Akuza e ish-presidentit: Bylisi luante kumar dhe blinte ndeshjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2017 | 15:34

Akuza e ish-presidentit: Bylisi luante kumar dhe blinte ndeshjet

Artur Çobani, ish-futbollisti dhe ish-presidenti i Lushnjës, i cili u akuzua disa javë më parë nga klubi i Bylisit se ndikonte te gjyqtarët për të favorizuar lushnjarët, ka shpërthyer dje në akuza ndaj ballshiotëve. Çobani ka pritur fundin e kampionatit dhe kurorëzimin e Lushnjës si kampione duke akuzuar Bylisin se ka luajtur kumar dhe jo futboll.

Artur Cobani

AKUZAT

“Lushnja është një skuadër tradite dhe mjaft popullore. Ka sportdashës dhe një publik të jashtëzakonshëm që historikisht që nga data e krijimit të skuadrës dhe deri në ditët e sotme e ka përkrahur dhe e përkrah ekipin si askush tjetër në Shqipëri. Për këtë e kemi merituar të shkojmë në Superiore.

Në pjesën e tretë të sezonit, Lushnja kishte përballë si rival një ekip si Bylisi që nuk ka luajtur futboll në të gjithë fazën “Playoff” të kampionatit. Me ato që kemi parë, Bylisi është munduar të luajë në tavolinë duke kompromentuar ekipet kundërshtare.

lushnja

Mbi të gjitha kjo nuk e ndihmon garën. Mos të harrojmë asnjëherë që futbolli luhet në fushë dhe nuk është kazino ku luhet kumar që të blihen apo shiten skuadra e futbollistë. Këtë e ka harruar klubi i Bylisit. Këtë kanë injektuar drejtuesit e këtij klubi te futbollistët e tyre që ndeshjet blihen.

Ndërsa tek ekipi i Lushnjës është injektuar që të luhet futboll. Të luash për të fituar dhe të marrësh atë që meriton nga loja dhe jo nga rezultati që të japin në tavolinë.

Kjo është kryesorja që Lushnja bëri diferencën. Ka dhënë shpirtin në fushë, gjithçka nga arsenali i saj si skuadër, për të arritur te fitoret dhe Superiorja”, deklaroi fillimisht Çobani. Ish-presidenti u shpreh i bindur se Lushnja do të ketë gati sponsorin dhe stadiumin për pjesëmarrjen në elitë.

Cobani

“Për ekipin e Lushnjës unë jam i sigurt dhe plotësisht i bindur që do të riorganizohet që të mos jetë sa për numër në Superiore, por për të qenë atje sepse ai është vendi që i përshtatet Lushnjës. Pa diskutim që Bashkia është në bisedime me sponsorë. Mund të jenë vendës, por edhe të huaj.

Do të merret vesh shumë shpejt që do të vijë një sponsor që ta mbështesë skuadrën maksimalisht sezonin e ardhshëm. Me sponsorët që do të vijnë është parashikuar dhe rregullimi i ambienteve sportive. Pa diskutim sipas standardeve që kërkon FSHF-ja. Ne kërkojmë që ndeshjet t’i luajmë në stadiumin ‘Roza Haxhiu’ në këtë emër të madh të futbollit lushnjar.

sefa lushnja

Detyrimisht duhet të luajmë këtu dhe Lushnja do t’i marrë masat që stadiumi të jetë gati”, deklaroi Çobani. Disa javë më parë, klubi ballshiot akuzoi Çobanin se duke shfrytëzuar postin e tij në një punë shtetërore, i kishte bërë presion arbitrit të sfidës Bylis-Lushnja(1-1), Juxhin Xhaja, takim i luajtur më 8 prill.

Bylis hodhi akuza të forta ndaj Çobanit duke kërkuar edhe hapjen e tabulateve telefonike për të vërtetuar se ish-presidenti kishte ndërhyrë për të favorizuar Lushnjën.

lushnja bylis

Të dielën, verdhejeshilët u hakmorën ndaj Bylisit për sfidën e humbur dy vite më parë. Tashmë, Lushnja do të rikthehet në elitë pas tri vitesh mungesë. Premtohet se do të krijohet një ekip cilësor që verdhejeshilët të mos jenë kalimtarë në Superiore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"