loja dhe ju u kthyet në portë i nervozuar, apo jo? 

U ktheva në portë, loja rifilloi. Këtu gjej rastin që pas kaq shumë vitesh t’i kërkoj të falur Matrapazit, se i kam bërë një ndërhyrje të rëndë, për ta dëmtuar. Isha i nervozuar, bëja veprime të pakontrolluara, ndërsa publiku reagonte ashpër.

Shkuat në dhomat e zhveshjes. Çfarë ndodhi aty? 

U futëm në dhomat e zhveshjes, por Sandrin nuk e gjeta aty, e kishin lënë në një dhomë tjetër ku qëndronte i izoluar. Ende pa hyrë në dush erdhi policia e më thotë: “Eja edhe ti me ne”. “Sa të lahem e të vishem”, u thashë. “Vishu shpejt dhe eja”, m’u përgjigjën. Më futën edhe mua te dhoma e Sandrit, që e shoh me duart mbrapa. “Çfarë bëhet?”, e pyeta. “Mbylle gojën”, më thanë rojet dhe urdhëruan njërin prej tyre të më vinin prangat. I kujtoj edhe sot, ishin në formë patkoi. “Nuk kam bërë krim”, i them, por e kuptova se nuk duhet të kundërshtoja.

Dhe drejt e në qelitë e policisë, apo jo?

Ai ka qenë një moment i tmerrshëm. Ashtu siç ishim, para të gjithëve, miq, lojtarë, tifozë, na nxorën nga dera, na futën të dyve në një Gaz, pastaj në rajon të policisë na lanë në dy dhoma të veçanta, pa asnjë komunikim. I hutuar, siklet i madh, kur mendoja që fëmijët, djali 3 vjeç, vajza 5, të vegjël, do të thoshin: “Babi nuk do të vijë në shtëpi…”. Do të shqetësoheshin prindërit, sepse i kisha ende gjallë. Pastaj komentet në televizor, gazetat, buja për ngjarjen.

Ndërkohë, skuadra nuk niset, autobusi ju priste apo kishte ikur?

Skuadra na priste për të na marrë të ktheheshim në Kuçovë, bashkë me ta edhe tifozët që u bërtisnin policëve: “Tomori fitoi, na i nxirrni, na i lini të lirë çunat!”

Nisin pyetjet, çfarë ju thoshin në polici?

Më pas na dërguan lart në zyrën e shefit të madh, ku gjetëm dy civilë. Na pyetën secili më vete, si ndodhi ngjarja. E trajtuan sikur unë kisha goditur policin dhe atij i kishte fluturuar kapela. “Jo, – i them, – nuk është e vërtetë. E kam prekur, kam debatuar me policin, i kam vënë duart me forcë në gjoks, por kaq”. “E ke goditur”, këmbëngulin ata. “Jo”, u thosha unë. Ndërkohë kishin njoftuar vëllain tim, me detyrë të lartë në Policinë e Shtetit.

82617081_2874171675937705_4052087960563089408_o

Ishin orë ankthi dhe tensioni për të gjithë, apo jo? 

Gjatë 2-3 orëve, pasi bënë veprimet e diskutuan midis tyre, “Të mos i mbajmë të dy”, thanë. Për mua gjykuan si familjar me fëmijë, të më linin në arrest shtëpie. Ndërsa Sandri ishte beqar, e ndaluan si të arrestuar. Dola, hipa në autobus i tronditur dhe ashtu u ktheva atë natë në shtëpi. Në Kuçovë kishin shpërthyer diskutimet. Familja ishte e shqetësuar, fëmijët duke qarë, vëllezërit e prindërit gjithashtu. Në dhomën në shtëpi, atë që kam edhe sot, nuk kishte vend, nga të afërmit që kishin ardhur.

Ju lanë në arrest shtëpie?

Nuk dilja nga shtëpia dhe për stërvitje nuk bëhej fjalë. Dola vetëm disa herë që më thirrën në Prokurorinë e Beratit. Gjyqi u zhvillua pas dy javësh dhe në sallë ishin plot njerëz të caktuar nga vetë ata, siç veprohej në ato rrethana. Gjatë procesit, doli dëshmitar një polic duke pretenduar se e kisha goditur.

Dhe cila ishte fjala juaj e fundit?

Në fjalën e fundit, bashkë me Sandrin kërkuam pafajësinë. Vendimi: Unë tre muaj me punë edukuese në fermë, ndërsa Sandri u dënua një muaj burg, duke llogaritur kohën e izolimit.

Shkuat në fermë. Po çfarë pune bënit? 

Po, shkova në fermën “Partizani”, afër Kuçovës. Vinte përmbaruesi nga Berati për të më kontrolluar. “Ja ku e ke, duke mbjellë domate”, i thoshin. Nga FSHF-ja dhe klubi nuk pati pezullime, pasi ndëshkimi ishte i një shkalle më të lartë se një masë administrative e saj. Koçin po. As nuk mund të shkoja për ta parë e takuar Sandrin, sepse isha në arrest shtëpie. 1 muaj zgjati, pastaj u rikthyem në kushte normale. Në familje u qetësuan disi, por ankthi mbeti. Si u kthyet në portën e Naftëtarit, në derbin e kthimit? Bëja stërvitje individualisht, pastaj u integrova me skuadrën. Tifozët vinin për të më ndjekur. Dihet që në Kuçovë më shumë njerëz kishte në stërvitje, sepse mbushej pjesa përballë. Takimi i parë që luajta pas dënimit ishte Naftëtari-17 Nëntori 1-0. Fituam me golin e Skuros në shkurt të ’80-ës. Është e vërtetë që në fazën e dytë të po atij sezoni në javën e 25-të, u ndeshëm me Tomorin në Kuçovë dhe fituam 1-0, po me gol të Lad Skuros. Në portë isha unë.

UVIL ZAJMI

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"