Skënderbeu-Kukësi, sot luhet Superkupa e (ar)miqësisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2016 | 9:28

Skënderbeu-Kukësi, sot luhet Superkupa e (ar)miqësisë

Nëse do të tentonim që t’i vinim një moto finales së Superkupës së Shqipërisë, e cila luhet sot mes Skënderbeut dhe Kukësit, do të ishte mjaft e vështirë. Përballë njëra-tjetrës do të jenë në fushë dy skuadra, sa të ngjashme, aq edhe të ndryshme, që këtë verë të gjatë pa futboll kanë përjetuar miqësi dhe armiqësi mes tyre, por që tani do rivalizojnë për trofeun e tretë për nga rëndësia mes tyre.

skenderbeu - kukesi

-Si Skënderbeu ashtu edhe Kukësi kanë në stol dy trajnerë debutues. Andrea Agostineli dhe Ernest Gjoka do të debutojnë në një ndeshje finale. Përtej fitimit të trofeut, në këtë sfidë do të shihet në ç’gjendje janë dy skuadrat që do të rivalizojnë sezonin e ardhshëm për titullin kampion.

-Si Agostineli ashtu edhe Gjoka drejtojnë dy skuadra, të cilat kanë arritur në këtë finale falë suksesit të dy trajnerëve të tjerë si Mirel Josa dhe Klodian Duro.

-Superkupa mund të jetë një barometër për atë që do të japin në fushë dy skuadrat, të cilat kanë zhvilluar stërvitje intensive kohët e fundit, megjithatë Gjoka është më në presion. Presidenti Gjici ka treguar se është tepër emotiv kur bëhet fjalë për trofe dhe do që t’i fitojë me çdo kusht ata. Ndryshe është situata me Takajn, i cili ka treguar se është më i durueshëm.

Presidenti i Kukesit Safet Gjici, ai i Skenderbeut Artan Take, deputeti i PD Ridvan Bode dhe Agim Zeqo, gjate ndeshjes se futbollit, Skenderbeu-Kukesi, 1-3, e vlefshme per Kampionatin Kombetar, e luajtur ne stadiumin, Skenderbeu, ne Korce.

-Finalja do të vendosë përballë dy skuadra, të cilat kanë bërë ndryshime radikale në stol kohët e fundit. Asnjëherë më parë Skënderbeu nuk kishte nderuar kaq shumë lojtarë në merkaton e verës, ndërsa ish-trajneri Josa ishte “i paprekshëm”. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Kukësin, ku presidenti Gjici, pavarësisht ndryshimeve në stol, në të kaluarën ka ruajtur boshtin e skuadrës, gjë e cila nuk ka ndodhur kohët e fundit.

-Plot tre lojtarë huazoi Skënderbeu te Kukësi gjatë verës, për ta ndihmuar për ndeshjet e Europës. Por, në fund, presidenti Gjici i akuzoi ata për mosimpenjim. Nuk munguan replikat në distancë dhe u duk sikur “aleanca” u prish, por me kalimin e ditëve marrëdhëniet mes dy klubeve u rikthyen si më parë.

-Sabjen Lilaj do të ketë mundësi që në këtë ndeshje t’i tregojë presidentit Gjici vlerat e tij, duke qenë se presidenti akuzoi atë dhe shokët e tij se ishin më të dobëtit në fushë.

Skenderbeu-Kukesi 2-0. Shkembi ne dyluftim me Zeqirin

-Në ndeshjen e sotme, të gjithë do t’i kenë të drejtuara sytë te dyshja Salihi-Pejiç. Nga i pari pritet shumë, duke qenë se kampionatin e shkuar ishte në formë të shkëlqyer. Por, rivalitetin këtë vit do ta ketë me Pero Pejiçin. Kroati kur largohet nga Shqipëria “humbet” disi nga performanca e tij, por çdo rikthim ka treguar se ende vlen. Kjo do të mbetet për t’u parë edhe këtë sezon.

-Përballja do të jetë e veçantë edhe për Gledi Micin, i cili kërkoi me çdo kusht largimin nga Kukësi dhe tani me fanellën e Skënderbeut do të kërkojë të marrë “hak”.

Skenderbeu0Kukesi 1-3

-Superkupa e Shqipërisë mund të konsiderohet edhe si trofeu i çudirave, duke qenë se për të nuk ka asnjë shpërblim nga ana e FSHFsë, megjithatë presidentët pritet të vendosin premio për lojtarët e tyre. Luajnë Skënderbeu dhe Kukësi, por ndeshja zhvillohet në kryeqytet dhe, për më tepër, në stadiumin e Tiranës, rivalja e të dy ekipeve.

Një gjë e tillë e bën pothuajse të pamundur udhëtimin e tifozëve nga Korça dhe Kukësi. Gjithashtu do të luajnë dy skuadra, presidentët e së cilave kanë shpenzuar miliona euro për të afruar lojtarë cilësorë.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"