“Shtyrja na ka ndihmuar”, trajneri Kolela: Ja e vërteta e udhëtimit në Itali

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2020 | 22:30

“Shtyrja na ka ndihmuar”, trajneri Kolela: Ja e vërteta e udhëtimit në Itali

Trajneri i Apolonisë, Xhovani Kolela, ka qenë i mërzitur pas humbjes së thellë që Apolonia pësoi me Shpresën e Shqipërisë. Por, ai nuk e bën dramatike, duke theksuar se janë vetëm ndeshje miqësore, nga të cilat duhen nxjerrë mësimet e duhura, në mënyrë që skuadra të përmirësohet dhe të jetë gati për fillimin e kampionatit.

Kolela

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, pas humbjes me Kombëtaren U-21, trajneri i Apolonisë ka sqaruar edhe largimin e tij drejt Italisë, që u konsiderua si largim i mundshëm nga pankina e skuadrës.

Një humbje e thellë, ndonëse me një kundërshtar në moshë të re. Çfarë vlerësimi bëni për paraqitjen e skuadrës suaj ndaj Shqipërisë U-21?

Po, ka qenë një humbje e thellë, shifrat duken pak të ekzagjeruara, por paraqitja e skuadrës sonë nuk ka qenë në nivele për një humbje të tillë. Kemi luajtur mirë në momentin e posedimit të topit, por patëm probleme kur topin e kishte kundërshtari. Megjithatë, është vetëm një miqësore dhe nuk ka rëndësi rezultati, por loja dhe në këtë drejtim kemi shumë për të bërë, sidomos në zotërimin dhe qarkullimin e topit.

Pavarësisht se ka qenë miqësore, duke bërë një analizë të përgjithshme të të gjitha testimeve verore, ku “çalon” Apolonia, sipas jush?

Çdo ndeshje miqësore ka pasur rëndësinë e saj, sepse na ka ndihmuar për ta njohur më mirë skuadrën, për të parë të metat që nuk shkojnë dhe për të korrigjuar. Ne kemi ndryshuar shumë dhe e kemi përmirësuar hap pas hapi lojën tonë. Por, të mos harrojmë që jemi një skuadër me lojtarë të rinj dhe duhet ende kohë për t’u mësuar dhe për të funksionuar siç duhet. Me kalimin e kohës, skuadra do të fitojnë më shumë përvojë dhe do të rrisë edhe cilësinë dhe besimin në vetvete, elemente që në ndeshje të veçanta i ka shfaqur.

A e keni kohën e duhur në dispozicion për t’i korrigjuar këto të meta dhe për ta konsoliduar ekipin ashtu siç duhet?

Ne jemi duke punuar fort në të gjitha drejtimet dhe skuadra është rritur në treguesit e saj. Shtyrja e kampionatit për shkak të bojkotit na ka ndihmuar për të përmirësuar shumë gjëra, por ende na duhet akoma punë gjer në konsolidimin e plotë. Kemi kohën e mjaftueshme për të korrigjuar dhe për të ndërtuar mirë gjithçka.

Çfarë po ndodh me lojtarët ganezë? Dhe në interes të publikut fierak e më gjerë, do të vijnë apo jo?

Patjetër që do të vijnë, por janë vonuar për shkak të procedurave dhe rregullave që duhen zbatuar. Njëri ka ardhur dhe dy të tjerë pritet të mbërrijnë të martën, maksimumi të mërkurën.

A mund të quhet e plotësuar organika me ardhjen e 3 lojtarëve ganezë?

Ne mendojmë se janë lojtarë që do të bëjnë diferencën dhe do të rrisin ndjeshëm kualitetin dhe konkurrencën në grup, edhe pse mund t’u duhet pak kohë për t’u përshtatur. Me ardhjen e tyre skuadra është e plotë, por nuk mohojmë mundësinë e ndonjë tjetër goditjeje të rëndësishme dhe, pa dhënë emra, po ju them se ne jemi në ndjekje e po bisedojmë me një tjetër lojtar. Detaje të tjera nuk mund t’ju jap për momentin.

Mister, udhëtimi jua drejt Italisë javën e shkuar ngjalli dyshime se ju u larguat nga drejtimi i skuadrës, ndonëse nga ana e klubit u qartësua gjithçka. Keni një mesazh sqarues për të “qetësuar” zërat e largimit tuaj nga Apolonia?

Kanë qenë thjesht thashetheme dhe asgjë e vërtetë. Unë udhëtova për në Itali, pasi kisha dy muaj që nuk shkoja. As e kam menduar dhe as e mendoj kurrë largimin tim nga Apolonia, pasi, së bashku me presidentin Kokëdhima, kemi projekte të mëdha përpara.

Unë dua që Apolonia të rritet, të ketë progres, të jetë një skuadër cilësore e me rezultate dhe për këtë jam i gatshëm të jap përvojën dhe kontributin tim maksimal. Unë nuk e kam zakon që të largohem nga njerëzit dhe nga projektet që më besohen, ndaj do të vazhdoj të jem pjesë e kësaj skuadre dhe e këtij klubi.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"