“Skënderbeu të jep emocion”, Gërço: Nuk zhgënjejmë kundër Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2024 | 20:55

“Skënderbeu të jep emocion”, Gërço: Nuk zhgënjejmë kundër Vllaznisë

Andrea Gërço është lojtari i momentit në kampin korçar. Pas afrimit në fillim të sezonit nga Seria C e Italisë, ka pritur gjatë dhe në heshtje momentin e tij, derisa ka fituar vendin e titullarit falë paraqitjeve goxha të mira në ndeshjet ku Ivan Gvozdenoviç ka kërkuar shërbimet e futbollistit.

Gërço

Është përdorur në shumë pozicione nga stafi bardhekuq, qoftë në të djathtë të mbrojtjes ku është pozicioni i tij natyral, ashtu edhe në të majtë, por edhe në qendër. Teksa ndeshjet e fundit ka krijuar një stabilitet në lojën e tij.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Gërço flet për ecurinë e Skënderbeut në këtë kampionat dhe mbi të gjitha për rivalitetin që ka pasur deri sa ka mundur të fitojë fanellën e titullarit.

Gërço, jeni duke kaluar një moment të mirë te Skënderbeu. E pritët gjatë, apo jo?

Po, gjithmonë në momente të tilla, kur ka konkurrencë për një vend titullari, ka edhe momente pritjeje. Unë jam i lumtur që po paraqitem mirë në këto ndeshje me Skënderbeun. Mund të them se puna ime ka qenë e njëjtë si kur nuk isha titullar edhe tani. Kjo duhet të jetë praktika e çdo lojtari për mendimin tim.

Janë disa ndeshje me një nivel të lartë nga ana juaj. Cili është çelësi i suksesit?

Puna e përditshme në seancat stërvitore dhe mbi të gjitha pasioni dhe bindja se vetëm falë punës mund të arrish nivelet e kërkuara. Asnjëherë nuk kam humbur besimin se kjo ditë do të vinte, por siç e thashë, kam punuar fort për të arritur gjithçka.

Ndaj për këtë jam shumë i lumtur. Na tregoni pak, si erdhët te Skënderbeu dhe çfarë gjetët këtu?

Erdha në merkaton e verës dhe sapo dëgjova që Skënderbeu më kërkonte u ndjeva mirë. Është një ekip që ka lënë shenjë në arenën europiane me paraqitjen në grupet e Europa Ligës, ndaj edhe për këtë emocionet ishin të mëdha. Më pas gjeta një ambient shumë mikpritës dhe të ngrohtë. Jemi si një familje dhe një trajner që gjithnjë na i vë në dukje rëndësinë dhe peshën e fanellës.

Në kampionat, jeni më të qetë për momentin?

Nëse do t’i referohemi renditjes, kushdo mund të thotë që jemi më të qetë, por unë jam i mendimit që nuk duhet të vetëkënaqemi. Nëse ndodh kjo do të jetë shumë problem. Është një kampionat i fortë dhe shumë i luftuar, ndaj nuk duhet ta ulim përqendrimin. Ka ende shumë pikë në lojë dhe duhet të marrim gjithçka me radhë. Do të jemi të qetë kur matematika të na i lejojë diçka të tillë.

Ndeshja e radhës me Vllazninë, sa e vështirë është?

Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Vllaznia ka një ekip cilësor dhe po kalon një formë të mirë në këtë moment. Nga ana tjetër, ne jemi të përqendruar vetëm tek objektivat tanë dhe do të hyjmë në këtë ndeshje për të dhënë maksimumin. Kam besimin se me gjendjen që ka ekipi mund të marrim një rezultat të mirë nga kjo ndeshje. Por gjithçka e vendos fusha.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"