Skuka dhe Bitri jo të fundit, Partizani mund të shesë në merkaton e verës 4 “xhevahirë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2023 | 20:57

Skuka dhe Bitri jo të fundit, Partizani mund të shesë në merkaton e verës 4 “xhevahirë”

Partizani i këtij sezoni është një skuadër me moshë të re dhe në organikën e saj ka lojtarë, që ngjallin interes edhe nga skuadra më të pasura. Filozofia tashmë ka ndryshuar.

336783613_256640056692697_8502816951016635255_n

Të kuqtë e treguan edhe në janar se janë gati të shesin lojtarë, në rast se vijnë ofertat e duhura. Pavarësisht se ikën lojtarë të një niveli si Skuka dhe Bitri, nga të cilët u gjeneruan rreth 1.6 milionë euro, në “minierën” e kuqe ka ende “xhevahirë”. Në këtë listë bëjnë pjesë katër lojtarë, të cilët janë njëkohësisht baza e këtij ekipi dhe megjithëse janë në shënjestër, nuk është e thënë që klubi i kuq do t’i shesë të gjithë.

ANDI HADROJ – Vera e ardhshme është momenti perfekt që Andi Hadroj të bëjë hapin e madh në karrierën e tij me klubet. Në shkurt pukjani mbushi 24 vjeç dhe prej një viti është lideri i Partizanit në defensivë. Në këtë sezon ai po merr përsipër akoma më shumë përgjegjësi. Aktualisht Hadroj është i vetmi mes lojtarëve të Superiores, që ka mundur të bindë trajnerin Silvinjo ta ftojë në Kombëtare dhe ky fakt ia shton akoma më shumë vlerat. Mosha, kulmi me të kuqtë dhe Kombëtarja, e bëjnë Hadrojn të jetë në marketin e kuq për shitje. Kontrata e tij skadon në verën e vitit të ardhshëm.

ARINALDO RRAPAJ – 21-vjeçari i ka dhënë provat se është një superlojtar që në moshën 17-vjeçare, kur Ilir Daja e aktivizonte te Flamurtari. Prej dy sezonesh është element kyç i Partizanit dhe në janar vetëm një mosmarrëveshje e çasteve të fundit e bëri të mos transferohej te Ludogorets. Gjithsesi, në verë Rrapaj, në mos te bullgarët, në një ekip tjetër do të transferohet. Në kontratën e tij ka një klauzole lirimi që është rreth 250 mijë euro, shifër, të cilën do të ishin të gatshme disa klube të paguanin për një talent të tillë.

TEDI CARA – Kavajasi në këtë sezon është detyruar të luajë në qendër të sulmit. Kjo lëvizje e ka bërë të mos shfaqet në versionin e tij më të mirë, por Cara është një lojtar, që i ka treguar vlerat. Nëse vijon me ritmin që ka shfaqur në ndeshjet e fundit, me siguri në verë do të ketë oferta edhe për 22-vjeçarin.

MASANGA MATONDO – Kongolezi është padyshim një nga lojtarët, të cilin drejtuesit do ta kenë shumë të vështirë ta mbajnë në merkaton e verës. Ai është padyshim një nga mesfushorët difensivë më të mirë të Superiores dhe ofertat në drejtim të tij në verë pritet të jenë të shumta. Dëshira e Matondos, por edhe të tjerëve, është që të largohen, çka do të thotë se të kuqtë i pret një minirevolucion në verë.bncPANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"