Skënderbeu përmbys Pogradecin, Gentian Liço: Kemi gati dy ekipe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2024 | 17:31

Skënderbeu përmbys Pogradecin, Gentian Liço: Kemi gati dy ekipe

Skënderbeu fiton me përmbysje testin me Pogradecin, të zhvilluar ditën e shtunë në Korçë. Në fakt, ishte një vendim i minutave të fundit mes dy klubeve për të përmbushur ciklin javor pas ndërprerjes së kampionateve. Skënderbeu testoi në fillim të gjithë lojtarët që kanë pasur pak minuta në këtë kampionat, teksa përballë kishte një Pogradec me formacionin titullar, për të parë më shumë balancat e lojës.

lici

 

Pjesa e parë ishte me nivel mesatar, ku dy ekipet u munduan të krijonin, por pa shënuar. Pogradeci mbajti ritmin e Skënderbeut, duke iu përgjigjur mjaft mirë lojës së korçarëve. Golat do të vinin në pjesën e dytë, me liqenorët që shënuan të parët me Demajn. Pas pësimit të golit te Skënderbeu pati ndryshime nga stafi teknik, që hodhi në fushë 5 lojtarë titullarë. Për pasojë ndryshuan edhe balancat në lojë. Shaqe barazoi shifrat dhe më pas Lika kompletoi përmbysjen, duke shënuar golin e dytë për Skënderbeun.

LIÇO – Pas ndeshjes, krahu i djathtë i trajnerit Gvozdenoviç, ndihmëstrajneri Gentian Liço, u shpreh: “Ishte një ndeshje miqësore dhe e filluam lojën me të gjithë ata futbollistë që kanë pak minuta në këmbë. Kemi një kontingjent me 25 futbollistë, ku tre prej tyre nuk janë me grupin. Sido që të jetë, kemi gati dy ekipe. Natyrisht, nuk mund të linim pa ngarkesë edhe shumë prej futbollistëve të tjerë, ata i aktivizuam në pjesën e dytë. Mund të them se jemi të kënaqur nga të gjithë që ishin në fushë”.

NIKAJ – Në anën tjetër, trajneri i Pogradecit, Samuel Nikaj, u shpreh i kënaqur për pjesën e parë. “Ishte një ndeshje testuese për të parë forcën tonë përballë një ekipi që luan në elitë. Jam i kënaqur me atë që djemtë treguan në fushë, veçanërisht në pjesën e parë. Më pas diferencat bënë ndryshimin. Ne jemi të përqendruar tek objektivi ynë dhe duam maksimumin e mundshëm. Të tilla ndeshje na shërbejnë shumë dhe mundohemi të marrim më të mirën”,tha Nikaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"