Shqipëria kundër Kosovës, Grima: Rëndësi ka të mundim Greqinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2017 | 17:48

Shqipëria kundër Kosovës, Grima: Rëndësi ka të mundim Greqinë

Unikale! Shqipëria do të ketë për herë të parë si kundërshtare Kosovën në një kompeticion të UEFA-s. Bëhet fjalë për Kombëtaren e futbollit të femrave, që drejtohet nga trajneri Armir Grima.

Pas shortit të hedhur dje në Nion të Zvicrës, përfaqësuesja kuqezi do të sfidojë Kosovën, Greqinë dhe Maltën, e pozicionuar në grupin 2. Takimet e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2019 do të zhvillohen në Shqipëri më datat 6, 8 dhe 11 prill. Sipas rregullores së UEFA-s, katër fitueset e çdo grupi dhe skuadra e dytë me bilancin më të mirë ndaj kryesueses në grupin e vet do të kualifikohen në raundin e dytë.

mir_grima

Fakti që vajzat kuqezi do të kenë përballë Kosovën është diçka e pazakontë, por një motiv më tepër për të qenë të suksesshëm në këtë grup duket se është Greqia si rivale. Për vetë trajnerin e kombëtares së femrave, Armir Grima, e rëndësishme është që skuadra e tij, por edhe Kosova, të mundin Greqinë. “Nuk e prisja, është diçka shumë e veçantë. Do të luajmë ndaj vëllezërve tanë, por natyrisht unë dua fitoren”, ka thënë ndër të tjera Grima në një intervistë për “Panorama Sport” pak orë pas hedhjes së shortit.

Shkodrani që prej pak muajsh drejton femrat kuqezi, bashkë me ndihmësin e tij Vioresin Sinani, ka një raport special me Kosovën. Ish-portieri i Vllaznisë është aktivizuar te Flamurtari i Prishtinës mbi një dekadë më parë. Tashmë do të sfidojë Kosovën debutuese si trajner i Shqipërisë.

grima-2-653x420

Armir, Shqipëria në një grup me Kosovën. Diçka e pazakontë apo jo?

Të them të drejtën nuk e prisja të shortoheshim në një grup. Natyrisht jam i befasuar pasi është diçka e pazakontë, por edhe e veçantë. Di të them se do të luajnë dy ekipe shqiptare kundër njëri-tjetrit. Është një ndjesi e çuditshme dhe jemi të detyruar të përjetojmë të tilla emocione. Nuk di çfarë të them më tepër, sepse janë emocione të rralla, për më tepër që të dyja skuadrat synojnë kualifikimin.

Gjithsesi, duke lënë mënjanë ndjesinë që mund të ketë një ndeshje e tillë, sërish do të jenë kundërshtarët tuaj…

Po, natyrisht që janë kundërshtarët tanë dhe për t’u mundur. Kjo është një ndeshje mes dy vëllezërve, pra si me mposhtur vëllain tënd.

Ju keni një lidhje speciale me Kosovën, pasi si futbollist keni luajtur me Flamurtarin e Prishtinës. Pas këtij shorti, ju kanë ngacmuar miqtë tuaj kosovarë?

Më kanë marrë në telefon shumë miqtë të mi kosovarë, por e bukura ishte se nuk dinin se çfarë të më thoshin. Njerëz që merren me futbollin e femrave në Kosovë më kanë thënë tekstualisht: “Armir, vetëm këtë nuk e donim”. Por, tashmë nuk kemi çfarë të bëjmë, duhet të pranojmë shortin dhe kapriçot e tij. Gjithsesi, unë jam i bindur që do të jetë një luftë shumë e bukur.

Ndoshta ky grup ka bërë xheloz grekët, të cilët mund të aludojnë për një pakt mes Shqipërisë dhe Kosovës…

E rëndësishme është që të mundim Greqinë, si ne dhe Kosova (qesh).

Kombbetarja e femrave stervitje

Nëse në fund do t’i duhet fitorja Kosovës, besoj se do të vihet në zbatim ajo që thatë më lart, që “kjo është një ndeshje mes vëllezërve”…?

Shikoni, unë jam trajner i Shqipërisë dhe di të them se na duhen pikët. Si tri pikët me Kosovën, ashtu edhe fitorja me Greqinë, për ne është njësoj. Nuk mund të paragjykojmë se do të bëhen tolerime. Ndoshta grekët e kanë më kollaj për këto gjëra, duke i provuar diku tjetër. Megjithatë, jam trajner dhe nuk mund të aludoj.

Në Kombëtaren e femrave të Shqipërisë, shumica e lojtareve janë me origjinë nga Kosova. E bën kjo ndeshje më të vështirë edhe për vetë ju si trajner, qoftë për motivimin e tyre, por edhe për faktin se ndoshta mund të keni largime nga ekipi?

Të jem i sinqertë, unë i kam lënë vajzat të lira të zgjedhin se ku duan të luajnë, te Shqipëria apo Kosova. Asnjë nga vajzat nuk ka qenë e imponuar prej meje apo FSHFsë, thjesht kanë qenë përzgjedhje individuale të tyre. Vërtet kemi shumë lojtare kosovare në ekip, por ato kanë zgjedhur me zemër Shqipërinë. Nuk dua të paragjykoj asnjë vajzë që është larguar, sepse është e drejta e tyre. Megjithatë, prapë mund të them se edhe karshi Shqipërisë kanë detyrime.

Duke parë grupin ku bëni pjesë, e mendoni kualifikimin?

Nga katër grupet gjykoj se ky është më i vështiri. Madje mund t’ju them se Malta, që ndoshta duket e lehtë nisur nga emri, ka qenë pretendenti kryesor në eliminatoret e kaluara. Në përballjen që kemi pasur me maltezet kemi dalë barazim. Fati ynë i keq është se Kosova është futur si ekip nga vazo e katërt, por nuk është e dobët, pasi aty janë skuadrat që shikohen si jofavorite. Kosova dhe Greqia janë dy ekipe shumë të forta dhe do ta kemi shumë të vështirë. Na duhet fat për të shpresuar te kualifikimi, unë kam shumë besim te lojtaret.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"