“Shumë pak diferenca”, Shtubina ëndërron Europën: Luajmë për fitore ndaj Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2020 | 22:37

“Shumë pak diferenca”, Shtubina ëndërron Europën: Luajmë për fitore ndaj Laçit

Fitorja ndaj Flamurtarit ka qenë tejet e rëndësishme për Vllazninë në këto momente. Një mendim të tillë e ka edhe mesfushori sulmues, Ndriçim Shtubina. Sipas tij, një fitore e tillë nuk erdhi lehtësisht. Kuqeblutë kanë qenë superiorë në këtë përballje dhe, sipas mesfushorit sulmues, e kanë merituar plotësisht fitoren. 

ndricik shtubina

“Ne e kishim menduar si një takim jo të lehtë. Ishim përgatitur dhe arritëm që ta fitonim këtë përballje. Por, dua të them se e kemi merituar plotësisht atë. Për ne kishte rëndësi trepikëshi në këtë takim për të qenë në ritmin e skuadrave të tjera. Mendoj se ia kemi arritur me plot meritë dhe kjo do të na vlejë më shumë për vazhdimësinë”, u shpreh mesfushori për “Panorama Sport”.

 LAÇI 

Vllaznia ka një tjetër sfidë në shtëpi, por kësaj here ndaj ekipit të Laçit. Një ndeshje e vështirë për Vllazninë, por në kampin shkodran ka optimizëm. Këtë e shpreh edhe një ish i skuadrës laçiane, siç është Shtubina. “Ndaj Laçit nuk është njëlloj si ndaj Flamurtarit. Niveli i skuadrës së Laçit dihet.

Do të jetë një përballje e vështirë për ne, por në asnjë moment nuk e mendoj të pakalueshme. Ne do të përgatitemi shumë për këtë takim dhe këtë e kemi nisur që sot (dje). Për ne nuk do të ketë asnjë alternativë tjetër veç fitores. Ne do të hyjmë në këtë përballje për të fituar në mënyrë që të vijojmë të jemi në valle me ekipet e tjera. Nuk do ta kemi të lehtë, por mendoj se do t’ia dalim”, vijon Shtubina.

 VAZHDIMËSIA

“Është shumë herët për të thënë se ku mund të shkojmë pas dy fazave, sepse kampionati është shumë i gjatë dhe i vështirë. Por dua të them se nëse japim më të mirën tonë në çdo takim, atëherë i kemi mundësitë të jemi shumë më lart në tabelën e klasifikimit.

Po i shikojmë të gjithë ekipet se kanë diferenca të vogla. Me përjashtim të dy skuadrave të fundit, të tjerat janë aty-aty me lojëra e me pikë. Prandaj, asgjë nuk mund të quhet e pamundur. Ne do të bëjmë gjithçka që të jemi më lart në tabelën e klasifikimit”, përfundoi Shtubina.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"