Ideja gjeniale e Lirim Zallës: Doja të imitoja “Il Processo”, në 1997 e ndërpremë prej presidentëve agresivë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2018 | 15:54

Ideja gjeniale e Lirim Zallës: Doja të imitoja “Il Processo”, në 1997 e ndërpremë prej presidentëve agresivë

UVIL ZAJMI

uvil zajmi

Nga 1988 kur filloi gazetarinë, Lirim Zalla mbetet ndër moderatorët e njohur e popullorë të “Rubrikave Sportive” në TVSH, pastaj në TVA, kur për herë të parë doli në “Avantazh”, me Monika Zguron, një “Miss”. Nga moviola e Grillos tek ajo me movilistin në studio, një histori unikale.

Ju kujtohen fillimet e saj në Tvsh?

Moviola në TVSH kishte startuar prej shumë kohësh në “Rubrikën” që e drejtonte Vladimir Grillo, me pamjet që përsëriteshin dhe të ftuarit në studio që i diskutonin, pa moviolist. Më kujtohet kur në derbin Partizani-17 Nëntori, maj 1987, Muça realizoi një gol thuajse nga mesfusha, por që u anulua nga arbitrat. Një gol spektakolar, që edhe në stadium nuk u kuptua pse u konsiderua i parregullt. Ndeshja u mbyll 0-0. Në “Rubrikën Sportive” situata u ndez, vazhdoi me debate të zjarrta, duke i risjellë edhe të ngadalësuara pamjet, por pa moviolistin në studio.

lirim zalla

Moviola e parë ishte me Pregjën?

Idenë për praninë e një moviolisti e kam realizuar me Ramiz Pregjën në TVSH. Isharbitër i njohur i FIFA-s. Muaji prill i sezonit 88-89, fund kampionati, tejet i polemizuar e me probleme, vendosa të aplikoja një moviolë të thjeshtë brenda “Rubrikës Sportive”, që jepej me regjistrim ditën e hënë. Pregja qëndroi deri në qershor.

A kishte probleme në përdorimin e moviolës, duke qenë se mungonte teknologjia moderne?

Duke qenë se mesazhi dhe objektivi kryesor i saj është të ndihmojë në interpretimin e drejtë të episodeve të diskutueshme, konform ligjeve të lojës, e që shërben jo pak për të dhënë informacion më të gjerë për publikun televiziv, futbollistë e trajnerë, mungesa e një teknologjie moderne në shumë raste krijonte vështirësi në gjetjen, pasqyrimin e pjesëve dhe momenteve të dukshme.

A mund të thuhet se moviola është edhe pasqyrë e “Rubrikës”?

Kam qenë me parimin që moviola është zëri dhe fytyra, jo vetëm e personit që e përdor, por edhe emisionit sportiv, madje e vetë kanalit televiziv. Aty kërkohen njerëz profesionistë, të aftë të interpretojnë me korrektesë dhe të jenë njohës të mirë të Rregulloreve të lojës, përcaktimit dhe zgjedhjes së rasteve që kërkojnë interpretim. Përdorimi i saj nga njerëz joprofesionistë, ekstremistë dhe tifozë, e deformon realitetin. Mundësia që të jep moviola për një gjykim më të drejtë rreth vendimit të një arbitri apo asistenti, ishte objektivi kryesor i saj.

Më pas, moviola vazhdoi me Hoxhën dhe Jarecin apo jo?

Ishte mirë që moviolisti të mos ishte në aktivitet dhe për këtë iu drejtova Kolegjiumit të Tiranës: arbitrave Kuka, Kaimi, Konçi, etj. Por, pashë që kishin problem me të folurën me dialekt dhe kjo më shtyu të dal jashtë Tiranës, kur dikush më sugjeroi arbitrin e FIFA-s, Arsen Hoxha. Më pëlqeu ideja dhe takova. Biseduam dhe ishte dakord edhe nga fakti që ishte nga Fieri, jashtë klaneve. Kur Arseni iku në Greqi, unë përzgjodha Namik Jarecin, një tjetër ish-bilbil i FIFA-s. Te Namiku konstatova se ishte i paanashëm, pasi moviola shërben për të vënë në dukje gabimet e arbitrave, asnjëherë për t’i vënë nën akuzë e për të ndezur një proces kundër tyre.

Nga regjistrimi te montazhi, sa i vështirë ishte procesi?

Një problem ishte me kameramanët vendës, të cilët ishin nën presionin e tifozërisë dhe detyroheshin ta shmagnin momentin, sidomos kur ishin të favorizuar nga arbitrat. Më të plota ishin filmimet kur ndeshja transmetohej direkt. Por, ishin operatorët e jashtëzakonshëm, si Gajo, Kuke, Çeku, Milo, Kokonozi, Shtino, Omeri, specialistë të nivelit të lartë, që i sillnin thuajse gati episodet për moviolë. Pastaj montazhi, që kërkonte kujdes, teknikë të veçantë profesionale. Dy kanë qenë ata që kanë realizuar montazhin e moviolës në sport: Pandora Bega dhe Andon Beqari, mjeshtër të vërtetë të këtij mekanizmi.

Po në vitin 1997 pse nuk pati moviolë?

Ndeshjet zhvilloheshin në fusha asnjanëse. Situatë tejet e vështirë, me dhunë sistematike, por gjithsesi “Rubrika Sportive” në TVSH vazhdonte të transmetohej, por tashmë pa moviolën. Ishte e pamundur të trajtoje e diskutoje për raste të dyshimta, sepse kishte presidentë agresivë dhe moviolën nuk e merrte përsipër askush. Vijohej me kronikat dhe rastet e diskutueshme që kryesisht realizoheshin bashkë me kronikën nën komentet e Bellovës, Grillos, Shqarrit, Ficos, Radës, Kurtit, Gjergos, Mnerit, etj., në përgjithësi me radiokronistët e “Radio Tiranës”.

Më pas u transferuat në TVA ku startoi emisioni “Avantazh”…

Në shkurtin e vitit 2000 u shkëputa nga TVSH dhe kalova te TVA, ku e nisa në qershor me “Euro 2000”, për të vijuar në shtator emisionin sportiv “Avantazh”, për kampionatin kombëtar që transmetohej të hënën.

Ishte dëshira për një “Biskardi shqiptar” apo jo?

Më nxiste gjithmonë ideja për të realizuar një emision sportiv si ai i Aldo Biskradit, “Il Processo del lunedi”, i cili trasmertohej te “RAI 3” nga viti 1980 çdo të hënë. Biskardi i njohur drejtonte një emision me ritëm dhe më kryesorja për një moviolë shoqëruar me debate dhe polemika të jashtëzakonshme nga të ftuarit. “Avantazh” vazhdoi vetëm 1 vit, për të ardhur e realizuar pasionin tim, “Procesi Sportiv” i të hënës, që startoi në vitin 2002, duke patur në emision si drejtuese edhe një vajzë, duke thyer kështu mitin e burrave. Zgjodha Monika Zguron e saposhpallur “Miss”. Pastaj, moviola me arbitrat në qendër. Krijuam një staf të mirë me Tami Konën, Olsi Ranxhin, të angazhuar dhe pasionantë.

Një “Proces” me moviolë, por pa moviolistë…?!

Jehona e moviolës ishte e madhe, pasi kishte debate dhe interesimi për të vinte në rritje dhe çdo të hënë në mbrëmje, tifozë, futbollistë trajnerë, arbitra, gazetarë, para ekranit prisnin minutat e moviolës dhe interpretimet. Moviolën e “Procesit”, duke imituar Biskardin, ndryshe nga tradita e realizova pa moviolistë. Mjaftonte të shfaqej në ekran rasti që kishim përzgjedhur dhe në studio fillonin diskutimet e zjarrta. Një ndër debatet polemizuese ka qenë ai midis Mihal Delijorgjit, presidenti i Dinamos dhe arbitrit Fatmir Tare, në lidhje direkte, kur Delijorgji i tha që ti nuk je Fatmir Tarja, por “Fatmir Parja”…

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"