SPECIALE/ 58 vite më parë, kur 17 Nëntori luante kundër Beshiktashit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2023 | 21:26

SPECIALE/ 58 vite më parë, kur 17 Nëntori luante kundër Beshiktashit

Nga UVIL ZAJMI
Kanë kaluar afro 6 dekada nga sfidat e para Beshiktash-Dinamo luajtur në gusht 1963, Beshiktash-17 Nëntori në qershorin e largët të vitit 1965, deri te kjo që do të luhet më 27 korrik 2023, po në Stamboll, sikurse dy të parat. Një histori e madhe e përplasjeve të paharruara me formacionet turke, beteja, befasi, akuza, fitore, humbje, por edhe ngjarje të patreguara. Po përpiqemi të sjellim disa detaje nga ato përballjet zyrtare të atij dhjetëvjeçari, 1960 – 1970.

WhatsApp Image 2023-07-26 at 9.16.19 PM (2) (1)

Nga tre golat e Kolec Krajës ndaj Fenerbahçes, tek ata të Lorenc Vorfit në Tiranë, por të parin gol historik ndaj Beshiktashit e ka shënuar Pavllo Bukoviku në “Mit’hat Pasha”. Një epokë intensive përplasjesh sportive, kur lojtarët ndryshonin klubet brenda një sezoni dhe kur Pano i Partizanit luante me Dinamon ndaj Fenerbahçes, por dhe Ali Mema, futbollisti unik i katër fanellave si kundërshtar i klubeve turke.

Duke iu rikthyer takimeve ndaj Fenerbahçes e Beshiktashit, çfarë ishin ato sfida? Nga interesimi i jashtëzakonshëm, stadiume të mbushura, tifozllëk, rivalitet, rezultate të papritura, arbitri i huaj me asistentët vendës, si zhvilloheshin ato takime, cilët ishin lojtarët, protagonistët? Pavllo (Ben) Bukoviku, kujton:

“Ndeshjen e parë e kam si titullar me Partizanin ndaj Fenerbahçes dhe më pas me 17 Nëntorin kundër Beshiktashit”. Sigurisht që kohët kanë ndryshuar, nuk është më 17 Nëntori, por SK Tirana, stadiumet nuk janë më ato, por të ristrukturuara, moderne dhe me emra të tjerë: Dikur “Qemal Stafa” sot “Air Albania”, ish- ”Mit’hat Pasha” sot “Vodafon Arena”. Nuk ka më transferime, lëvizje klandestine të lojtarëve si asokohe kur 17 Nëntori-Beshiktash luhej për Kupën Ballkanike, te kjo aktuale për Conference League. Nga ajo funddekade, Beshiktashi do të rikthehet edhe dy herë të tjera në Shqipëri: në turin e parë të Kupës së Kampioneve, 1986-1987, kur pas 25 vitesh në “Qemal Stafa” sërish përballë Dinamos kampione i fiton 2-0/0-1 të dyja ndeshjet.

Pastaj Skënderbeun, Liga e Kampioneve, raundi tretë, grupe: Beshiktash-Skënderbeu 2-0/1-0. Në vitet e fundit edhe klube të tjera turke do të vijnë, luajnë me ato shqiptare, por sfidat me Beshiktashin e Fenerbahçen në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar mbeten monumentale, të paharruara. Ka një koincidencë: Edhe ky i 27 korrikut, takimi-vajtje do të zhvillohet në Stamboll, si gjysmëshekulli më parë, kur 17 Nëntori i famshëm barazoi 1-1.

FUTBOLL, SHQIPËRI-TURQI, KUR GJITHÇKA NIS ME PARTIZANI-FENERBAHÇE
Viti 1961, edicioni debutues i Kupës Ballkanike me klube, shtator, në Stamboll, do të zhvillohet takimi që do të regjistrojë përballjen e parë historike të një klubi futbolli turk me një shqiptar. Një debutim për të dyja kubet në përballjet midis tyre, Fenerbahçe-Partizani, që janë në një grup bashkë me rumunët e Steauas, Levski i Sofjes. Pasi ka humbur në startin e këtij trofeu, Steaua-Partizani 1-0, dhe fitores 2-0 (Kraja, Jashari) ndaj Levskit të Sofjes në Tiranë, në sfidën e tretë në stadiumin “Mit’hat Pasha”, në prani të 50 000 shikuesve, do të luhen 90 minuta të rivalizuara dhe 1-0 për vendësit me golin e Nedim Dogan në të 3’-ën.

Por nuk ka përfunduar këtu. Sipas një marrëveshjeje midis klubeve, pas dy ditëve, sërish Fenerbahçe-Partizani. Ndonëse vendësit kanë shënuar të parët, Partizani ka reaguar me tre gola që kanë si autor Kolec Krajën, në të 30’, 32’ dhe 40’. Ndeshja mbyllet 3-2, një takim, kur turqit, të nervozuar, ndryshe nga rregullorja, bëjnë 6 zëvendësime, por pa mundur të ndryshojnë shifrat. Partizani i asaj pjesëmarrjeje të parë është: Maliqati, Pano, Resmja, Kraja, Lubona, Shllaku, Merja, Ndini, Alluni, Bukoviku, Deliallisi, Papadhopulli, Dungu, Jashari. Trajner: R. Spahiu. Është turneu ku presidenti i Fenerbahçes, Myslim Beu, do t’i propozojë Panajot Panos për ta blerë me çfarëdo vlere financiare asin shqiptar. Në takimin e kthimit vetëm 0-0 në “Qemal Stafa” dhe Steaua renditet e para me 13 pikë në grup, e ndjekur nga Partizani, Levski dhe Fenerbahçe me 8 pikë. Edicioni vijues i takon Dinamos, sërish përballë Fenerbahçes.

dsfsdfsdfs

Në Stamboll Fenerbahçe-Dinamo 1-0 dhe në Tiranë, Dinamo-Fenerbahçe 3-2. Tre gola të realizuar nga sulmuesi i krahut, Lorenc Vorfi, që mbetet autori i vetëm i një tregolëshi të bujshëm për kohën ndaj ekipeve turke në një ndeshje zyrtare, madje duke u konsideruar si një “hakmarrje”, pas humbjes në Turqi.

BESHIKTASH-DINAMO
Beshiktashi, tjetër klub nga Stambolli, që pas Fenerbahçes, do të vijë dy herë në Tiranë, në dy edicione radhazi të këtij trofeu: 1963- 1964, ndaj Dinamos dhe në atë vijues me 17 Nëntorin. Këto janë dhe kanë mbetur të vetmet për kohën si sfida zyrtare, gjithmonë në Kupën Ballkanike, takime të zhvilluara në dhjetëvjetëshin 1960-1970.

E para historike është ajo në Stamboll, ndërsa skuadra udhëton me autobus dhe më 30 gusht 1963, në stadiumin “Mit’hat Pasha”, mbrëmje me drita, arbitri jugosllav Skoriç, që në të 7’ ka nxjerrë nga loja Lorenc Vorfin, pas një përplasjeje me portierin vendës. Në të 39’ një top i harkuar në zonë, gjen Gjyven që me kokë e dërgon në rrjetë. E 90’ që u karakterizuan nga një arbitrim skandaloz, kur edhe shkrimtari i njohur Azis Nasi, në një artikull të botuar në gazetën “Aksham”, e shpreh qartë se arbitri në ndeshjen me Dinamon tregoi se ishte një mik i madh i Turqisë, një “filoturk”. Takimi u mbyll 1-0, kur për 80 minuta, Dinamo luajti me dhjetë futbollistë. 17 tetor, ora 15:00 në “Qemal Stafa”, në prani të 20 mijë shikuesve, 2-0 për Dinamon, që aktivizon: Qoshja, S. Gjoci, Halili, Alluni(Daiu), N. Jareci, Daiu(A. Mema), Vorfi, S. Jareci, Bushati, Pilika (Lubonja), Duro. Arbitër A. Pervu (Rum), R. Kuka, R. Pregja (Shqip), të tre ndërkombëtarë.

Golat: E 2’, pas një ekzekutimi të një goditjeje këndi nga Bushati, topi te Vorfi që me kokë devijon për Pilikën e me kthesë realizon. Në të 43’, Bushati-Duro-Vorfi që gjuan ulët dhe 2-0, një triumf historik ndaj stambollasve. Me blutë luan Ali Mema i marrë nga 17 Nëntori, një takim, që nisur nga epërsia e Dinamos duhet të mbyllej me një rezultat të thellë. Ky është formacioni i ndeshjes, shënuesit, arbitrat e të parës sfidë me Beshiktashin që u zhvillua në Shqipëri. Në renditjen mbyllëse në grup, Rapid B., i pari me 10 pikë, Levski Sofja, Dinamo me 5 dhe i fundit Beshiktashi me 4 pikë.

BESHIKTASH-17 NËNTORI
Pas dy klubeve kryeqytetase, Partizani, Dinamo, në edicionin e tretë të turneut ballkanik, sezoni 1964-1966, i takon 17 Nëntorit që në të parin konkurrim në Kupën Ballkanike, të ndeshet me turqit e Beshiktashit. Në Stamboll barazim spektakolar 1-1. Ka qenë muaji qershor 1965, në stadiumin “Mit’hat Pasha”, një debutim dinjitoz i klubit kryeqytetas që merr një rezultat surprizë. Golin e parë e realizon Bukoviku në 45 minutat e para, ndërsa vendësit kanë barazuar në fillim të së dytës. Një ndeshje e tensionuar, me futbollistë të nxjerrë nga loja nga arbitri, sidoqoftë një pikë e marrë me meritë. Po atë vit, nëntor 1965, vetëm dy ditë pas Shqipëri-Irlanda e Veriut 1-1, në “Qemal Stafa”, përballë njëritjetrit 17 Nëntori-Beshiktashi 2-0 (1-0).

WhatsApp Image 2023-07-26 at 9.16.20 PM (3) (1)

17 Nëntori aktivizon: Elini, Frashëri, Halili, Kasmi, A. Mema, Bylyku, Xhaçka, Bukoviku, Bytyçi, Gjoka, Ishka. Trajner: M. Alla. Gjyqtarë: Dimitresku (Rum), R. Kuka, Sh. Gruda (Shqip). 20 mijë shikues, realizojnë: F. Frashëri (11 m) në të 16’, pas një faulli ndaj Niko Xhaçkës dhe vetë ky i fundit në të 55’- ën.

Por “fitorja mund të ishte më e thellë”, shkruan gazeta “Sporti”. Në dy takime, 17 Nëntori regjistroi një barazim dhe një fitore me Bashiktashin, tri pikë me një golavarazh 3-1. Duke e lënë të fundit në renditjen në grup: Rapid B me 10 pikë, Cherno More 8 të tilla, 17 Nëntori 4 dhe Beshiktashi 2 pikë. Më pas sezoni 1966-1967, edhe një herë përballë Partizani-Fenerbahçe 2-0 në “Qemal Stafa”(Pano 15’, Pano 44’) dhe 2-3 në Stamboll (Rudi 17’, Pano 41’). Në renditje Fenerbahçe (10-6), Partizani (10-7) me 8 pikë. Për të vijuar në edicionin 1967-1968, kur debuton Vllaznia përballë Genclerbirligit 1-0 (S. Dani) në “Vojo Kushi” dhe 1-1 (Ceco 7’) në kthim. Beroe 10 pikë e Vllaznia 7. Më pas ndeshje zyrtare me ekipet turke nuk do të ketë në asnjë trofe, si në ato ballkanike edhe ato europiane, deri në turin e parë, 1986–1987 Kupa e Kampioneve, Dinamo-Beshiktash.

WhatsApp Image 2023-07-26 at 9.16.19 PM (1)

NDESHJET ME KLUBET TURKE NË KUPËN BALLKANIKE, PRIVILEGJ I MADH
Ka qenë 28 dhjetor 1960, kur me iniciativën e klubit sportiv Fenerbahçe në Stamboll u zhvillua një mbledhje e përfaqësuesve të Shqipërisë, Turqisë, Bullgarisë e Rumanisë, në të cilën u diskutua dhe u vendos organizimi i ndeshjeve të futbollit për Kupën Ballkanike me skuadrat e klasifikuara në vendet e dyta në kampionatet vendëse. Shumë shpejt, ai turne u kthye tejet i pëlqyer, i preferuar nga klube, futbollistë e drejtues, veçanërisht ata shqiptarë. Për kualitetin, së pari, pasi luanin skuadra të forta ballkanike, nuk kishte eliminim direkt, duke u dhënë siguri klubeve të luanin gjashtë takime, pavarësisht nga rezultatet e tyre.

Shorti i vinte klubet shqiptare përballë atyre rumune, bullgare e turke, pasi Greqia, për motive politike, jo vetëm në futboll, nuk luante kundër Shqipërisë. Pra, ishte komode të udhëtoje në tri shtete. Duke qenë vitet 1960–1970, për shqiptarët dalja jashtë vendit ishte një privilegj i madh dhe më shumë se të tjerët këtë fat e kishin futbollistët. Ishte ndryshe në Kupat e Europës, kur eliminimi ishte i sigurt që në turrin e parë. Dhe e fundit, ishte një mundësi të blije veshje aq të dëshiruara për kohën. Si Beshiktashi, Fenerbahçe, në atë periudhë janë klube të fuqishme, dominojnë kampionatin turk dhe takimet me to, kanë qenë të shumëpritura. Me ndeshje vajtje-ardhje, madje gjatë qëndrimit, zhvilloheshin edhe sfida miqësore me klube të tjera, shoqëruar me pritje, shkëmbime dhuratash. Kishte raste kur takimet luheshin nga dy, në tre, gjatë një udhëtimi të vetëm që kryhej me anije, automjete dhe pak ose aspak me avionë.

NJË DEKADË ME LËVIZJE, NGA PANO TEK ALI MEMA QË ÇMENDËN TURQIT
Për të përballuar dhe për t’u prezantuar mirë, klubet shqiptare merrnin si përforcim futbollistë nga skuadrat e tjera, veçanërisht në atë dekadë, 1960–1970 – kjo lëvizje ka qenë tejet e theksuar. Edhe pse dihej me cilën skuadër luante realisht lojtari, nga klubet e shteteve ballkanike nuk ka pasur reagime, ankime e reklamime. Nga Panajot Pano, Miço Ndini, partizanas, por me Dinamon në edicionin 1962 kundër Fenerbahçes, kur një sezon më parë Pano ishte titullar me Partizanin ndaj këtij klubi. Pastaj Ishka i 17 Nëntorit me Dinamon, Jorgaqi, Bizi të Labinotit e Vllaznisë me Partizanin, Lubonja i Dinamos titullar me Partizanin, portieri Topi i Besës me 17 Nëntorin, Fatmir Frashëri i 17 Nëntorit me Dinamon, Alluni i Dinamos me Partizanin, një listë e gjatë, pa fund.

Por, rekordin e ka mesfushori Ali Mema i 17 Nëntorit, të cilit i ka qëlluar të luajë katër herë ndaj ekipeve turke me fanella të ndryshme: Dinamo-Beshiktash 1963-1964, 17 NëntoriBeshiktash 1964-1965, Partizani-Fenerbahçe 1966-1967 dhe Vllaznia-Genclerbirligi në edicionin 1967-1968. Të gjitha brenda një dhjetëvjeçari, ai u mor si përforcim nga klubet, duke i çmendur turqit. Dhe, kur shkoi për herë të fundit, shtypi turk shtronte pyetjen: “Me cilën skuadër luan Ali Mema?”…

Me Dinamon në Kupën Ballkanike ka luajtur edhe Jani Kaçi, me Vllazninë Çeço, Dinella, Gjinali, Starova, lojtarë të huazuar, të transferuar provizorisht, me emra e mbiemra të tjerë, ndonëse Ballkani e njihte mirë përbërjen e klubeve. Pa harruar 17 NëntoriPanionios, edicioni 1975, në Tiranë, kur katër lojtarë ishin nga Dinamo: Mërgjyshi, Sejdini, Përnaska, Ballgjini. Ndeshja u mbyll 6-1, dhe dinamoviti Përnaska është autor i katër golave në atë takim, por me fanellën bardheblu, një tjetër rekord. Për ekipet shqiptare, veçanërisht ato me klube pjesëmarrëse në këtë trofe të Kupës Ballkanike, ishte normale, edhe pse njiheshin, skuadrat nuk kanë reshtur duke luajtur me futbollistë të marrë provizorisht nga klubet e tjera.

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

EKSKLUZIVE/ I pari shqiptar që i shënoi gol Beshiktashit, Bukoviku: Pa frikë, ne i ndalëm dy herë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"