Shtohen dhimbjet e kokës për Dajën, mbushet “infermiera” e Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2020 | 19:12

Shtohen dhimbjet e kokës për Dajën, mbushet “infermiera” e Skënderbeut

Sikur të mos mjaftonte humbja me Tiranën dhe largimi nga zona “Euro”, të tjera halle i shtohen Skënderbeut. Në një situatë kur ndeshjet u bënë të ngjeshura dhe mbi të gjitha korçarët filluan më vonë se çdokush përgatitjet, tashmë duhet t’i bëjnë llogari edhe me dëmtimet. Bardhekuqtë deri diku ishin të vetëdijshëm se do të përballeshin me probleme të njëpasnjëshme, por nuk ishin të përgatitur për kaq shumë njëherësh.
Skenderbeu festa e golit

Kur po afron java e 32-të dhe luhet një ndeshje direkte për vendin e tretë, Ilir Daja duhet t’i bëjë llogaritë me një “mal” me mungesa. Skuadra është thuajse e boshatisur, pasi gati gjysma e titullarëve po punojnë të diferencuar. Dhe sikleti më i madh është për qendra e mbrojtjes dhe krahët e sulmit.

MBROJTJA – Bajram Jashanica dhe Artim Pollozhani u bënë ditë që po punojnë me rendimet të ulët, duke krijuar ankth për repartin e prapavijës. Për të mos rënduar gjendjen, stafi mjekësor ka menduar që të stërviten të veçuar nga pjesa tjetër. Dhe bilanci rëndohet kur dihet që edhe Jorgo Meksi nuk luan, pasi dihet që e ka mbyllur sezonin pas asaj ndërhyrjeje horror që mori ndaj Bylisit. Praktikisht, vetëm Pëllumbi dhe Imami janë mbrojtësit e vetëm natyralë që ka stafi teknik në dispozicion.

MESFUSHA – Shqetësime ka edhe mesfusha, pasi Asion Daja nuk e ka rimarrë ende veten. Ai e la fushën në ndeshjen ndaj bardhebluve, si pasojë e një problemi muskulor. Lojtari po kryen vetëm ushtrime të thjeshta dhe nuk dihet ende nëse do të jetë gati për ndeshjen e radhës apo jo.

SULMI – Që Ilir Daja do të eksperimentojë edhe në këtë takim kjo dihet, por trajneri të paktën shpreson që të ketë një organikë më të plotë se në ndeshjen me Tiranën. Kjo edhe për faktin se Dejvi Bregu dhe Nazmi Gripshi nuk janë në formën e tyre më të mirë dhe shumicën e kohës nuk kanë qenë me grupin për të punuar. Vlonjati i mbetur jashtë edhe në ndeshjen e fundit ndien ende shqetësime në muskulin e shpejtësisë dhe kjo mund të bëjë që të mos rrezikohet të hënën. Në anën tjetër edhe durrsaku vijon të akuzojë një problem në muskujt e barkut, por me sa duket, lojtari mund të sakrifikojë sërish, sikundër bëri ndaj Tiranës. Me gjithë këto mungesa, Skënderbeu duket se do të shkojë “gjysmak” në Durrës, ndonëse ka për të luajtur një ndeshje përcaktuese për objektivin sezonal.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"