29 shtator, kur Tirana kualifikohej për herë të parë në Kupën e Kampioneve (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2023 | 20:36

29 shtator, kur Tirana kualifikohej për herë të parë në Kupën e Kampioneve (E PLOTË)

Nga UVIL ZAJMICollage Maker-29-Sep-2023-08-34-AM-769

17 NËNTORI – LINDFILLD, KUALIFIKIMI I PARË HISTORIK

Edicioni 1982-1983 i Kupës së Kampioneve, Shqipëria do të përfaqësohet me 17 Nëntorin. Pas rezultatit minimal 1-0 në kryeqytet, askush nuk do ta besonte se suksesi i jashtëzakonshëm do të regjistrohej pas dy javësh në Belfastin e largët, kur pas shifrave finale 2- 1, me një gol në fushën kundërshtare, 17 Nëntori do të ishte në turin tjetër të këtij trofeu. Nga ai edicion kanë kaluar katër dekada, kualifikime të tjera do të regjistrohen nga klubet shqiptare në trofetë europianë, me 17 Nëntorin në linjën e parë.

Por, ai i atij fundshtatori 1982, është unik si kualifikimi i parë historik i një skuadre të futbollit shqiptar në Kupën e Kampioneve. Nga përballja qemalstafase, te minutat e tmerrit që nuk kanë fund në “Windson Park”, Kola, Minga autorët golave, te mbërritja, interesimi i gazetarëve për grupin e Xhevdet Mustafës, fletushkat e hedhura, dhe bekimi i çiftit që po martohej.

Si e kujtojnë sot, kapiteni Millan Baçi, Agustin Kola dhe Arben Vila aventurën irlandeze? Pa menduar se nga ëndrra tiranase në parajsën e Belfastit, i priste ferri, ai i shortit në raundin e dytë. Sikurse u informuan, përballë do të kishin një skuadër me të cilën nuk do të luhej kurrë, pasi ishte e ndaluar.

17 NËNTORI – LINDFILLD, PRAGSFIDA

Sezoni 1981-1982, do të jetë i pari ndër katër titujt kampionë që 17 Nëntori do të marrë në atë dhjetëvjeçar. Një sezon triumfues në kampionat, pas një viti Kupa, finalist në Kupën Ballkanike bashkë me kualifikimin në turin e parë në Kupën e Kampioneve. Trajneri Enver Shehu dhe ndihmësi Ali Mema kanë krijuar një grup premtues me futbollistë të talentuar, me ego, ndër të cilët, ata me eksperiencë dhe të rinj që premtojnë. Sharra, Roga, Baçi, Vladi, Bimo, Omuri, Naçi, Mema, Gëzdari, Josa, Vila, Minga, Muca, Kola, Armadhi.

Në Kupën Ballkanike, të atij edicioni, është në një grup me Larisën e Greqisë, 1-3 (Muça) dhe 3-0 (Kola, Kola, Kola), në Tiranë, ndërsa takimet me Slobodën e Tuzlës, jepen aforfe 3-0 për tërheqje të kundërshtarit. Një finale e dyfishtë, 17 Nëntori-Beroe e Stara Zagorës 0-3 / 3-1, kupën do ta marrin bullgarët. Ndërkohë me Kolën, Mingën dhe Muçën, skuadra do të ketë treshen ndër më spektakolaret e historisë së klubit e futbollit shqiptar.

Disa titullarë janë protagonistë edhe në Kombëtare. Kampionati 1983 – 1984 do të nisë në muajin gusht dhe 17 Nëntori do të luajë me Besën, derbin me Dinamon, Traktorin, Luftëtarin, Lokomotivën. Me Linfilldin është përplasja e parë, ndonëse me futbollin irlandezo-verior ishim ndeshur më 1965, Shqipëri-Irlanda Veriut e Xhorxh Bestit të madh: humbje 4-1 në Belfast dhe barazim 1- 1 në Tiranë, duke i eliminuar për Botërorin 1966.

Linfilldi, i themeluar më 1880, në atë edicion fitoi titullin për të 34-ën herë, duke qenë edhe 12 herë fituese e Kupës. Një kundërshtar modest, ndonëse klub i një futbolli me traditë si ai britanik dhe me shifra tronditëse, fituese, thuajse e të gjithë trofeve të zhvilluar në atë vend. Sot Linfilldi regjistron 56 tituj kampionë, një rekord absolut. Midis tyre 11-të radhazi nga viti 1978 deri më 1989, pikërisht në kohën, periudhën që do të ndeshet me 17 Nëntorin. Kupa e Kampioneve 1982 – 1983, turi I, e mërkurë 15 shtator, në “Qemal Stafa”, ora 15:00.

17 NËNTORI-LINDFILLD 1-0 (0-0)

GOLI: A. Kola 74’

17 NËNTORI: Sharra, Baçi, Vladi, Bimo, Naçi (Armadhi), Muça, Mema, Omuri, Minga, Josa (Vila), Kola, Kola. Trajner: E. Shehu

LINFILLD: Daunlop, Hejes, Xhefrej, Ualsh, Kc Carnei, Dornën, (McCi)Gibson, Dohert, Mak Keoun, Murrej, Anderson (Krauford). Trajner: R. Coyle

GJYQTARË: E. Jangudaqis, J. Vulgaris, V. Ajratilis (Greqi).

VËZHGUES UEFA: Fejerbarri (Hol)

SPEKTATORË 7.000

NDESHJA: Ajo u zhvillua me dy pamje. E para, nis me një Linfilld, i cili ka zgjedhur mbrojtjen duke rreshtuar 9 futbollistë në gjysmëfushë. E kontrolluar mjaft mirë në zonat para portës, ato në kufijtë e 16 metrave, duke mbyllur çdo hapësirë që e vështirëson lojën e vendësve që janë pak konfuzë. Sidoqoftë, pas një kombinimi Omuri–Mema–Muça, regjistron një moment që jep shpresë.

Në atë fraksion loje, nuk do të mungojnë rastet si ai i Josës, Mingës, Kolës, por asgjë konkrete. Ndryshe pjesa e dytë. Fillon me një 17 Nëntor që do të ndërrojë taktikë. Ato 45 minuta do të jenë një duel i gjatë taktik i mbrojtjes kundërshtare me sulmin e vendësve. 17 Nëntori është më i qartë në manovrime, loja e tij ka më shumë ritëm dhe Kola ka goditur shtyllën. Vendimtar do të jetë aktivizimi i Vilës në fillim të kësaj pjese, shpejtësia, loja dinamike e tij, që bashkë me të palodhurit mbrojtësit Baçi e Omuri nga krahët krijojnë të çara te Linfilldi.

Mema është rikthyer në lojën e tij në organizimin e manovrave në mesfushë, në mbështetje të Mingës, Muçës, që do të humbasë një rast ideal, kur edhe pasi ka shmangur portierin nuk ka goditur saktë. Goli: Minuta e 74-t, Kola nga afër shënon nga porta jugore. Një 90-minutësh me një 17 Nëntor që gaboi duke humbur disa raste, e realizuar vetëm një gol, i paktë për ndeshjen e dytë.

NDESHJA E KTHIMIT

E mërkurë, 29 shtator 1982, ora 18:30, stadiumi “Windson Park”

LINDFILLD – 17 NËNTORI 2-1 (0-1)

GOLAT: Anderson 79’, Gibson 83’/ Minga 28’

LINDFILLD: Dunlop, G. Mc Cartney, Mc Kee Mooney Walsh, Dorman, Gibson, Mc Keowen, Murray, Anderson, Mc Gaughey. Trajner: R. Coyle

17 NËNTORI: Sharra, Baçi, Vladi, Bimo, Naçi, Omuri, Mema, Muça (67’ Gëzdari), Minga, Vila, Kola. Trajner: E. Shehu

KARTONË TË VERDHË: Arjan Bimo 13’, Sulejman Mema 28’, portieri Bujar Sharra 61’

GJYQTAR: R. Schoeters (Belgjikë)

SPEKTATORË: 5.000

Ndeshja, nis me një gol të realizuar nga Arben Minga, pasi një pasim paralel i Kolës ka shtangur vendësit duke i zbehur shpresat për kualifikim. 17 Nëntori luan mirë, administron lojën. Kola zhvillon një ndeshje të shkëlqyer duke goditur shtyllën. Shifrat normalisht duhet të ishin 3-0, nisur nga rastet e krijuara e të humbura. Deri në të 79-ën, kur sulmuesi shtatlartë Anderson ka barazuar me kokë, që shoqërohet shpejt me të dytin gol, i cili do të ndryshojnë raportet.

Linfilldasit shfaqen agresivë dhe deri në fund të takimit, kohës shtesë, janë minuta tmerri për tiranasit nga presioni i madh, mbështetur nga tifozëria që papritmas i rikthehen shpresat e humbura, që mund të kishin sjellë fitoren e thellë të takimit. Por vërshëllima finale ka mbyllur çdo diskutim, shpresë dhe 17 Nëntori është në turin tjetër. Një sukses plotësisht i merituar.bn

PAS BELFASTIT FESTIV, NË FERRIN E GOGLAVE NIONIANE

Një kualifikim i madh, i bujshëm, i klubit bardheblu me Tiranën, stadiumin e saj në start, por i marrë në Belfastin e largët dhe i mbyllur pa kaluar as 48 orë në një hotel të Vjenës. Të enjten herët në mëngjes, skuadra ka lënë Belfastin. Në Londër dhe me avionin e linjës drejt kryeqytetit austriak, pastaj akomodimi në një hotel ku do të qëndrojë dy ditë për mungesë të linjave për Tiranën.

Vazhdon entuziazmi në grupin e lojtarëve, që e shfaqnin ndërsa shëtisnin në qytetin e artit, kulturës, duke pritur me padurim mesditën e së premtes. Ora 13:00, kur zunë vend para ekraneve, në holl, me grupe apo në dhoma. Të gjithë në ndjekje të informacioneve nga Nioni, shortit të turit të dytë të Kupës së Kampioneve. Ka mjaftuar një çast, kur pas goglës me emrin 17 Nëntori, në pritje të tjetrës, ka rënë një heshtje. Të gjithë me sytë dhe veshët në ekran, kur papritmas nga gogla e dytë ka dalë emri Dinamo e Kievit. Kanë shtangur, kanë parë njëri – tjetrin në sy.

Nuk ka fjalë, as komente. E pabesueshme, “është gabim, nuk ka mundësi”, ka bërtitur, reaguar njëri nga drejtuesit. Por aty e kanë kuptuar menjëherë, se ai mision sportiv, shpresat për një hap tjetër të mundshëm kanë përfunduar. Aty është prerë, është mbyllur vazhdimi i atij turneu të mrekullueshëm europian.

Shorti në raundin e dytë është i pamëshirshëm me shqiptarët. Edhe vetë sferat nuk e dinin dëmin që i kishin sjellë klubit shqiptar. Kur u hapën, përballja do të ishte fatale: 17 Nëntori – Dinamo e Kievit, skuadër e Bashkimit Sovjetik, me të cilin ishte e pamundur të luhej për arsye të marrëdhënieve politike të ndërprera 20 vite më parë. Ajo ndeshje nuk do të zhvillohej asnjëherë.

PANORAMASPORT.AL

Kualifikimi i parë i Tiranës në Kupën e Kampioneve, Millan Baçi: Një dhëndër e parandjeu, i shkuam në dasëm pas suksesit në Belfast

EKSKLUZIVE/ “Krenar që kam arritur 4 kualifikime”, Agustin Kola: Më donin në Belfast, por do të internohej gjithë fisi…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"