Kualifikimi i parë i Tiranës në Kupën e Kampioneve, Millan Baçi: Një dhëndër e parandjeu, i shkuam në dasëm pas suksesit në Belfast

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2023 | 21:38

Kualifikimi i parë i Tiranës në Kupën e Kampioneve, Millan Baçi: Një dhëndër e parandjeu, i shkuam në dasëm pas suksesit në Belfast

Millan Baçi ka nostalgji për atë kualifikim historik. Ishte kapiten i një 17 Nëntori madhështor dhe nuk ngurron të tregojë për “Panorama Sport” disa nga të pathënat e asaj arritjeje të madhe për kohën.

Millan Baci

“Siç ndodhte rëndom asokohe, skuadrat shqiptare luanin pa pasur asnjë të dhënë, informacion minimal për kundërshtarin. Aq më shumë për ata nga ishulli i largët”, kujton ish-kapiteni.

Z. Baçi, çfarë kujtoni nga ato dy përballje?

Së pari, shortin që pritej me kuriozitetin për të njohur kundërshtarin, gjithmonë me pikëpyetjen klub perëndimor apo lindor. Dëshira ishte për të parën, sigurisht. Me goglat, në të korrikut patëm fat, ndryshe me të dytat. Për Linfilldin pak informacion kishim, vetëm klub, futboll i stilit anglez, jo ndonjë emër i madh dhe kjo na qetësonte disi.

Me pak takime ndërkombëtare, mungonte eksperienca. 17 Nëntori ishte skuadër e sapokrijuar me një grup me lojtarë të rinj, të talentuar dhe që premtonin. Sidoqoftë, me pak takime ndërkombëtare dhe mungonte përvoja. Për të gjithë ishte hera e parë që luanin për Kupën e Kampioneve. Unë kisha qenë me Partizanin në Gllazgou kundër Sëlltikut në shtator të 1979-ës.

Para nisjes për në stadium, dikush ju “bekoi” apo jo?

Po…(qesh). Ka qenë rastësi. Para se të niseshim për ndeshje, në mjedisin e hotelit po vinin çifte dasmorësh. Të gjithë të veshur si ata që do të martoheshin. U krijua një atmosferë e bukur, pak muzikë, dhe kur na panë u interesuan.

Pasi u informuan se ishim skuadër futbolli dhe rëndësinë që kishte ndeshja, u afrua një person e na tha: “Ju do të kualifikoheni, se po ju bekoj unë. Pas takimit ju pres në dasmën time. Ishte dhëndëri. Dhe vërtetë, pas ndeshjes, na priti. Jemi kthyer dhe kemi qëndruar në dasmë deri vonë. Në stadium na dhanë nga një arkë me birrë të zezë për çdo lojtar të cilin e çuam aty.

Minutat e fundit, sa të vështira ishin? Dhe a mund të na thoni se çfarë kontributi dha Ali Mema nga stoli?

Një mendim për mënyrën se si mund të luanin ata e kishim krijuar. Ndonëse në Tiranë nuk u shfaqën, të paktën në sulm. Menduam se presioni i tyre do të ishte i menjëhershëm, por jo. I goditi edhe goli i Mingës. Kishin një sulmues të kombëtares, Andersen.

Ishte i fortë dhe i rrezikshëm. Ai shënoi golin e barazimit. Për fatin tonë, arbitri ishte belg, jo nga vendet e Europës Veriore dhe e mbajti mirë takimin. Pas golit të dytë, shpresat për kualifikim për ta u rrit shumë. Nuk i harroj ato minuta, që mund të ndryshonin gjithë fatin e takimit.

Të gjithë u kthyem në mbrojtje, mendoni çfarë presioni. Kujtoj Ali Memën, zv/trajnerin e jashtëzakonshëm, si para, gjatë, dhe në ato minuta vendimtare, ndonëse nga stoli e përcillte te lojtarët atë çfarë na duhej në ato çaste.

Baci Millan

Ka një kuriozitet në lidhje me UEFA-n, mund të na e tregoni?

Sipas rregullores së UEFA-s kur një klub tërhiqej nga gara ai ndëshkohej më pas dhe nuk merrte pjesë. Ajo që na befasoi ishte se pas refuzimit me Dinamon e Kievit, luajtëm në sezonin 1983 – 1984 ndaj Hamarby-it, humbëm 0-4 atje dhe fituam 2-1 në Tiranë. Menduam se ishim falur, por jo. Dënimi erdhi dy vjet më vonë. Më 1986 – 1987 në Kupën e Kupave me Dinamon e Bukureshtit, një rikthim me kualifikim. Nga ai i Linfilldit me të cilin u ndamë me Europën, për t’u rikthyer në atë të Bukureshtit, një rikthim triumfues kontinental.

Ishit kapiten i një 17 Nëntori legjendar të viteve ‘80–‘90…

E kam pasur këtë fat. Kënaqësi e vlerësim. I tillë edhe për skuadrën e parë shqiptare të kualifikuar në turin e dytë të Kupës së Kampioneve.

Nga UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL

EKSKLUZIVE/ “Krenar që kam arritur 4 kualifikime”, Agustin Kola: Më donin në Belfast, por do të internohej gjithë fisi…

Speciale nga Uvil Zajmi/ 29 shtator, kur Tirana kualifikohej për herë të parë në Kupën e Kampioneve (E PLOTË)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"