Shpjegimi i Gerd Haxhiut: Nexhipi iku se nuk do luante me mua

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2017 | 19:25

Shpjegimi i Gerd Haxhiut: Nexhipi iku se nuk do luante me mua

Korabi ka bërë lëvizje të shumta në merkaton e janarit, me futbollistë që janë larguar dhe të tjerë që kanë ardhur apo pritet të vijnë në ekip.

Mes atyre që i dhanë lamtumirën klubit dibran është edhe fantazisti Nderim Nexhipi, i afruar verën e shkuar si një ndër përforcimet më të rëndësishme.

Trajneri Gerd Haxhiu ka shpjeguar arsyet që qëndrojnë pas ndarjes mes skuadrës që ai drejton dhe 32-vjeçarit nga Shkupi.

Haxhiu interviste SuperSport

“Nexhipi është një lojtar cilësor dhe vlerat e tij dihen tashmë. Megjithatë unë do preferoja një lojtar të një profili tjetër, më tepër luftarak dhe grintoz, duke pasur parasysh edhe pozicionin tonë në fund të klasifikimit. Ai është futbollist që luan shumë mirë pas dy sulmuesve, që e jep shumë mirë pasimin e fundit. Por ne nuk e kemi këtë luks dhe unë nuk mund t’i garantoja shumë minuta në këtë pjesë të dytë të sezonit”, deklaroi Haxhiu në një prononcim për “SuperSport”.

Më tej tekniku vlonjat bëri një pasqyrë të merkatos: “Si fillim, e kemi thuajse të mbyllur marrëveshjen me një portier të Superiores, ndërsa të shtunën do të marrim dy mesfushorë. Ndërkohë, jemi duke negociuar me Skënderbeun për të blerë kartonin e Ardit Hoxhajt dhe me shumë gjasa do të mbyllet me sukses. Pastaj presim edhe një emër shumë të rëndësishëm në vijën e parë të sulmit dhe besoj që skuadra do të kompletohet me këto 4-5 afrime të fundit”.

Përkundër ndryshimeve të shumta, Haxhiu beson se ekipi i tij është në gjendje ta përballojë pjesën e dytë të sezonit. Madje ai thotë se në fund të kampionatit, Korabi do të pozicionohet në mesin e tabelës.

“Pavarësisht se kur e sheh, skuadra duket ende e pakompletuar, pjesa e lojtarëve që janë aktualisht është rritur mirë. Sa u përket largimeve, ato kanë qenë të paralajmëruara. Qysh në ditët e para të janarit, kur kemi rifilluar stërvitjen, ua kam komunikuar lojtarëve që asnjëri nuk e ka vendin të sigurt. Çdokush që e sheh se po i lëkundet pozita mund të kërkojë sistemim në ndonjë skuadër tjetër”, theksoi trajneri.

“Jo vetëm me bindjet e mia por edhe të drejtuesve, tashmë financat i kemi të shëndosha. Në fazën e tretë do të hedhim një hap shumë të rëndësishëm për qëndrimin në kategori, pastaj në fazën e katërt besoj se do të konfirmohemi në mesin e tabelës”, përfundoi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"