EKSKLUZIVE/ I pari shqiptar që i shënoi gol Beshiktashit, Bukoviku: Pa frikë, ne i ndalëm dy herë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2023 | 22:23

EKSKLUZIVE/ I pari shqiptar që i shënoi gol Beshiktashit, Bukoviku: Pa frikë, ne i ndalëm dy herë

Është autori i golit të parë në përballjen e parë të 17 Nëntorit me Beshiktashin. Ishte një 90-minutësh debutues, i zhvilluar të mërkurën e 2 qershorit 1965 në Stamboll. Futbollist protagonist në formacionin legjendar nëntoras, Pavllo Bukoviku, (Beni), me një kujtesë të mahnitshme, tregon për “Panorama Sport”: “Kam realizuar një gol nga 20 metra, topin ma pasoi Ali Mema. Pastaj i dëmtuar rëndë dola nga fusha me ambulancë”.

Pavllo Bukoviku

Pavllo Bukoviku

Z.Bukoviku, ka një fakt, që ndeshjen e parë e keni luajtur me Partizanin në këtë kompeticion?
Po, në atë periudhë isha lojtar i Partizanit. Kam luajtur në finalen ndaj Dinamos për titullin kampion, që u fitua nga Partizani me golin e Panos në minutën e 122-të. Si futbollist i këtij klubi kam qenë titullar ndaj Fenerbahçes në ndeshjet për Kupën Ballkanike, në të parin përfaqësim. Ishte një debutim i paharruar për mua.

Ka diçka që nuk shkon në konkurrimin e parë të 17 Nëntorit?
Për klubin tonë, konfirmimi për pjesëmarrje në Kupën Ballkanike ishte dhënë një vit më parë, ndonëse jashtë kritereve, kur në këtë trofe, sipas rregullores, luante detyrimisht ekipi i renditur i dyti, ndërsa ne në kampionatin e kaluar ishim në vendin e 6–të. E thyen për herë të parë atë kriter. Dy takimet e para të atij edicioni i kemi zhvilluar me bullgarët e Crneo Mores: barazim 0-0 në Tiranë dhe humbje 1-0 në Varna. Këto janë edhe dy ndeshjet e para ndërkombëtare për 17 Nëntorin.

Në Stamboll, sfida e parë, përballë Beshiktashit… Çfarë mbani mend?
Për skuadrat dhe futbollin turk kishim informacion, njohje, pasi ishim ndeshur në Kupën Ballkanike, si Partizani edhe Dinamo. Edhe Beshiktashin e kishim parë në Tiranë një vit më parë. 17 Nëntori kishte një skuadër të kompletuar. Kujtoj, se në ato vite, për ndeshjet e kësaj Kupe, udhëtohej me anije dhe autobus. Pas takimit në Varna, kemi udhëtuar drejt Stambollit, një rrugë e gjatë, pa fund.

Vjen sfida, por pati probleme me fushën. Pse?
Qershor, vapë, ndeshja u zhvillua në mbrëmje, nën dritat e reflektorëve. Arbitri ishte bullgar, Dizdov, dhe dy asistentë turq. Fusha ishte pothuajse pa bar fare dhe shumë e fortë. Ndonëse kishim bërë një ditë më parë një stërvitje njohëse, por nuk po ambientoheshim me atë terren. E mendonim që stadiumi do të ishte i mbushur, por jo. Stadiumi quhej “Mit’hat Pasha”, kurse ai në Varna, nuk e harroj: stadiumi “Juri Gagarin”, emri i një astronauti rus.

WhatsApp Image 2023-07-26 at 9.16.20 PM (2) (1)

Jeni autor i golit të parë historik të kësaj përballjeje…
Ka qenë mesi i pjesës së parë, kur pak minuta më parë humba një rast të mirë, por gabova. Ndeshja po luhej e qetë, pak raste për gola, turqit joagresivë dhe jo në epërsi. Një top i gjatë, i ardhur nga mbrojtja, Ali Mema, pasi e stopoi, e pasoi tek unë. Kam qenë përballë portës rreth 20 metra larg, godita shpejt me të majtën, jo me këmbën time, dhe gol, lart në të majtë të portierit. U befasuan të gjithë.

Patët probleme në formacion me lojtarë që nuk luanin?
Si përforcim kishim marrë portierin Shefqet Topi të Besës, i cili reagoi me disa pritje dhe grushtime, kur turqit nisën të sulmonin. Nuk luante Osman Mema, i nxjerrë nga loja prej arbitrit grek në Varna, për një ndërhyrje të parregullt ndaj një lojtari të Cerno Moresit. Gjithashtu, Skënder Halili luante pas një dëmtimi të rëndë që pësoi në Varna. Pjesa e parë përfundoi 1-0 për ne. Në pushim, trajneri Alla na orientoi të mos e ndryshonim mënyrën e lojës, të ishim më të kujdesshëm, të ruanim e shfrytëzonim avantazhin, duke kundërsulmuar. Ne kishim një mbrojtje solide me Frashërin, Halilin dhe Kasmin, me Kazanxhi, Ali Memën, i cili u dëmtua që në fillim të pjesës së dytë.

Reagoi shumë ashpër Beshiktashi, pse?
Turqit zhvilluan një lojë shumë të rëndë, duke goditur qëllimisht lojtarët tanë. Ajo u tensionua më shumë, kur në fushë u futën edhe tifozë, që e detyruan arbitrin të ndërpresë disa herë ndeshjen. Në të tilla rrethana agresiviteti, ata shënuan golin e barazimit. Kujtoj se arbitri për të qetësuar situatën nxori dy lojtarë nga fusha, është koha kur nuk përdoreshin ende kartonët. Nga ne, doli, nëse nuk gaboj, Verria. Pas një përplasjeje, pësova një traumë të rëndë në kokë, që shqetësoi stafin tonë mjekësor dhe atë turk. Dola nga loja.

Stambolli me fat, shpalleni kampionë në kthim…
Duke lënë pas Kupën Ballkanike, Stambollin, dhe pas një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm në kthim, vijuam kampionatin, duke zhvilluar ndeshjet e fundit, kur me golin e Ali Memës ndaj Flamurtarit në pjesën e dytë në stadiumin “Dinamo”, fituam 1-0 dhe u shpallëm kampionë për herë të parë. Ka qenë fundqershori 1965.

Bukoviku, keni shënuar edhe në Rumani ndaj Rapidit të Bukureshtit. A e mbani mend?
Para se të luanim me skocezët e Kilmarnokut për Kupën e Kampionëve, në korrik u nisëm për në Rumani ku do të luanim ndeshjen e radhës me Rapidin, takimi i parë me rumunët në Kupën Ballkanike, pasi i kishim në grup. Humbëm 3-1, një ndeshje e zhvilluar në mbrëmje me drita në një stadium të madh, “Republika”, të Bukureshtit. Kam shënuar në fund të pjesës së parë, kur rezultati ishte 2-0. Pasi shmanga qendërmbrojtësin, brenda zonës, godita, poshtë në të djathtë. Në fund të lojës kisha në këmbë topin për golin e barazimit, i vetëm përballë portierit shpejtova. Gjuajta dhe topi mbi shtyllë përfundoi jashtë. Rapidi ishte skuadër shumë e fortë.

Ndeshja e kthimit dhe fitore e pastër ndaj Beshiktashit…
Ai takim u zhvillua më 26 nëntor 1965, në një “Qemal Stafa” të mbushur, vetëm dy ditë pas ndeshjes Shqipëri-Irlanda e Veriut, 1-1. Disa lojtarë të 17 Nëntorit, si A. Mema, Kasmi Halili, Frashëri, kishin luajtur kundër irlandezo-veriorëve. Triumfuam 2-0, me gola të Fatmir Frashërit me penallti nga porta veriore, pas një faulli ndaj Niko Xhaçkës. I dyti u shënua nga vetë Niko në pjesën e dytë. Kam pasur dy momente për të shënuar, njërën e devijoi portieri, ishte gol i sigurt. Ajo ka qenë fitorja e parë dhe e vetmja e 17 Nëntorit në Kupën Ballkanike në atë sezon, por edhe më vonë, pasi klubi nuk u ndesh asnjëherë në këtë trofe me Beshiktashin. Ato mbeten të parat dhe të fundit me klubin turk.

Në vigjilje të Beshiktash-SK Tirana, në një rikthim nostalgjik pas më shumë se 60 viteve më parë, çfarë do t’u kujtoni lexuesve të “Panorama Sport”?
Që Beshiktashit i morëm 3 pikë duke barazuar atje dhe fituar në Tiranë. E lamë prapa. Ai edicion u mbyll me një humbje të pamenduar me Rapidin 2-1 në “Qemal Stafa” dhe ne u renditëm të tretët në grup pas Rapidit me 10 pikë, Cerno Mores me 8, ne me 4 pikë dhe Beshiktashi, i fundit, me dy pikë. Kujtoj skuadrën, lojtarët, nga Ilir Elini, Rexhep Bathorja, Fatmir Frashëri, Bujar Tafaj, Gezim Saraçi, Skënder Halili, Ali Mema, Osman Mema, Nuri Bylyku, Xux Kazanxhi, Tomorr Gjoka, Gëzim Kasmi, Luigj Bytyçi, Aurel Verria, Niko Xhaka, Skënder Hyka, Bahri Ishka. Trajnerët Myslym Alla dhe Enver Shehu. Sigurisht edhe golin tim në “Mit’hat Pasha”. Edhe për ne ndeshja e parë ka qenë, siç është edhe për SK Tiranën. I uroj fat.

Intervistoi UVIl ZAJMI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"