Shtubina, jashtë deri në janar

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 13, 2012 | 14:01

Shtubina, jashtë deri në janar

Mesfushori shkodran, Ndriçim Shtubina, vazhdon të ketë probleme me dëmtimin e tij në gju, çka ka sjellë edhe mospërfshirjen e tij në ekip në takimet e fundit. Lojtari ka pësuar një dëmtim të rëndë në ligamentet e gjurit, ndërsa terapitë e bëra nga ai deri në këto momente nuk kanë dhënë frytet e pritura, çka mund të sjellë edhe një ndërhyrje kirurgjikale. Kjo do të thotë se Shtubina nuk do të jetë pjesë e skuadrës minimalisht deri në muajin janar. Ai në këto momente e ka të pamundur të bashkohet me skuadrën në seancat stërvitore. Megjithatë, në rast se lojtari kryen ndërhyrjen kirurgjikale, mund të jetë sa më shpejt pjesë e ekipit, madje që në muajin janar gjatë fazës përgatitore. Stafi mjekësor i skuadrës së Vllaznisë është i bindur se tashmë për lojtarin kjo pjesë e mbetur e fazës së parë të kampionatit të Kategorisë Superiore mund të konsiderohet e mbyllur, duke qenë se futbollisti nuk do të jetë më nën urdhrat e trajnerit Shpëtim Duri. Ky dëmtim i Shtubinës vjen në momentin më të papërshtatshëm jo vetëm për ekipin, por edhe për vetë futbollistin, i cili ishte kthyer në një titullar të padiskutueshëm dhe në një pikë të fortë për skuadrën. Në fillim të sezonit ai është përdorur si zëvendësues por, më pas, me paraqitjet e mira që tregoi, arriti të zinte një vend në formacionin bazë.
Stërvitja Ditën e djeshme ekipi shkodran zhvilloi stërvitje nën urdhrat e trajnerit të dytë, Vioresin Sinani, dhe ndihmësit tjetër të trajnerit Duro, Elis Legata. Dy zv.trajnerët e zhvilluan stërvitjen së bashku me ekipin rreth fushës dhe më pas organizuan edhe disa ushtrime me topin. Seanca e djeshme u realizua me kapacitetin e plotë të saj, edhe pse ishte e para për këtë javë përgatitore dhe ekipi vinte pas një dite pushim. Sinani dhe trajneri i portierëve Legata e kryen stërvitjen nisur nga plani që tekniku Duro kishte lënë gati për dy ndihmësit e tij. Ndërkohë, dje ishte i pranishëm edhe Dragoi, i cili zhvilloi jo vetëm vrapimet me shokët e tij të ekipit, por edhe ushtrimet me topin. Tani pritet që ai të bashkohet me grupin dhe, pse jo, të kthejë ndoshta edhe fatin e munguar në skuadrën shkodrane. Sot ekipi do të zhvillojë dy seanca stërvitore, një gjatë paradites dhe një tjetër pasdite, të cilat do të drejtohen nga trajneri Duro.

Shtyhet analiza, mungon Duro
Tekniku Duro ka munguar në seancën e djeshme stërvitore, për shkak se është duke marrë pjesë në kursin e “UEFA PRO”, çka largon çdo dyshim për një largim të mundshëm të tijin nga Vllaznia. Mirëpo mungesa e teknikut kryeqytetas ka shtyrë edhe analizën e ndeshjes me Tiranën, të cilën shkodranët e humbën në shtëpi me shifrat minimale. Pavarësisht humbjes së ekipit, siç kanë lënë të kuptohet dhe drejtuesit e klubit, apo edhe vetë trajneri, analiza nuk pritet të jetë me tone të larta, pasi skuadra ka bërë një paraqitje dinjitoze. Gjithashtu mësohet se nuk do të merret asnjë masë për faktin se ka humbur vendin e dytë në klasifikim dhe është eliminuar nga kupa.

Vllaznia ka marrë vetëm gjysmën e pikëve
Java që shkoi ka qenë ndër më të pafatat për Vllazninë. Në një hark kohor prej shtatë ditësh, shkodranët lëshojnë vendin e dytë dhe eliminohen nga Kupa e Shqipërisë, për më tepër me një skuadër tepër të re të paraqitur nga peqinasit në përballjen e dytë. Mirëpo në 10 takimet e zhvilluara në kampionat kuqeblutë kanë arritur të marrin vetëm gjysmën e pikëve, 15 të tilla, ku 60% të sfidave i kanë zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”. Me 15 pikët e grumbulluara, nga 30 që kanë qenë gjithsej në lojë, ekipi shkodran ka treguar edhe njëherë se do ta ketë të vështirë për ta arritur objektivin final, për të zënë një nga vendet që të çon në Kupat e Europës.
ADMIR URUÇI





www.minuta90.com