“Shuplakë” Besës, Elbasani më në fund kryeson i vetëm. Dede: Nuk e kishim menduar këtë rezultat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2024 | 12:23

“Shuplakë” Besës, Elbasani më në fund kryeson i vetëm. Dede: Nuk e kishim menduar këtë rezultat

Besa ka zhvilluar ndoshta ndeshjen më të keqe në këtë sezon, ku u mund në shifrat 5-0 nga Elbasani. Madje edhe tifozët dhe lojtarët elbasanas nuk e kishin shkuar nëpër mend se do të gjenin një Besë kaq të dobët.

ELBASANI FESTE

Me një sulm ku Ba ishte figurant në fushë, pa asnjë goditje në portën mike, por edhe me një mesfushë aspak më të mirë, miqtë bënë çfarë deshën, aq sa dy qendrat Pere e Telushi u shtynë  përpara deri në mesfushë. Mungesat në mbrojtje ndikuan ndjeshëm në paraqitjen e dobët të kavajasve. Ndërsa Elbasani me këtë fitore zbavitëse dhe humbjen e Bylisit ndaj Luzi 2008 udhëheqë i vetëm Kategorinë e Parë me 56 pikë, një më shumë sesa ballshiotët që kanë zbritur në vend të dytë. Ndërsa Besa vijon të notojë në “ujëra të turbullta”, madje me fitoren e Luzit rrezikon edhe rënien direkte nga Katgeoira e Parë.

Ndeshja- Besa hyri në fushë me 3 mungesa me peshë, si Spahiu dhe dy qendërmbrojtësit Abdulai e Kapo. Ramilli e pati të vështirë të ndalonte furinë e sulmit mik. Pa u mbushur 4 minuta lojë, Ardit Hoxhaj që në vijën ballore lëshon një goditje brilante, duke shënuar për miqtë. Besa ende nuk ka hyrë në lojë dhe miqtë nxitojnë të kërkojnë golin e sigurisë, që e arrijmë me Grecën në të 23-ën.

Mbrojtësit kavajas ngatërrohen me njëri–tjetrin dhe Greca përfiton në rrëmujë, godet e dyfishon shifrat. Si për t’i “vënë kapakun” dështimit, vjen edhe kartoni i dytë i verdhë i Nkubes që e la Besën me 10 vetë në minutën e 33-të. Të mbetur me një futbollist më pak, kavajasit nuk kanë as forcë, as qartësi duke ia lehtësuar miqve edhe golin e tretë, ku në të 36-ën Greca merr një “asist” nga një mbrojtës kavajas dhe nuk fal, 0-3. Në këto shifra mbyllet pjesa e parë.

Fraksioni i dytë ruan të njëjtën tablo me Elbasanin që është padron i fushës ku shënon edhe dy gola të tjerë. Trajnerit Haxhiu  fut në lojë në fillim të pjesës së dytë Puqjen e Kamohelon, por që nuk ndryshojnë asgjë. Elbasani gjen edhe golin me Hasanin në minutën e 54-t. Ndërsa braziliani Leo Melo, që hyri si zëvendësues, në minutën e 70-të vulos “shuplakën” e elbasanasve ndaj Besës. Në 20 minutat e mbetura elbasanasit thjesht administrojnë lojën duke shfaqur edhe shenja “mendjemadhësie” ndaj kavajasve të shkërmoqur në çdo aspekt.

Nevil Dede: Nuk e kishim menduar këtë rezultat para ndeshjes

Elbasani arriti një fitore me shumë vlera në transfertë ndaj Besës. Përveç pesë golave të shënuar, rikthimi te goli i Bedri Grecës, kjo ka rezultuar java e verdhebluve, pasi aktualisht kryesojnë të vetëm me një pikë më shumë se Bylisi. Nevil Dede, trajneri i Elbasanit pas këtij suksesi pohoi se nuk e kishte menduar që skuadra e tij do të arrinte të merrte një fitore me rezultat kaq të thellë.

“Nuk e kishim menduar këtë rezultat para sfidës dhe gjithçka e pati vlerësimin maksimal. Shënuam shpejt dhe kur Besa mbeti me 10 futbollistë e patëm më të lehtë. Duhet të luajmë gjithmonë kështu, pa e ulur aspak ritmin. Natyrisht tani fillon edhe pjesa më e vështirë e garës, pasi do na duhet të ruajmë kreun”, u shpreh trajneri Dede për “Panorama Sport”.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"