Sinella: Meritonim më shumë ndaj Tiranës, por më mirë një pikë sesa fare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2017 | 10:50

Sinella: Meritonim më shumë ndaj Tiranës, por më mirë një pikë sesa fare

Bledar Sinella priste më shumë se një barazim në kryeqytet. Trajneri i Laçit ka mbetur i kënaqur nga loja e të tijve dhe rastet e prodhuara, megjithatë në fund tregohet realist, ndërsa thotë se më mirë është një pikë sesa hiç. Është i kënaqur nga gjykimi dhe në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” thekson se skuadra e tij do të jetë një “kockë e fortë” për çdo rival, edhe për kryesueset.

Sinella

I kënaqur me barazimin në Tiranë, apo prisnit më shumë?

Shkuam për të marrë maksimumin e pikëve në kryeqytet. Për nga mënyra si shkoi loja dhe ndeshja e mirë që zhvilluam, prisnim më shumë. I kishim të gjitha mundësitë që të merrnim pikët e plota. Rastet që prodhuam, ishin me bollëk dhe të pastra madje. E goditëm dy herë shtyllën. Ndaj mendoj që e meritonim fitoren. Megjithatë, më mirë një pikë sesa fare.

Si janë llogaritë e mbijetesës pas atij barazimi?

Në lojë janë akoma shumë pikë. Nëse vazhdojmë të luajmë në këtë mënyrë, jemi në rrugën e duhur. Pjesën e parë nuk arritëm të dilnim në lojën tonë dhe kundërshtari krijoi një epërsi të lehtë. Spostimet e bëra në pjesën e dytë dhanë rezultatin që pritej.

U anuluan dy gola, një i Laçit dhe tjetri i Tiranës. Keni ndonjë koment?

Arbitrimi, për mendimin tim, ishte korrekt. Për golat e anuluar nuk mund të them asgjë.

Një ndeshje që nisi dhe u mbyll me “fair play” total, por në korridor jo gjithçka shkoi kështu. Çfarë ndodhi me zv.trajnerin e Laçit?

Ishte thjesht një keqkuptim, i cili u zgjidh shumë shpejt. Më vjen keq që i prishi bukurinë e post-ndeshjes, pasi gjithçka shkoi perfekt.

Si paraqitet gjendja e skuadrës, keni mungesa kundër Skënderbeut?

I vetmi që nuk do të jetë në ndeshjen e radhës është Bruno Lulaj, që plotësoi të verdhët. Megjithatë, lajm i mirë është që rikthehet Shala, që ezauroi pezullimin.

Në 5 ndeshjet e radhës përballeni me ekipet që duan titullin dhe ata që synojnë Europën, i druheni kalendarit?

Asnjë nuk është e pamundur. Sigurisht që të vështira janë, pasi në këtë fazë të kampionatit nuk ka përballje të lehta. Pastaj, ne kemi treguar deri më tani që jemi një “kockë” e fortë për t’u kaluar.

Nëse përsërisni Tiranën, sa pikë prisni nga javët e ardhshme?

T’i marrim ndeshjet një e nga një. Do të bëjmë maksimumin duke nisur nga Skënderbeu dhe, më pas, do mendojmë për të tjerat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"