E vërteta mbi Kroacinë – Nënkampione e Botës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2018 | 21:52

E vërteta mbi Kroacinë – Nënkampione e Botës

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

1. Kam përshtypjen se mendimin futbollistik shqiptar, natyrisht nëse ky do të ekzistonte për së mbari, “RUSSIA 2018” do të duhej të shtyhej për t’i hyrë disi më thellë suksesit të madh të Kombëtares së Kroacisë. Qoftë dhe për të kuptuar vetë rrugëtimin gjeopolitik a historik të futbollit në këto anë. Të entuziazmuar, mbi të gjitha për vlerat e mëdha dhe suksesin e spikatun të Kroacisë, tash Nënkampione e Botës, komentet e “shfrenuara” (jo në kuptimin e keq të fjalës) shqiptare nuk pushuan, duke e paraqitur këtë si një befasi krejt të jashtëzakonshme dhe sidomos meritë e një fqinji “ballkanik”, madje një fqinji të vogël (me 4.2 milionë banorë), prej të cilit ia vlen të marrësh shembull.

Dhe duke rrëshqitur deri te mendimi absurd, saqë aty këtu ky sukses të quhej gati “i përbashkët” i një arritjeje deri dhe ilirike!… E pra, historia na thotë se kroatët nuk kanë të bëjnë me Ilirinë. Janë një popull sllav. Kanë ardhur në këto anë prej Transkarpateve andej kah viti 600 – 630, pra të shekullit VII, si tribu të fundit sllave, duke u shtrirë me emrin “kroatë”, në Dalmaci, e gati deri në Cetinë, e duke përzanë prej këtu avarët, të cilët për një kohë të shkurtër kishin sunduar këte territor. Ku siç thotë historiani i shquar, prof. Joze Pirjevic, gjejnë popullsinë me origjinë ilirokeltike të romanizuar prej shekujsh, me të cilën, madje jo pak janë në “armiqësi”. Ngaqë vendësit autoktonë kërkonin të ruanin pavarësinë dhe krenarinë e tyre të një lloji tjetër. Ka shkruar studiuesi ynë i shquar, sllavist i pazëvëndsueshëm, i paharrueshmi avokat Veis Sejko, në veprën e tij unikale “Mbi elementët e përbashkëta në epikën shqiptaro – arbëreshe dhe serbokroate”: “Ata (kroatët) erdhën për të jetuar nën Bizantin, por i zuri hera të pushtohen nga fqinjët e tyre veriorë që ishin frankët katolikë, popull i fortë dhe i egër…”.

kroacia

Mbas luftrave të përgjakshme, kroatët dolën si të thuash, fitimtarë, teksa përftuan kristianizimin e tyre, proces që përfundon andej kah gjysma e shekullit IX – çka “i ndan” disi nga sllavët e tjerë, që ishin serbët ortodoksë, me të cilët kanë pak a shumë një gjuhë. Duke mbërritur mandej në shekullin XIX dhe XX, deri në gjuhën e përbashkët që njihet si serbokroatisht, siç vazhdon Pirjevic, për t’ia lënë fjalën avokat Sejkos sonë, i cili thekson se nga vetëm më 1918-ta, si të thuash, ata do të shpëtonin prej mbretërve të Hungarisë, më mbas të Austro-Hungarisë. Mjaftojnë këto pak rradhë që na i sqarojnë historianët e ditur, për të mos u entuziazmuar atdhetarët shqiptarë të orëve të fundit, të cilët nxituan ta paraqesnin suksesin e madh të Kroacisë, gatigati si të “Ilirisë sonë”!

E gati-gati, sa nuk u tha se trajneri Zlatko Dalic ishte formim i Dinamos shqiptare! Në të vërtetë, një fakt tërheqës, por thjesht vetëm një e dhënë “e vogël” anagrafike. Kështu, duke iu kthyer futbollit, teksa shkon pra, te sundimi austro-hungarez, do të gjesh patjetër ndikimin e fuqishëm të Zagrebit prej Vjenës, për të mbërritur deri në Nënkampion i Botës në vitin 2018, teksa futbolli i shekullit XXI është bërë sa “sport”, po aq dhe politikë, gjeopolitikë, shitmendje, shfrytëzim shtetarësh e qeveritarësh, madje deri edhe të atyre shteteve të vogla si Shqipëria, të mveshura me përqafime të ndërsjella, urime e buzagaze, që veç sinqeritet e arsye intelektuale nuk shprehin.

vllaznia hajduk split

2. A është pra, një befasi e madhe Kroacia 2018? Them se jo, me gjithë “zhdukjen” nga skena e Rusisë të një Gjermanie, Spanje, Brazili, Argjentine apo dhe të një Kampioneje të Europës në fuqi si Portugalia e Cristiano Ronaldos. Kjo, jo vetëm për faktin se në 15 korrikun 2018 të Luzhnikit të Moskës në 11-shin kroat kishte plot 10 lojtarë (Subasic, Vrsaljko, Strinic, Perisic, Lovren, Rakitic, Modric, Brozovic, Manzukic, Rebic) të kampionateve më të fortë e më të hijshëm të botës, siç janë ata të Spanjës, Anglisë, Gjermanisë, Francës e Italisë. Kjo po e po. Por mbi të gjitha për faktin, dukurinë apo historinë që na tregon se futbolli i Kroacisë mbas Luftës së Madhe (1914-1918) është forcuar, është zhvilluar, ka kontribuar nën futbollin e mbretërisë SerboKroato-Sllovene në fillim dhe atë të dy Jugosllavive, asaj mbretërore dhe asaj komuniste më mbas. Pa harruar dhe një intermexo të Kroacisë së “pavarur” gjatë Luftës së Dytë (1941-’44). Kur dihet se si Kroaci (kombëtare) për herë të parë në fushën e lojës doli më 17 gusht 1941 me një 4-0 spektakolar kundër Zvicrës.

Ndërkaq, e kujtoni fort mirë se çka ka qenë Jugosllavia në futboll, me shkollën e saj tejet origjinale, deri aty saqë kritikët më të zëshëm të futbollit në Europën Perëndimore e patën emërtuar si “Brazilin e Europës”. Në këta “brazilianë të Europës”, Kroacia përherë ka luajtur role kryesore, për të mos thënë role vendimtare. Madje, në një farë mënyre, duhet thënë se Jugosllavia Kombëtare e futbollit gati-gati është një vepër kroate. Kështu, kur kujton se ajo është pjesëmarrëse e Lojërave Olimpike të Anversës më 1920 dhe këtu rasti është krejt i bujshëm. Skuadra jugosllave thuaje është një përfaqësuese e Kroacisë: Virduka, Zupancic, Sifer, Cinric, Rupec, Vragovic, Dubravcic, Perska, Granec…

Të gjithë kroatë me në krye trajnerin Veljko Ugruinic, po kroat. Sukseset e futbollit të Jugosllavisë ndërkaq, dihen. Më 1930, me pjesëmarrjen e saj ajo vetvetiu është një nga mbështetëset themeluese të Kampionatit të parë Botëror të Futbollit, ku madje u rendit e 4-ta! Ndërkaq, Jugosllavia e Mbasluftës është mëse shpërthyese. Nënkampione Olimpike tri herë rresht: 1948, 1952, 1956. Duke kulmuar me herën e katërt rresht, që është titulli i Kampiones Olimpike më 1960 brenda në Romë të Italisë! Dhe gjithnjë me role të dorës së parë futbollistët e Kroacisë. Pa harruar se turnetë olimpikë të futbollit të asokohe nuk ishin sa me kalue rradhën, sepse aty vinin futbollistë të klasit botëror. Mjafton të kujtojmë se në Olimpiadën e Romës, Jugosllavia tri herë rresht Nënkampione olimpike, do të kishte përballë emra të tillë si Nordhal, Gren, Liedholm, Pushkash, Koçish, Hidegut, Nielsen, Sorensen, Jashin, Netto, Simonian, Salnikov, Burnic, Trapatoni, Bulgareli, Rivera…

Çfarë Jugosllavie ishte kjo e brenda 12 vjetëve, nga 1948 e deri më 1960 – tri herë Kampione Olimpike dhe 1 herë Kampione Olimpike? Do t’iu përgjigjem përmes emrave. Tek janë: Bobek, Vukas, Lovric, Beara, Horvat, Zebec, Petrusic, Zenetic, Matus, Kopinac. Të gjithë kroatë të dorës së parë me kulminacione të tilla si Bobek, Vukas, Beara, Zebec që ishin të nivelit më të parë botëror. E, viti 1960, nuk mbaron me kaq. Jugosllavia është në finalen e madhe 120 minutëshe të Kampionatit të parë Europian, kur mposhtet nga Bashkimi Sovjetik i Lev Jashinit. Emrat kroatë të saj janë Zanetic, Perusic, Matus, Jerkovic. Dy vjet më vonë, më 1962, Jugosllavia shkon në Kampionatin Botëror të Kilit, ku renditet e katërta në botë. Protagonistë të tillë si Radakovic, V.Markovic, Ankovic, Jerkovic, Skoblar, Matus, M.Stojanovic janë të gjithë kroatë të Kroacisë!. Plot shtatë! Njeri më i madh se tjetri, me në krye Drazen Jerkovicin dhe Josip Skoblarin botërorë! Më 1987, Jugosllavia është Kampione e Botës për NËN 20- vjeçarët. Protagonistët e saj quhen Prosinecki, Jarni, Boban, Suker, Stimac, Pavlicic. Të gjithë kroatë! Në një kohë që katër të parët janë vendimtarët e suksesit të madh të 11 vjetëve më vonë, kur Kroacia tash shtet më vete, nën drejtimin e trajnerit Miroslav “Ciro” Blazevic – e ai më 1985 kishte qenë trajner i Prishtinës në kampionatin jugoslllav – kjo Kroaci 1998 është e treta e botës me katër protagonistë të mëdhej të titullit botëror të të Rinjve të 1987- ës. Janë Boban, Prosinecki, Suker, Jarni, Stimac. Dikush kur komentonte harronte dhe thoshte: “Jugosllavia – e treta e Botës”. Ndonëse tash edhe juridikisht ajo ishte Kroacia.

3. Nën Jugosllavi dy janë ngjarjet e para të spikatuna kroato – shqiptare. E para ka të bëjë me vitin 1938, kur në Tiranë vjen skuadra e Splitit, Majstor S’Mora dhe kemi SK Tirana – Majstor S’mora 5-1 me tre gola të Haki Korçës dhe dy të Riza Lushtës. Mandej SK Tirana – Majstor S’Mora 4-2, ku nuk përmbahet Riza Lushta, autor i 3 golave. Gazeta e mirënjohur “Vreme” e Beogradit, simbas botimit në gegnisht të “Sportit Shqiptar”, shkruan: “Shqiptarët pa u lodhë shumë i banë lojtarët t’onë që të pësojnë nji humbje të thellë 5-1. Fuqia dhe temperamenti i tyne në lojë na dhanë me kuptue se duhet të kemi nji mendim krejt tjetër mbi footballin shqiptar, nga ai qi kishim deri m’sot. Në Jugosllavi kujtojnë se shqiptarët losin nji football primitiv. Nuk asht e vërtetë. Atij që i sheh për të parën herë në fushë, ka me i lanë nji përshtypje shumë të bukur stili i tyne interesant, që të kujton ate t’italianvet”. Në të vërtetë, krejt vitet ’30-të të futbollit shqiptar ishin nën ndikimin, madje nën drejtimin e organizimit italian… Por ngjarja më e rrallë kroatoshqiptare e futbollit është ardhja më 1946 në Shkodër e Hajdukut të Splitit – tri herë Kampion i Jugosllavisë së Paraluftës , klubi më përfaqësues i Kroacisë. Janë dy ndeshje të mëdha për kohën, çka Shkodra nuk i kishte përjetuar asnjëherë më parë. Nuk kuptohet aq fort përse Hajduku vjen vetëm në Shkodër dhe nuk shkon në Tiranë!? Ndoshta ngaqë mbas pak ditëve këtu do të mbërrinte Spartaku i Moskës? Kushedi!…

Më 1 shkurt 1946 Vllaznia me Tahirin, Dibrën, Fakjen, Llambin, B.Osmanin, Vasinë, Koxhjen, Telitin, H.Bakallin, Jukën, Kavajën – thuajse një Kombëtare e Shqipërisë, teksa përforcohet me Sllave Llambin e Qamil Telitin, edhe pse nuk ka Loro Boriçin, i cili ndodhet në Beograd për të shëruar këmbën e tij – fiton 2-1. Humbja trondit Hajdukun, që nuk don të besojë rezultatin. Duhej të nisej për në Split, por për çudi kërkon edhe një ndeshje tjetër. E kush mund t’ia prishte mikut të madh me emrin Jugosllavi?… Nuk i shkonte ndër mend Hajdukut se mbas nja nëntë muajve, gjashtë prej këtyre lojtarëve, Tahiri, Teliti, Kavaja, Dibra, Llambi, Fakja, do t’i rrëmbenin Jugosllavisë së tij thuajse e gjitha kroate, titullin e Kampiones së Ballkanit. Por tash Hajduku kërkon revanshin e humbjes.. Ndryshe nuk i ikej nga Shkodra. Mbas 48 orëve, më 3 shkurt ndeshja tjetër dhe Fusha e Vjetër e Shkodrës asesi nuk plotëson dëshirën e shfrenuar të shkodranëve për të qenë brenda saj. Hajduku, me në krye legjendarin Franje Matosic, fiton 3-0 dhe ikën i lumtur nga Shkodra. Edhe kjo ishte fryt i krenarisë kroate. Në marrëdhëniet me Shqipërinë, ajo nuk ndal këtu. Mbas pak Kroacia fton skuadrën shkodrane dhe në Zagreb kemi Përfaqësuesja e Zagrebit – Përfaqësuesja e Shkodrës 7-0! Shifër e njëjtë me temperaturën -7 të një dimri kroat, që nuk ishte pa më parë.

Edhe kjo ngjarje pra, ka ndodhë pikërisht në vitin 1946, përfundimin katastrofik të së cilës futbollistët shkodranë të ndeshjes na e justifikonin thjesht për shkak të temperaturës së ulët. Them se kishin të drejtë, kur mendon se po në këte vit Shqipëria e “vërtetë” i rrëmben pra, Jugosllavisë titullin e Kampiones së Ballkanit. Eshtë vërtet krejt e jashtëzakonshme, kur kujton se ajo ishte Jugosllavia e lojtarëve të tillë, si Zvonko Monsider, Miroslav Brozoric, Ivan Horvat, Dragoslav Lojen, Franje Matosic, Franjo Rupnik, Stjepan Bobek, Franjo Sostaric, Plot 8 – të gjithë kroatë! Ata ishin edhe të Hajdukut të Splitit të Kroacisë, i një historie po legjendare për gjithë Europën. Ishte themeluar më 1911 në Pragë të Çekisë prej studentëve kroatë. Gjatë luftës kishte humbur pesë lojtarë. Krenare e shpirtit kroat, gjestet e tij kanë hyrë në histori. Hajduku, përveç titujve të Kampionit të Jugosllavisë Mbretërore, do të kujtohet edhe për tre “jo” të famshme të tij.

Kur Jugosllavia pushtohet nga Italia, më 1941, lojtarët e tij nuk pranojnë të nderojnë me përshëndetjen fashiste romane në një ndeshje me autoritetet fashiste. Kur pak më parë nuk kishin pranuar të merrnin pjesë as në Kampionatin e Italisë nëse do të ndërronin emrin në AC Split. Ndërkaq, fashistët shkrijnë gjithë klubet e Splitit dhe detyrojnë lojtarin më të mirë të Hajdukut në krejt historinë e tij, të famshmin Franje Matosic, të luajë me Bolonjën, duke e kërcënuar për t’i internuar familjen. Më mbas, kur nën Pavelicin krijohet Kroacia e pavarun, lojtarët e Hajdukut i thonë “jo” edhe atij. Madje arratisen, rrëmbejnë armët dhe përfundojnë në ishullin Vis, ku ishte komanda e përgjithshme e Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Titos e shokëve të tij. Skuadra rilind më 7 maj 1944 dhe thirret në ndeshje të pafund miqësore të shteteve të tjera deri në Bari me skuadra të ushtrive aleate, lojtarët e të cilit priten si heronj të luftës. Avionët e aleatëve lëshojnë fletë volante, duke ftuar sportistët e vendeve të tjera të ndjekin shembullin e Hajdukut. Në Beirut në ndeshjen me Ushtrinë Franceze, gjenerali Charles de Gaulle e quan Hajdukun “skuadra e Francës së lirë”.

Ky ishte klubi i famës mbarëeuropiane të Luftës së Dytë, Hajduku i Splitit – që në thelb ka krijuar më fort se askush stilin kroat të futbollit dhe ec e gjeje pse ia bëri atë nderim të madh Vllaznisë për t’i ardhur në Shkodër vetëm 8 muaj mbas mbarimit të Luftës! E, pak muaj më parë, kur ai mbërrin trimfues në Beograd, nuk mund t’i shkonte ndërmend se do ta priste një befasi krejt të rrallë. Josip Broz Tito kërkon që skuadra tash e mbrapa të transferohet në Beograd dhe të bëhej skuadra e Ushtrisë. Hajduku dhe drejtuesit e tij nuk pranojnë, duke shqiptuar një tjetër “jo” të palëkundshme, më guximtare se kurrnjiherë. Kjo ishte e treta “jo” e famshme e Hajdukut të Splitit të Kroacisë, emër që në mitologjinë sllave nënkupton luftëtarin e tipit Robin Hood, i cili lufton kundër çdo pushteti. Dhe Tito, i cili gjen ngushëllimin te themnelimi i Partizanit të Beogradit, klub i cili për ironi të historisë, do të ketë president një kroat “par excellence”: gjeneralin Franjo Tudjam, njeriu i cili më 1990-’91 do të çonte Kroacinë për te shkëputja përfundimtare prej Jugosllavisë dhe do të jetë presidenti i parë i saj.

4. Sigurisht, në Kroaci përsa i përket futbollit, nuk është vetëm Hajduku 7 herë Kampion i Jugosllavisë së Mbasluftës. Eshtë dhe Dinamo e Zagrebit – ndonëse 3 herë Kampione, por skuadra e parë e Jugosllavisë, e cila ka fituar një Kupë të Europës, atë të Qyteteve Panaire (më mbas Kupa UEFA e sot Liga e Europës) më 1971 – një tjetër fakt ky i një sundimi dhe i një vjetërsie të futbollit kroat nën Jugosllavi. Eshtë kjo Dinamo që ka sot Akademinë më të përsosur të futbollit në Kroaci, prej së cilës ka dalë dhe futbollisti më i mirë i Kupës së Botës 2018, Luka Modric. Janë rregullisht 250 nxënës, 1 milion euro për të çdo vit (8 përqind e buxhetit të klubit), me qendrën e stërvitjes pranë stadiumit “Maksimir” të klubit.

Me një drejtor të posaçëm, me trajnerë po të posaçëm për çdo moshë, duke filluar nga ajo 12 vjeç, dhe qysh nga 14 vjeç, 5-6 ditë stërvitje me 8 orë në shtatë fusha, pishina e palestra. Dhe qysh po 12 vjeç, i detyrojnë të luajnë në të njëjtën taktikë: 4-3-3! Mbi të gjitha, synojnë edukimin me ndjenjë loje, me qëndrueshmëri, shpejtësi, agresivitet, përveç një përgatitjeje të posaçme të mendimit të lojës, dëshirë për të fituar, palëkundshmëri fizike, gjakftohtësi përballë trysnisë së kundërshtarit. A nuk ishin këto cilësi edhe të Kroacisë – Nënkampione e Botës 2018? Siç shihet, nga gjithë ky tregim i ynë, këtu nuk ka as “çështje ballkanike”, e aq më pak “ilirike” apo “gëzim” artificial shqiptar për një fqinj. Këtu ka punë organizmi për zhvillimin e futbollit modern. Në vitin 2012, në Olimpiadën e Londrës, Kroacia ka fituar medaljet e arta në vaterpol. Na u dukën se përcaktimet e mëposhtme të trajnerit të saj Ratko Rudic janë thelbi i një filozofie sportive kroate: “Jemi një vend i vogël, – thotë Rudic, – por me një trashigimi talentesh.

Kemi talente, kemi fizik, por sekreti është një tjetër. Eshtë në mendje. Futbollistët tanë, që nga fillimi i turneut kanë treguar forcë mendore, që ka qenë përherë sekreti i sporteve tona me skuadra. Ne kroatët kemi një traditë të madhe të qytetarisë sportive. Te populli ynë, çdo lloj sporti skuadre është shumë i dashur. Për të rinjtë marrja me një sport skuadre është diçka shumë e dashur. Dhe prej këtu, ata mësojnë se si mund ta përballojnë një kundërshtar, sidomos taktikisht dhe mendërisht. Në planin fizik, kroati është shumë i përshtatshëm për sportet. Formimi bëhet kryesisht përmes klubit sportiv dhe për çudi jo nga shkolla – e kjo është më mirë sesa sistemi amerikan – ngaqë kështu qysh fëmijë ata ndjekin gjurmët e sportistëve të mëdhenj. E mandej, është gêni që transmetohet prej prindërve. Kjo Kombëtare e futbollit tregoi se arma e saj kryesore është forca mendore. Në garat e mëdha, jo gjithçka varet nga taktika apo dhe fiziku. Mbi të gjitha vlen vëmendja jote, qëndrueshmëria e fortë. Këta djem besuan fort në vetvete”. Me sa duket, kjo është filozofia e sportit të Kroacisë në tanësi, e cila në Lojërat e fundit Olimpike, Rio 2016, fitoi 10 medalje, 5 prej të cilave të arta. Ta do mendja se e gjitha kjo nuk është punë popullsie të vogël katërmilionëshe. Kroacia 2018 nuk është një risi. Siç u përpoqëm ta tregonim, ajo është thjesht një vazhdimësi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"