Derbi rekord, kur Tirana kishte gjashtë ekipe në një kategori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2022 | 23:49

Derbi rekord, kur Tirana kishte gjashtë ekipe në një kategori

Nga UVIL ZAJMI

Uvil_Zajmi

Cilat janë kryeqytetet, qytetet e disa vendeve europiane që kanë më shumë skuadra në superligat apo ligat e para të tyre në sezonin e saponisur? Befasia vjen nga Stambolli, pastaj Londra, Moska, Sofja, Athina. Po në Shqipëri, cili është kampionati kombëtar kur një qytet ka pasur numrin më të madh të skuadrave në Kategorinë e Parë e ku janë zhvilluar më shumë takime derbi në historinë e tyre?

300809437_590781012587840_822979398126073253_n (1)

KAMPIONATI 1955, NË TIRANËN ME 6 SKUADRA DHE 60 DERBI NË NJË SEZON

Edhe Shqipëria me Tiranën, kryeqytetin e saj, e ka një rekord absolut në një edicion, që është rasti i parë dhe i fundit i regjistruar jo vetëm nën historinë e kampionateve të Kategorisë së Parë, por as edhe në Superiore. Sezoni futbollistik 1955 ka qenë dhe do të mbetet më unikali për disa arsye: së pari, ai është kampionati i parë që zhvillohet me 16 skuadra, një shifër rekord për kohën, që një edicion ka këtë numër kaq të madh me skuadra, si asnjëherë më parë.

Renditja logo

Kampionati 1955, renditja në fund të tij

Një numër i tillë prej 16 skuadrash në kampionatin kombëtar do të regjistrohet pas 35 vitesh, sezoni 1990-1991, kur Kategoria e Parë do të ketë 16 skuadra; së dyti, ai është titulli i pestë kampion i Dinamos në 6 kampionate, nga të cilat, 4 radhazi; së treti, kur në fund kampionati do të ketë dy skuadra të renditura në krye me pikë të barabarta, por as edhe golaverazhi nuk do të përcaktojë fituesin. Edhe ky një rast specifik për mekanizmin që u aplikua për të shpallur fituesin. Dhe së fundi, për numrin e madh të skuadrave të një qyteti, me kryeqytetin e Tiranës protagonist: plot 6!

DINAMO KAMPIONE ME PJESËTIM, GOLAT E SHËNUAR ME ATA TË PËSUAR

Sezoni 1955 do të zhvillohet si zakonisht brenda vitit, pranverë-vjeshtë, me dy faza. E para, 6 mars – 12 qershor, dhe e dyta 14 shtator – 13 nëntor. Ajo që të befason është se kryeqyteti, Tirana, do të përfaqësohet me 6 skuadra. Dy janë të zakonshmet, Dinamo & Partizani – dominuese, fituese absolute në ato vite, atë periudhë. Me to është edhe Puna e Tiranës (SK Tirana) si dhe Spartak po i Tiranës. I bashkohen këtij grupi edhe dy formacione të tjera pak të njohura:

Tekstilisti i Kombinatit të Tekstileve “Stalin” (skuadër modeste e qytezës me të njëjtin emër në Perëndim të Tiranës – 3 km) dhe Luftëtari (skuadër e Shkollës së Bashkuar “Enver Hoxha”). Ndeshjet zhvillohen në “Qemal Stafa”, i vetmi stadium në kryeqytet.

Disa nga përfundimet e takimeve derbi kryeqytetas të atij sezoni: Dinamo-Partizani 2-1; Luftëtari-KT Stalin 3-1 (Plaku, Caushi, Harshova); DinamoPuna 2-1; Partizani-Luftëtari 4-1; PartizaniKT “Stalin” 4-2 (Kraja, L. Boriçi, Deda, Tafmizi (p), Harshova, Merja); Dinamo-Partizani 1-1; Puna-Spartaku 1-0; Puna-Dinamo 0-3 (Sheshi, Begeja, Jareci);

Dinamo-KT “Stalin” 2-0; Partizani-Spartaku 2-0; Partizani-Luftëtari 7-0 (Boriçi 3, Resmja 2, Kraja, Dedja); Dinamo-Luftëtari 0-0; Dinamo-Spartak 2-0; Partizani-Puna T. 3-0 (Resmja 2, Boriçi); Partizani-Puna 3-1; Puna-KT “Stalin” 2-0; PunaLuftëtari 1-1 (Plaku, Baçi); Dinamo-Luftëtari 1-1 (Shehu, Lubonja); Spartaku-KT “Stalin” 2-0 (E. Kraja, Llagami); Spartaku-Luftëtari 2- 1 (Emiri, Kseno, E. Kraja) etj.

Në fund të sezonit, Dinamo dhe Partizani e mbyllin në krye me 55 pikë. Dinamo pa asnjë humbje, 25 fitore dhe 5 barazime, ndërsa Partizani 26 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje. Golavarazhi: Dinamo 74-9 dhe Partizani 96-15. Por sipas rregullores së aktivitetit, golavarazhi nuk merret në konsideratë, por koeficienti i dalë nga pjesëtimi i golave të shënuar me ato të pësuar, që favorizon Dinamon: 8.2, ndërsa Partizani 6.4.

Dinamo

Ndeshje te kohës

Me koeficientin më të lartë, Dinamo shpallet kampione. Renditja e skuadrave kryeqytetase: 1. Dinamo; 2. Partizani; 3. Puna e Tiranës; 8. Luftëtari; 11. Kombinati Tekstile “Stalin”. Tri të fundit, Spartaku i Tiranës, Puna e Elbasanit dhe Puna e Gjirokastrës, që edhe do të largohen nga Kategoria e Parë. Po në ato vite do të regjistrohet edhe një detaj tjetër historik, kur Shkodra përfaqësohet me dy skuadra në këtë kategori: Dinamo dhe Puna. Përballjet në derbin shkodran: Puna-Dinamo 0-3 (Laçja 2, Medja); DinamoPuna 2-0.

Po kështu, edhe Durrësi me dy skuadra: Puna e Dinamo. Rezultatet e derbit durrsak: Puna-Dinamo 0-1; Puna-Dinamo 1- 1 (Deliallisi, Duma). Në atë sezon u zhvilluan në total 240 takime, ndër të cilat, 60 ishin sfidat derbi të Tiranës. Të gjitha të luajtura në “Qemal Stafa”. Kuriozitet është se në edicionin vijues, atë 1956, kampionati do të ndryshojë përbërjen: Skuadrat pjesëmarrëse do të jenë 9, nga të cilat Partizani, Dinamo, Puna janë të Tiranës. Kampione do të shpallet Dinamoja. Ai i sezonit 1957 do të ketë më pak, vetëm 7 skuadra, ku nuk do të mungojnë Partizani, Dinamo dhe Puna dhe kampion do të jetë Partizani. Në sezonin 1958 marrin pjesë 8 skuadrat më të zakonshme, Dinamo, Partizani, por me një ndryshim: Emri “Puna” do të zëvendësohet me emrin “17 Nëntori”.

Ndeshjet luhen në dy stadiume, “Qemal Stafa” dhe “Dinamo”. Numri i skuadrave kryeqytetase do të shtohet përsëri në sezonin 1969-1970, kur do të rikthehet skuadra tekstiliste e Kombinatit, por pa emrin “Stalin”. Vetëm atë kampionat. 1971-1972, në Kategorinë e Parë po me 14 skuadra, do të debutojnë Studenti dhe Shkëndija, dy klube universitare me përbërje lojtarë studentë. Pas edicionit 1955 me Tiranën me 6 skuadra, ai i këtij sezoni me kryeqytetin me 5 skuadra, do të jetë i fundit me një numër kaq të madh në Kategorinë e Parë të një qyteti, asnjëherë më vonë. Edhe Studenti vetëm një vit. Ndryshe Shkëndija që rezistoi, pati më shumë jetëgjatësi deri në sezonin 1979-1980. Gjatë kësaj periudhe, në kampionatet me 14 skuadra, Tirana do të përfaqësohej me 4 klube në përballjet në sfidat derbi.

Po kaq skuadra do të ketë kampionati kombëtar 1985-1986, edhe ky me 14 skuadra, me Shkëndijën e rikthyer në Kategorinë e Parë, por vetëm atë edicion. Treshja Partizani, Dinamo, 17 Nëntori do t’i rezistojë qëndrimit me takime derbi, sfida pa fund, sa emocionuese, të luftuara, të polemizuara dhe në përbërje me lojtarë të shquar, protagonistë edhe në Kombëtare, që deri në edicionin 1999-2000, treshja Partizani, Dinamo (me emrin Olimpik në sezonet 1994- 1996), 17 Nëntori që i rikthehet emrit SK Tirana, do të jetë sistematike në kampionatet kombëtare deri në fund të shekullit të kaluar. Skuadra e parë që do të bjerë në Kategorinë e Dytë nga treshja e famshme do të jetë Partizani në sezonin 1999-1920, që regjistron edhe një moment historik për klubin, kurrë më parë.

Dinamo2

 Dinamo kampione

Derbi kryeqytetas do të shpërbëhet, do të humbasë traditën edhe kur më 2012-2013, një fat të tillë do ta ketë edhe Dinamo, madje një ndër sfidat derbi midis tyre do të luhet në Yrshek, në periferi të Tiranës. Pas shumë sezonesh, pikërisht në edicionin 2016-2017, inferioren do ta provojë për herë të parë edhe SK Tirana. Ribashkimi do të realizohet në edicionin 2021-2022, por Dinamo nuk mund të rezistojë, duke u rikthyer përsëri në nivelin inferior, për ta lënë kryeqytetin me dy skuadra.

POR, CILAT JANË PËRBËRJET E 6 SKUADRAVE KRYEQYTETASE NË ATË EDICION?

Puna e Tiranës: Bonati, Vaso, Bulku, Xh. Merja, Baçi, Caslli, Kurani, Selimi, Duro, Kubati, R. Bogdani, Gjini, Reçi, Këllezi, Biçaku, Mirashi.

KT “Stalin”: Metani, G. Beliu, Dajçi, Kashari, Struga, Tole, Gjinija, A. Papadhopulli, Koçi, Tafmizi, Konomi, Harshova, Petrela, Verria, Caka, Shalësi, Bekteshi.

Dinamo: Q. Vogli, L. Dashi, Sh. Rreli, B. Boriçi, M. Vila, Xh. Shaqiri, S. Jareci, S. Lubonja, H. Bakalli, S. Begeja, E. Beliu, Q. Alluni, G. Sheshi, H. Verria, Dh. Gjyli, Z. Gjinali.

Spartaku: Vathi, Sh. Plangarica, F. Radheshi, I. Toto, Reka, E Kraja, I. Llanga, S. Ohri, H. Bogdani, Dumi, I. Borova, H. Vorpsi, S. Guzja, Sh. Sallaku, B. Toska.

Luftëtari SHB “Enver Hoxha”: Teli, Kazazi, Deli, M. Papadhopulli, Luçi, Behushi, Plaku, Kseno, Bilibashi, Caushi, Hamzaj, Xhelili, Dimroçi.

Partizani: Maliqati, Deliallisi, Arbana, F. Vogli, Dervishi, Parapani, Haxhiu, Kraja, G. Merja, L. Boriçi, Resmja, Deda.

Ndeshjet derbi kishin shumë interes, të cilat i kanë ndjekur deri rreth 25 mijë spektatorë në “Qemal Stafa”, e që janë drejtuar nga arbitra të elitës për kohën: E. Dauti, Sh. Elezi, H. Laçej, Z. Lisi, N. Shuaipi, V. Armiri, E. Hoxha, L. Haxhiraj, B. Hamdiu, I. Cani, A. Zaharia, S. Kotherja, E. Këlliçi, A. Canga, H. Lika, M. Laska, J. Godari, N. Gjini, R. Pregja etj.

PREMIER LEAGUE: LONDRA, ATY KU DERBI LUHET NË VERI-JUG, LINDJE-PERËNDIM

Nëse Anglia është cilësuar atdheu i futbollit, Londra e 9 milionë banorëve është konsideruar kryeqyteti i futbollit botëror. Janë 14 klube profesioniste londineze, një rekord absolut i nivelit botëror, nga të cilat 7 luajnë në Premier League në këtë sezon: Çelsi, Totenhem, Arsenal, Fulham, Uest Ham, Christal Palace, Brentford, ndërsa një sezon më parë, 2021-2022, ishin 6. Vetëm në këtë sezon, nga 380 takime për t’u zhvilluar, 84 do të jenë sfidat e derbit londinez.

Arsenal është klubi kryeqytetas që ka më shumë kohë që luan në Premier League, nga edicioni 1919. Mancester U. është fitues me 20 tituj, nga të cilët, 13 të fituara pas vitit 1993. Liverpul e ndjek me 19 dhe Arsenali, në vendin e tretë, me 13 tituj kampionë. Rekordi absolut i Premier League, me Londrën me më shumë skuadra i takon sezonit 1989-1090, me 8 klube: Palace, Arsenal. Spurs, QPR, Çarlton, Milluoll, Çelsi, Uimbëlldon.

Në Londër, si në asnjë qytet tjetër, sfidat derbi janë të ndara në katër zona: North London derby; North West London derby; East London derby; West London derby. Derbi i Londrës së Veriut, mes Arsenalit dhe Totenhemit, është gjithmonë mbresëlënës dhe për dekada ishte derbi më popullor, por kohët e fundit, duket se ka humbur rëndësinë e tij gjithmonë për shkak të ngjitjes së fuqishme në krye të Çelsit dhe, në të njëjtën kohë, të rënies së Spursave.

Për vite me radhë, të dyja ishin skuadrat më të suksesshme në Londër, përpara se të zëvendësoheshin nga fuqia dërrmuese ekonomike e “Bluve”. Dhe si rrjedhojë, derbi mes Çelsit dhe Fulham (klubi më i vjetër në atë zonë të Londrës), gjithashtu e ka humbur pak sharmin, duke pasur parasysh hendekun e qartë mes dy klubeve. Por edhe ai me Queens Park Rangers (derbi i West London), me ndeshje historikisht të barabarta përpara se Çelsi të bëhej protagonist i madh në futbollin botëror. Ndeshja e parë zyrtare midis Arsenalit dhe Totenhemit daton në 4 dhjetor 1909, si pjesë e Kategorisë së Parë të ligës angleze dhe përfundoi 1-0 në favor të topçinjve.

Fitorja më e madhe e Arsenalit është ajo 6-0 më 6 mars 1935, ndërsa e Totenhemit është 5-0 më 4 prill 1983. Ndeshja me më shumë gola mes dy skuadrave u luajt më 13 nëntor 2004 dhe përfundoi me rezultatin 5-4 në favor të Arsenalit. Një tjetër sfidë derbi është ajo midis Çelsit dhe Arsenalit, si dy skuadrat më të suksesshme dhe nga më të ndjekurat jo vetëm në Londër, por edhe në skenën e futbollit botëror.

Ky rivalitet u rindez në mesin e viteve nëntëdhjetë, pas rikthimit në krye të Çelsit dhe ndeshjeve të shumta të luajtura mes dy skuadrave në Premier League dhe Champions League. Takimi i parë zyrtar midis Arsenalit dhe Çelsit u luajt më 9 nëntor 1907, në Kategorinë e Parë të ligës angleze dhe përfundoi 2-1 në favor të “Bluve”. Fitorja më e thellë e Arsenalit ishte 5-1 më 29 nëntor 1930, ndërsa e Çelsit ishte 6-0 më 22 mars 2014. Ndeshja me më shumë gola mes dy skuadrave u luajt më 8 mars 1958 dhe përfundoi me rezultatin 5-4 në favor të Arsenalit.

Derbi më pak tërheqës është ai mes skuadrave të Londrës së Jugut: Millëall, Charlton dhe Crystal Palace. Të tria skuadrat krenohen me tifozë shumë aktivë. Edhe pse janë skuadra që luajnë në kategori inferiore, magjia dhe spektakli në fushë dhe në tribuna janë gjithmonë zili për shumë nga takimet derbi në futbollin europian. Me karakteristikat tipike të të gjitha stadiumeve angleze – moderne, pa pengesa, me dyqane, restorante të brendshme, muze etj. – Londra jeton me futbollin dhe pasioni, historia dhe stadiumet gjithmonë plot, janë konfirmimi i kësaj. Federata e parë kombëtare, liga e parë dhe ndeshja e parë (1871) ka lindur në Londër.

“Wembley” (sot Stadiumi “Emirates”, i inauguruar më 2006) është një destinacion i vërtetë pelegrinazhi për çdo sportdashës, bashkë me “Stamford Bridge”, “White Hart Lane” ku luajnë Çelsi, Manchester City dhe Totenhem. Dhe për të kuptuar se sa të rëndësishme janë skuadrat e futbollit të Londrës nën hijen e Big Benit, mjafton të kujtojmë se Federata Angleze e Futbollit (FA) ka krijuar një hartë të metrosë së Londrës për 150- vjetorin e saj, ku në vend të emrave të 367 stacioneve të saj, u vendosën emrat e lojtarëve dhe trajnerëve më të rëndësishëm në historinë e futbollit. Ky është një detaj më shumë që skuadrat e bëjnë Londrën kryeqytetin e futbollit botëror.

STAMBOLLI ME TETË SKUADRA, 112 DERBI NË NJË SEZON

Por, nisur nga numri i skuadrave të një qyteti në edicionin aktual 2022-2023, nuk është Londra, por Stambolli që shënon rekordin absolut lidhur me klubet, takimet derbi të një qyteti, kur në Superligën turke me 20 skuadra, 8 janë klube stambollase dhe të rrethinave të tij:

Fenerbahçe, Besiktas, Galatasary, Istanbulspor, Umraniyespor, Kaspimpasa, Istanbul Basaksehir, Karagumuruk. Të gjitha me stadiumet e tyre. Në harkun e edicionit 2022-2023, nga 380 takime në total, vetëm në Stamboll, ku banojnë 16 milion njerëz, do të zhvillohen 112 përballje derbi, gati 1/3 e takimeve. Skuadra kampione në fuqi është Trabzonspor, ndërsa skuadra plurifituese është Gallatasaraj, me 21 tituj kampionë.

kampionati

Ndeshje te kohës

SOFJA SURPRIZË, 6 KLUBE NGA KRYEQYTETI

Ndonëse me një kampionat jo shumë të njohur, por modest, jo të bujshëm, as në sferën europiane me klube, surpriza vjen edhe nga Bullgaria, ku Prima Lega, në të cilën konkurrojnë 16 skuadra, regjistron një shifër të lartë të një qyteti me më shumë skuadra. Sofja, kryeqyteti me rreth 1 milion banorë, përfaqësohet me 6 klube: CSKA, Levski, Sllavia, CSKA 1948, Lokomotiv, Septembri. Levski është klubi i vetëm që nuk ka rënë asnjëherë në kategoritë inferiore. Ndërsa CSKA dhe Levski janë skuadrat me më shumë tituj të fituar.

MOSKA DHE ATHINA, ME 5 SKUADRA

Por befasitë në këtë sezon vijnë nga tri shtete; Rusia, kampionati vendës, Prem’er Liga, me 16 skuadra, me kryeqytetin Moska, me 13 milion banorë, ku luajnë 5 klube: Lokomotiv, Spartak, Dinamo, CSKA, Torpedo. Nga 1992, vit i krijimit të Prem’er, Spartak është fitues me 10 tituj. Për të vijuar me Greqinë, Superliga me 14 skuadra, me Athinën, kryeqytetin ku jetojnë 3 milionë banorë, përfaqësohet nga 5 klube: AEK, Panathinaikos, Olimpiakos, Atromitos, Ionikos.

NGA MADRIDI NË ROTERDAM E LISBONË

Spanja, që në këtë edicion në La Liga me 20 skuadra, ku tri janë klubet nga Madridi, një qytet me 6 milionë banorë: Real M. (32 tituj kampionë), Atletiko M. (10 tituj kampionë), Roy, ashtu si një edicion më parë. Me tri skuadra të një qyteti është Eredivise me 18 skuadra.

Numrin më të madh e ka Roterdami me 3 klube: Sparta, Fejnord, Exselsior, si në edicionin e kaluar. Ajaks është skuadra me 36 tituj kampionë. Në Liga Portugal me 18 skuadra, Benfica (37 tituj kampionë), Sporting dhe Casa Pia, janë tri skuadra të kryeqytetit Lisbonë, ashtu si në sezonin 2021-2022.

Me dy: nga Mançester, në Liverpul, Berlin e Barcelonë

Anglia: Qyteti Mançester, me M. Citty dhe M. United, po kaq edhe Liverpuli: Everton dhe Liverpul.

Spanja: Barcelona me 2 klube: Barcelona (24 tituj), Espaniol; Sevilja: Sevilja, Real Betis.

Në Portugali, Porto (29 tituj) ka vetëm dy klube: Boavista dhe Porto.

Gjermani, në Bundesligën me 18 skuadra, vetëm Berlini prezantohet me dy skuadra: Berlin Union dhe Hertha.

Rumania, Liga 1, me 16 skuadra: Bukureshti, me Rapid dhe Steaua si dhe Krajova me Universitatea dhe FCU Crajova.

Belgjikë, në Pro League me 18 skuadra, Brukseli përfaqësohet me dy skuadra: Anderleht dhe Union SG. Po kaq edhe Bruzh: Club Bruzh dhe Cercle Bruzh.

Itali, Seria A, Roma me Lacio dhe Roma; Milano: Inter, Milan; Torino: Juventus, FC Torino.

Serbia, Beogradi: Crvena Zvezda dhe Partizan.

Kosovë, nuk është kryeqyteti Prishtinë, por Gjilani me dy skuadra: Gjilani dhe Drita.

Greqi, Selaniku me Paok dhe Aris.

Kroaci është Zagrebi, ku luajnë Dinamo dhe Lokomotiva.

Slloveni është Lubjana me: Olimpia e Bravo. Dhe Shqipëria, me Superioren e saj me 10 skuadra, ka Tiranën, kryeqytetin me dy klube: SK Tirana, Partizani.

Ashtu si Austria, me Vjenën, me dy klube: Rapid dhe Austria. Mungojnë Mynihu dhe Parisi, qe kanë vetëm nga një klub përfaqësues: Bayern dhe PSG.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"