“S’je burrë”/ Nga bastet te milionat, 12 vite luftë Konte-Murinjo: Unë nuk shes ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2021 | 12:08

“S’je burrë”/ Nga bastet te milionat, 12 vite luftë Konte-Murinjo: Unë nuk shes ndeshje

Njëmbëdhjetë vite pas Tripletës me Interin dhe arratisjes te Reali i Madridit, Zhoze Murinjo rikthehet në Itali, ku do të gjejë Antonio Konten, një prej rivalëve më të ashpër, por fati donte që “Gjenerali” të jetë i ulur në stolin zikaltër, i freskët pas shpalljes kampion si kampion i Serisë A. Përplasjet e forta mes të dyve njihen thuajse nga të gjithë, duke nisur pikërisht në Itali, duke kujtuar se në sezonin 2009-2010, Atalanta e Kontes e ndalte në një barazim 1-1 Interin e Zhozesë (13 dhjetor 2009), por ky kapitull i parë nuk ndikoi që në fund portugezi të festonte Tripletën, edhe pse thumbimet verbale në distancë nuk do të mungonin, por ndërkohë po bëhen gati që të rinisin nga sezoni i ardhshëm, kur “Special One” të marrë drejtimin e Romës.

conte

PËRPLASJE DIALEKTIKE – Në tetor 2016, Çelsi i Kontes turpëron Junajtidin e Murinjos 4-0 dhe teksa Antonio fton tifozët të bëjnë edhe më shumë zhurmë në stadium, Zhoze i shkon te veshi dhe i thotë: “Kështu festohet një fitore 1-0, jo 4-0, ndryshe për ne bëhet turpëruese”. Antonio as që e mori parasysh dhe vazhdoi të ftonte euforinë e fansave…

KATENAÇO – Shkurt 2017, me Çelsin e Kontes që fluturon drejt titullit në Premier, ndërsa Mançester Junajtid çalon. I pyetur se si luajnë blutë Murinjo akuzon: “Çelsi mbron shumë mirë, kur i ka të gjithë lojtarët e vet në zonë, duke pritur një dy momente që të shënojë atë golin e vetëm që i jep tri pikët. Çfarë të bësh, ky është futbolli i katenaços”.

SHPENZIMET – Pasi Çelsi fitoi titullin, Konte thumboi Murinjon, por edhe Sitin për arritjen e tij: “Sa mirë që në futboll nuk fiton kush shpenzon më shumë. Prandaj, titujt e Çelsit, Arsenalit apo Liverpulit janë më të bukur sesa të dikujt tjetër…”.

SHKULJE FLOKËSH – Nis sezoni 2017-2018 në Premier, me Konten që thumbon se pas titullit nuk do të donte të kishte fatin e Murinjos që shkarkohej në sezonin pasardhës. Por, me të marrë mesazhin, Zhoze i kundërpërgjigjet: “Do kisha shumë përgjigje për të dhënë, por nuk dua të më bien flokët duke folur për Konten”.

jose-mourinho-and-antonio-conte_aegyfqfyd5cb18l9xz0srv27c

PALAÇO – Fillimviti 2018 dhe Murinjo, jo më shpërthyes kur pyetet se mos ndoshta ku humbur shpirtin luftarak thumbon pa emër Konten: “Vetëm pse nuk sillem si një palaço buzë fushës nuk do të thotë se nuk kam gjak. Nuk nevojitet të bësh si i çmendur kur ke si detyrë të stërvitësh”. Ndërkohë, vjen edhe kundërpërgjigjja e Kontes: “Dikush të shohë çfarë ka bërë vetë në të kaluarën. Ndoshta do të ketë luhatje memorieje, pasi mosha nis të ndihet”.

SKANDALI I BASTEVE – Lufta mes të dyve arrin kulmin: “Ajo që mua nuk më ka ndodhur kurrë në jetë është të skualifikohem për shitje ndeshjesh dhe nuk do më ndodhë kurrë”, deklaroi Murinjo, duke i kujtuar Kontes dënimin e vuajtur për periudhën kur stërviste Sienën. Ndërkohë që italiani i përgjigjet: “Kush komenton faktet e të tjerëve pa njohur të vërtetën, nuk ka qenë burrë në të kaluarën dhe nuk do të jetë në të ardhmen. Prandaj, kur të shkojmë në Mançester për të luajtur me Junajtidin do të shkoj ta vizitoj në zyrën e tij përpara ndeshjes, për të parë nëse ka guxim që të m’i thotë në fytyrë këto gjëra”. Tani, çështja është nëse ky ballafaqim sy më sy në një dhomë pa askënd tjetër mund të ndodhë nga sezoni i ardhshëm në Itali ndoshta…

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"