Shqipëria U-21 e nis me barazim rrugëtimin në Europian, Zeka merr të kuq për 3 minuta (Video)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2017 | 20:52

Shqipëria U-21 e nis me barazim rrugëtimin në Europian, Zeka merr të kuq për 3 minuta (Video)

Kombëtarja shqiptare U-21 e ka nisur me një barazim pa gola ndaj Estonisë rrugëtimin e saj në kualifikueset e Kampionatit Europian të kësaj grupmoshe.

shqiperi estoni u21

Trajneri Bushi kishte bërë shumë zëvendësime në formacionin titullar në krahasim me duelin ndaj Francës, si pasojë e dëmtimeve të futbollistëve të ndryshëm. Ndaj nga minuta e parë në fushë zbritën futbollistë si Ceka, Kallaku e Mustafa, të cilët kishin luajtur më pak në takimet e mëparshme të kuqezinjve.

Por Shqipëria dominoi në lojën e saj duke krijuar raste të njëpasnjëshme para portës kundërshtare, ku me radhë Abazaj, Seferi e Mustafa vunë në vështirësi portierin Igonen. Ky i fundit ishte në një formë të shkëlqyer dhe mbajti në lojë skuadrën e tij me ndërhyrje shpeshherë vendimtare si ajo ndaj Bares që provoi të shënonte direkt edhe nga goditja e këndit.

Planet e Bushit për minutat e fundit të ndeshjes u prishën në momentin kur u aktivizua Agim Zeka. Talenti që luan në Francë, u ndëshkua me karton të kuq vetëm 3 minuta pasi hyri në fushën e lojës pasi shkeli një kundërshtar, duke lënë ekipin me 10 lojtarë.

Por edhe kjo nuk ndali sulmet e kuqezinjve që provuan në ët gjitha mënyrat të shënonin deri në vërshëllimën përfundimtare. Megjithatë, asnjë nuk arriti të dërgonte topin në rrjetë, duke mbyllur këtë ndeshje të parë të eliminatoreve me barazimin 0-0.

MINUTË PAS MINUTE

90’+6′ Dëgjohet vërshëllima përfundimtare, ndeshja mbyllet pa gola.

90’+3’ Kundërzbritje e shpejtë e kuqezinjve që i afrohen golit. Hebaj nxjerr të lirë Baren para portës por mesfushori gabon në mënyrë të pabesueshme para duke dërguar sferën jashtë me të djathtën.

90’+2’ Goditje dënimi në pozicion të favorshëm për Shqipërinë, Çekiçi nuk koordinohet siç duhet dhe sfera përfundon larg kuadratit të Estonisë.

90’ Pesë minuta shtesë deri në mbylljen e ndeshjes.

89’ Seferi shfaqet në të djathtën e sulmit, por pasimi i tij në qendër nuk arrihet nga askush.

87’ Pak minuta në dispozicion edhe për Endri Çekiçin, i cili zë vendin e Kristal Abazajt.

83’ Edhe Ceka del në sulm ndërsa provon me të majtën e tij të gjejë rrjetën me një diagonale tokazi nga distanca por ndalet nga portieri kundërshtar.

81’ Shqipëria nuk dorëzohet, duke kërkuar fitoren edhe pse në inferioritet numerik. Pas një harkimi në zonë, është Bare që provon me një gjuajtje nga e djathta duke detyruar portierin kundërshtar të bëjë një tjetër ndërhyrje për të shpëtuar katërkëndorin.

76’ Ramadani shkakton faull në një pozicion mjaft të rrezikshëm pranë zonës kundërshtare. Livak godet menjëherë në portë, por sfera përfundon në duart e Selmanit.

67’ E pabesueshme ajo që ndodh në “Elbasan Arena”. Zeka hyn në fushën e lojës në vend të Mustafës dhe vetëm 3 minuta më vonë lë ekipin me 10 futbollistë pasi ndëshkohet me karton të kuq pasi shkel një kundërshtar. Dëshpërim te kuqezinjtë që po kontrollonin ndeshjen.

63’ Tjetër goditje dënimi për kuqezinjtë, këtë radhë është Ceka që gjuan në zhvillimin e saj, por nuk arrin të kalojë portierin e Estonisë, i vetmi që po mban në lojë skuadrën e tij.

63’ Goditje nga këndi për Shqipërinë, Bare provon direkt portën! Vetëm një grushtim i portierit shpëton katërkëndorin e Estonisë nga një gol që do të hynte në histori.

61’ Sapinen mbetet një rrezik i vazhdueshëm për katërkëndorin kuqezi. Këtë radhë sulmuesi i Estonisë nuk arrin të koordinohet siç duhet në një pozicion ët favorshëm, duke i dhënë kohë Selmanit të kontrollojë sferën.

59’ Seferi provon me një shpërthim në krahun e majtë, gjuajtja e tij diagonale nuk harkohet siç shpresonte futbollisti i talentuar dhe përfundon jashtë.

55’ Seferi provon me një tjetër gjuajtje të fortë nga distanca, pa sukses, me sferën që përfundon në fundore.

51’ Abazaj, i pozicionuar tashmë në krahun e majtë të sulmit, harkon bukur në zonë për Mustafën i cili gjuan me kokë, por topi kalon mbiu traversën e portës së Estonisë.

46’ Bushi ndryshon rreshtimin e skuadrës, duke larguar Kallakun për të aktivizuar sulmuesin e Vllaznisë, Hebaj, për të çuar në 5 numrin e futbollistëve të Superiores në fushën e lojës.

45’+1’ Pjesa e parë mbyllet me një goditje dënimi ballore të shkëlqyer të Bares, por edhe më një përgjigje po aq të mirë të portierit kundërshtar që grushton duke larguar rrezikun.

41’ Rast i pabesueshëm i humbur para portës nga Kristal Abazaj. Sulmuesi depërton në zonë i vetëm para portierit dhe gjuan i sigurt, por sfera ndalet me këmbë nga Igonen. Sfera përplaset përsëri në trupin e sulmuesit shqiptar dhe përfundon jashtë, mbi traversë.

38’ Ka rënë disi rrezikshmëria e Kombëtares U-21, pasi estonezët tani kontrollojnë më mirë hapësirat duke mos i dhënë mundësi sulmuesve të rrezikshëm kuqezi.

30’ Sapinen niset me shpejtësi drejt portës kundërshtare, arrin të kalojë edhe Selmanin që kishte dalë nga zona e rreptësisë për të ndalur këtë aksion. Por futbollisti estonez vonohet duke i dhënë mundësinë portierit shqiptar që të kthehet dhe të kontrollojë sferën, drithërima në katërkëndorin kuqezi.

27’ Bare provon të gjejë golin e avantazhit me një gjuajtje nga 40 metra, por nuk ka shënjestrën e duhur për të mposhtur portierin kundërshtar.

24’ Abazaj arrin të depërtojë shumë mirë në zonë nga krahu i djathtë i sulmit pas asistit perfekt të Kallakut, por para portës kundërshtare gabon gjithçka me gjuajtjen e tij që përfundon mbi traversë.

19’ Zgjohen edhe estonezët. Sapinen provon me një depërtim nga krahu i majtë në zonën kuqezi, por Tafa dhe Toli kontrollojnë gjithçka duke ndaluar kapitenin e skuadrës kundërshtare.

13’ Goditje nga këndi e Bares, Seferi provon me kokë, por një mbrojtës kundërshtar devijon sferën në goditje nga këndi. Në vijimin e saj, është përsëri një gjuajtje e shpejtë fluturimthi e Seferit me të djathtën por sfera kalon jashtë kuadratit, ngjitur me shtyllën në të majtën e portierit kundërshtar.

8’ Kombinim i bukur mes Ramadanit dhe Mustafës, por ky i fundit nuk arrin të provojë gjuajtjen drejt portës kundërshtare, edhe pse në një pozicion të favorshëm në të majtën, i ndalur nga mbrojtësit kundërshtarë.

6’ Abazaj provon me një diagonale të fortë që grushtohet nga Igonen. Sfera kthehet te sulmuesi i Luftëtarit, i cili e pason atë te Mustafa, por edhe gjuajtja e këtij të fundit ndalet nga portieri i Estonisë.

1’ Abazaj provon menjëherë me një gjuajtje në hyrje të zonës, që bllokohet nga mbrojtja kundërshtare.

1’ Miqtë luajnë topin e parë nga mesi i fushës.

Shqipëri U21-Estoni U21 0-0

Shqipëria: Selmani, Doka, Tafa, Toli, Ceka, Ramadani, Bare, Seferi, Kallaku (46′ Hebaj), Abazaj (87′ Çekiçi), Mustafa (64′ Zeka).

Trajner: Alban Bushi

Estonia: Igonen, Luka, Lilander, Ainsalu, Slein, Magi, Kusk, Sinyavski (54′ Miller), Livak (83′ Klein), Riberg (61′ Vainumae), Sapinen.

Trajner: Karel Volaid

KV: Bare, Ramadani / Kusk

KK: Zeka

Gjyqtar: Espen Eskas (Norvegji)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"