“Situatë e vështirë”, flet portieri i Skënderbeut: Duhet një mrekulli për mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2021 | 16:13

“Situatë e vështirë”, flet portieri i Skënderbeut: Duhet një mrekulli për mbijetesën

Skënderbeu hyn në javën e përgatitjeve për ndeshjen e radhës në kampionat përballë Kukësit. Një takim ky tejet i rëndësishëm për korçarët në garën për të qëndruar në elitë dhe për të rikuperuar pikët e diferencën me rivalët. Korçarët vijnë nga një fitore me Apoloninë dhe morali është lart.

Dajsinani5

Por, ajo që e shton më shumë besimin tek ekipi i Memellit, është rikuperimi i Elvi Berishës, i cili e mbylli si i dëmtuar takimin me Apoloninë. Berisha është bashkuar me ekipin ditën e djeshme pas seancave të diferencuara që ka zhvilluar dhe normalisht që pritet të testojë gjendjen në ditët në vijim. Rikuperimi i tij është tejet i favorshëm për ekipin e drejtuar nga Memelli, pasi në ndeshjet e fundit Berisha ka qenë një pikë kyçe e formacionit të korçarëve.

Tashmë me Berishën thuajse gati, gjithçka mund të themi se xhiron në rrugën e duhur për Skënderbeun. Me një grup deri diku të plotë, korçarët do të mundohen të bëjnë befasinë në Kukës përballë një kundërshtari të goditur dhe jo në ditën e tij më të mirë. Gjithsesi, ndeshja mbetet e vështirë dhe këtë më mirë se kushdo e dinë lojtarët që janë në fushë. I këtij mendimi është edhe portieri bardhekuq Mario Dajsinani, i cili kërkon të mbajë lart frymën e optimizmit që prej ditësh ka pushtuar kampin bardhekuq.

Për Dajsinanin nuk ka më kohë për gabime dhe lëniet e pikëve janë të pafalshme në këtë moment. Nga ana tjetër gardiani bardhekuq, flet edhe për ruajtjen e ecurive pozitive që në këtë moment janë më se të domosdoshme. “Vijmë nga një fitore në transfertë përballë një kundërshtari direkt si Apolonia dhe normalisht që është një moment i mirë për ne si në raport rezultatesh ashtu edhe për sa i përket faktit që kemi lënë pas një kundërshtar. Fitoret e fundit na japin moral dhe shpresë, prandaj duhet të vijojmë me këtë ritëm.

Të gjejmë forcën të bëjmë mirë edhe në Kukës megjithëse është një takim i një shkalle vështirësie shumë të lartë. Ne do të mundohemi të japim më të mirën tonë në këtë ndeshje dhe një gjë të tillë duhet ta bëjmë për të mbajtur në elitë emrin e Skënderbeut. Situata është e vështirë dhe nuk kemi pse e fshehim, por do të përpiqemi deri në fund. Javë ka shumë në dispozicion dhe pikët janë të mundshme për t’u rikuperuar. Tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të luajmë të bashkuar si grup dhe të mundohemi të marrim maksimumin e mundshëm deri në fund duke parë çdo takim si një finale”, mbylli prononcimin e tij Dajsinani.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"