Spaho: Ja si e pësova golin nga këndi në Gramsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2012 | 13:47

Spaho: Ja si e pësova golin nga këndi në Gramsh

Lushnja ka marrë vetëm një pikë në takimin e së shtunës, që u luajt në Gramsh. Një barazim që nuk i ka kënaqur aspak drejtuesit e ekipit dhe për më tepër tifozët, të cilët kanë mbetur të zhgënjyer. Por, ajo që e ka shqetësuar më shumë stafin teknik ka qenë loja e dobët e zhvilluar nga lojtarët, pasi treguan pak nga vlerat që mbartin.
Spaho “Gardiani” i Lushnjës, Mikel Spaho, i cili golin e vetëm në atë ndeshje e pësoi direkt nga goditja e këndit, tregon gjithçka ndodhi në atë 90-minutësh: “Zhvilluam një ndeshje jo të mirë, por them se shkaku kryesor i asaj paraqitjeje që bëmë, ishte fusha, e cila vetëm për futboll nuk mund të flitej. Fusha ishte e lagur, madje me një baltë që nuk të linte të luaje futboll, kur dihet që ne jemi ekip që e qarkullojmë shumë topin. Kemi futbollistë teknikë, ndërsa filozofia jonë është që të luajmë shumë me topin. Por, në atë fushë kjo ishte e pamundur. Në atë takim kishim shkuar vetëm për të marrë tri pikët, por ishte e pamundur”, – shprehet portieri i lushnjarëve. Në lidhje me golin e pësuar, Spaho sqaron: “Ai kurrsesi nuk mund të quhet një eurogol, pasi po e them se që në fillim ishte faull, duke qenë se unë jam mbajtur nga lojtarët e ekipit kundërshtar në atë goditje këndi. Në këtë mënyrë, nuk kam pasur asnjë mundësi që të reagoja, jo për faj të aftësive të mia, por nga mundësitë në të cilat u ndodha në atë çast. Gjithsesi, ky është kampionati ynë dhe nuk ke çfarë të bësh. Më vjen shumë keq, pasi ai gol na penalizoi shumë rëndë, duke mos na lejuar të fitojmë. Megjithatë, ne duhet ta harrojmë këtë takim dhe të mos gabojmë më në javët në vijim. Edhe pse kemi lënë dy pikë shumë të çmuara, sërish jemi në vendin e parë dhe kam bindjen e plotë se do ta ruajmë këtë pozicion deri në fund të kampionatit. Deri në fund të fazës së parë kanë mbetur edhe katër ndeshje, të cilat janë të vështira, por unë kam besim se Lushnja do të arrijë të marrë maksimumin e pikëve”, – përfundon prononcimin portieri i Lushnjës, Mikel Spaho.
ARMAND NEZHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"