Sinella: Laçi nuk e diskuton mbijetesën, për fitore ndaj korçarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2017 | 9:53

Sinella: Laçi nuk e diskuton mbijetesën, për fitore ndaj korçarëve

Fitorja e djeshme e Flamurtarit e ka zbritur Laçin në vendin e parafundit, pozicion i cili të zbret në Kategorinë e Parë në përfundim të kampionatit. Përpos asaj që ka ndodhur mbrëmë në Vlorë, ku Flamurtari mposhti Vllazninë, trajneri i Laçit, Bledar Sinella, është optimist para ndeshjes së sotme me Skënderbeun.

Sinella

Që të mbeten në Superiore, e pakta që duhet të bëjë Laçi është që të mbajë Flamurtarin poshtë vetes, por duke parë që diferenca është e vogël, janë mundësitë për të parakaluar ndonjë ekip që ndodhet më lart në renditje. Ndeshja me Skënderbeun është prova e parë për kurbinasit.

Laçianët i presin në shtëpi korçarët, të cilët gjithashtu janë të interesuar për fitoren, pasi janë në garë për titullin kampion. Trajneri Sinella në një prononcim për “Panorama Sport”, pohoi se skuadra e tij nuk e diskuton mbijetesën dhe pohon se Laçi do të kërkojë vetëm fitoren ndaj Skënderbeut.

“Laçi gjatë gjithë sezonit ka qenë në këto pozita, por kam besim të plotë se skuadra që drejtoj nuk do ta diskutojë mbijetesën. Kam besim të plotë se në përfundim të sezonit, Laçi do të mbetet pjesë e Superiores, Ndaj për ta arritur këtë qëllim, ne do të kërkojmë më të mirën në 7 javët e mbetura, duke nisur nga përballja e sotme me Skënderbeun.

Luajmë në shtëpi, por shkalla e vështirësisë është e madhe në këtë takim. Jemi përgatitur gjatë gjithë javës për të marrë maksimumin ndaj Skënderbeut, kështu që do të hyjmë në fushë për fitore. Nuk kemi pse të futemi në panik apo të shtojmë presionin, por të bëjmë detyrat e të marrim rezultatet që na duhen”, u shpreh trajneri i Laçit para ndeshjes me Skënderbeun.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"