Skandali në Vlorë, Flamurtari s’ka ekip 2 javë para startit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2019 | 22:01

Skandali në Vlorë, Flamurtari s’ka ekip 2 javë para startit (E PLOTË)

Gjithkush kërkon që të regjistrojë një rekord referuar arritjeve në gara apo aktivitete të ndryshme, por Flamurtari po shënjon një rekord negativ në historikun e futbollit shqiptar, por ndoshta edhe më gjerë. Vlonjatët, edhe pse u licencuan për të qenë pjesë e Kategorisë Superiore për këtë sezon, nuk kanë nisur akoma stërvitjen, në një kohë që më 24 gusht duhet të luajnë ndeshjen e parë të kampionatit.

Flamurtari

SITUATA

Sot data është 12 gusht, teksa kanë mbetur vetëm dy javë nga fillimi i kampionatit dhe Flamurtari ende nuk ka skuadër. Kaq mjafton për të kuptuar se në ç’gjendje është Superiorja këtë vit dhe se sa kompetitive do të jetë skuadra vlonjate për të ardhmen. Në asnjë vend tjetër nuk ndodh që një klub në kampionatin elitar të mos ketë ende numerikisht skuadrën gati e më pas të mos ketë kryer as fazë përgatitore.

flamurtarii

Nuk dihet nëse e ka marrë parasysh Komisioni i Licencimit në FSHF këtë fakt, por e sigurt është që Flamurtari sot nuk ka lidhje fare me emrin dhe historinë që ka. Dikur, shkruanin histori me Barcelonën, ndërsa sot nuk formojnë dot 11-shen titullare. Kushedi si ndihen Kushta dhe Ruci me shokë për këtë situatë kur shikojnë në këtë gjendje ekipin e tyre ku vendosën shpirtin në fushë dhe derdhën djersë për sukseset e atëhershme totalisht të merituara.

REKORDI NEGATIV

Nuk mbahet mend ndonjëherë që, jo vetëm Flamurtari, por çdo ekip në Shqipëri të nisë stërvitjen dy javë para fillimit të kampionatit. Aq më tepër, rekordi rëndohet edhe më shumë, pasi ky ekip ende nuk e ka nisur, edhe pse u licencua për të qenë në kampionat. Sot është parashikuar që mund të nisë, por ende nuk ka asgjë të sigurt.

Në këto kushte, Flamurtari do ta startojë kampionatin e këtij sezoni në ajër dhe në mëshirë të fatit, pasi dy javët në dispozicion as që i mjaftojnë për të lidhur ekipin së bashku dhe njohjen e lojtarëve, duke qenë se është tërësisht i ri, e për të mos folur më për fazë përgatitore. As që bëhet fjalë fare…

gerd haxhiu

EDHE PA FAT…

Këtyre halleve të mëdha që po kalon Flamurtari në këtë prag të nisjes së sezonit të ri futbollistik u shtohet edhe kalendari që është një “bombë” më vete. Kjo, për vetë faktin se që në javët e para u duhet që të ndeshen me ekipet më të forta, si për traditën dhe historinë e tyre, ashtu edhe për përbërjen e lojtarëve, që këtë sezon normalisht qëndrojnë më lart.

Sipas shortit të hedhur dy ditë më parë në FSHF, në javën e parë Flamurtari do të duhet që të udhëtojë në një transfertë ferri në Korçë, ku do të ndeshet me Skënderbeun vendës që drejtohet nga ish-trajneri i tyre në sezonin e shkuar, Ilir Daja. Edhe javët në vijim janë po të vështira, pasi në javën e dytë do të takohen me nënkampionët e Kukësit. Në javën e tretë me kampionët, e pikërisht me Partizanin, për të vijuar me Luftëtarin, Laçin, Bylisin, Tiranën, Teutën dhe Vllazninë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"