Shtubina sqaron largimin nga Vllaznia: Nuk ishte për çështje financiare!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2017 | 10:48

Shtubina sqaron largimin nga Vllaznia: Nuk ishte për çështje financiare!

Ndriçim Shtubina ka mbyllur gjithç ka me Vllazninë dhe, pas 6 vitesh aktivizimi radhazi, duket se nuk ka ndër mend të vazhdojë te shkodranët. Një ditë më parë, ai kishte paralajmëruar për “Panorama Sport” ultimatumin 4-ditor që i kishte vendosur klubit, por mesa duket nuk ka duruar.

Ndricim Shtubina Vllaznia

Fillimisht, ish-kapiteni i kuqebluve ka qartësuar gjithçka me një status në “Facebook”, ku ka njoftuar për largimin e tij nga shkodranët, të cilët janë në vendnumëro sa i përket sezonit të ri. “Nga ky moment jam lojtar i lirë, shpresoj që Vllaznia të blejë Mesin në vendin tim, s’kam çfarë flas më”, ishte mesazhi me plot ironi i futbollistit në rrjetet sociale.

Pak ditë më parë, Shtubina vendosi të mos dilte në stërvitje me Vllazninë. Ai bëri të qartë asokohe se kishte disa mosmarrëveshje me klubin për sa u përkiste kushteve kontraktuale për sezonin në vijim. Ndonëse ai tha se priste zgjidhjen e këtyre problemeve, me sa duket, gjërat nuk kanë shkuar në rrugën e duhur dhe futbollisti ka vendosur t’u japë lamtumirën shkodranëve.

Mirëpo, nga sa thuhet nga vetë lojtari, “divorci” i padëshiruar i tij me Vllazninë nuk ka pasur të bëjë me kontratën apo aspektin financiar. I kontaktuar dje nga gazeta, ai e cilësoi këtë largim të palidhur me anën financiare.

“Që sot (dje), jam lojtar i lirë. Më vjen keq, por unë nuk isha unë ai që kërkova këtë largim. Prisja një përgjigje, që në fakt ishte jo e duhura për mua. Problemi financiar? Jo, nuk bëhet fjalë për këtë, por për disa gjëra që as unë s’di pse ndodhën”, ka thënë ish-kapiteni i Vllaznisë.

Me largimin e tij, numri i lojtarëve nga skuadra e sezonit të shkuar që nuk do të jenë më pjesë e Vllaznisë shkon në 10. Për herë të fundit në një skuadër tjetër Shtubina është aktivizuar në vitin 2011 me Flamurtarin. Tashmë gjasat janë që 30-vjeçari të vijojë karrierën në një klub tjetër të Superiores.

Shtubina nuk ka dhënë detaje, por gjithsesi në drejtim të tij kanë ardhur disa oferta. Burime pranë lojtarit tregojnë se ai është kontaktuar nga Laçi, por gjithsesi mbetet për t’u parë në ditët në vijim se ku do të nënshkruajë. Kontrata e tij me Vllazninë është prishur në mënyrë konsensuale, pasi ishte edhe për një vit tjetër.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"