“S’ka panik pas barazimit me Bylisin”, trajneri i Apolonisë “presion” Partizanit: Duam të krijojmë vazhdimësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2020 | 11:54

“S’ka panik pas barazimit me Bylisin”, trajneri i Apolonisë “presion” Partizanit: Duam të krijojmë vazhdimësi

Apolonia ka barazuar 2-2 me Bylisin në javën e dytë, në “Loni Papuçiu”, një rezultat jo i keq, duke pasur parasysh faktin se fierakët janë një skuadër e re dhe pa përvojë në Superiore. Në një takim të rivalizuar, Apolonia mund të kishte marrë 3 pikë, sikurse dhe mund të largohej e humbur, gjithsesi barazimi ka qenë rezultati më i drejtë i kësaj ndeshjeje. Trajneri i Apolonisë, Xhovani Kolela, është shprehur përgjithësisht i kënaqur me lojën e skuadrës së tij, duke evidentuar rritje dhe përmirësim krahasuar nga ndeshja me Vllazninë.
KOLELA
“Në harkun e 4 ditëve, kemi luajtur dy ndeshje për kampionat, – thotë kryepankina fierake. – Nuk kemi pasur shumë kohë, ndaj dua ta përgëzoj skuadrën për ndryshimin pozitiv që bëri nga ndeshja me Vllazninë. Ne vinim pas një humbjeje dhe luajtëm me Bylisin, një tjetër ekip cilësor. Reagimi i lojtarëve tanë ka qenë shumë i mirë dhe pjesën e parë e kemi dominuar tërësisht lojën dhe kundërshtarin. E nisëm shumë vrullshëm, shënuam dy gola dhe kishim mundësi që ta vrisnim ndeshjen me gola të tjerë, por mungesa e përvojës ka ndikimin e vet. Pjesën e dytë kundërshtari prodhoi më shumë lojë dhe na vuri disa herë në vështirësi, derisa barazoi. Më vjen keq që e shpërdorim avantazhin e dy golave, megjithatë jam i kënaqur me nivelin e lojës së skuadrës, ndonëse na mbetet ende për t’u përmirësuar dhe për t’u konsoliduar”.

KUPA
Partizani goli

Më tej, trajneri Kolela shpreh optimizmin për vazhdimësinë e ekipit të tij, si dhe për ndeshjen e turit të dytë të Kupës përballë Partizanit. “Është vetëm fillimi, vetëm dy javë të luajtura. Nuk duhet parë si shqetësim pse kemi marrë vetëm 1 pikë, por duhet të shohim sa futboll prodhon skuadra. Unë shoh që po rritemi si grup dhe ndërprerja nga ndeshjet e Ligës së Kombeve na ndihmon për të korrigjuar dhe përmirësuar disa gjëra të vogla në skuadër. Unë jam optimist se, nëse skuadra arrin nivelin e kërkuar në lojë, atëherë rezultatet do të vijnë në mënyrë të padiskutueshme. Sa i përket ndeshjes së Kupës, do të kemi një përballje interesante me Partizanin dhe Apolonia nuk e neglizhon aspak këtë kompeticion. Kundërshtari është një ekip shumë i mirë, por ne do të futemi në fushë jo vetëm për t’u rritur në lojë, por edhe për të krijuar vazhdimësi pozitive. Apolonisë i vlen çdo ndeshje, si për Kupë dhe për kampionat, pasi ndihmon në kompaktësinë e grupit. Sigurisht që vëmendjen kryesore e kemi në kampionat, por edhe me Partizanin në Kupë do të luajmë fort dhe me seriozitetin e duhur për rezultat pozitiv”, është shprehur trajneri i Apolonisë.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"