Shorti ndaj Milanit, Osmani dhe Cuculi: Dhuratë për tifozët, bëjmë maksimumin për spektakël

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2017 | 9:59

Shorti ndaj Milanit, Osmani dhe Cuculi: Dhuratë për tifozët, bëjmë maksimumin për spektakël

Shorti i UEFA-s për “play off”-in e Europa Leagues ka vendosur Shkëndijën në qendër të vëmendjes jo vetëm në opinionin maqedonas, por edhe më gjerë për faktin se kundërshtar i “kuqezinjve” do të jetë gjiganti italian, AC Milan. Pas mësimit të emrit të kundërshtarit, trajneri Qatip Osmani dhe mbrojtësi Cuculi kanë komentuar shortin dhe përballjet që presin skuadrën përballë AC Milanit.

cuculi osmani

Për sa i përket shortit, trajneri tetovar deklaroi: “Milani nuk ka nevojë për prezantime, është një ekip i madh që aktualisht po kalon një fazë ku po hap një cikël të ri. Ndoshta nuk janë po aq të fortë sa kanë qenë përpara disa vitesh, por me siguri ata mbeten favoritë”. Në lidhje me qasjen e skuadrës së tij, trajneri i kuqezinjve tetovarë kapet pas fatit dhe dhënies së maksimumit në fushë.

Ai sqaroi: “Na pret shumë punë dhe të gjithë duhet të japim më të mirën tonë. Sigurisht do të na duhet edhe pak fat pasi cilësia e Milanit është e dukshme, por kjo nuk do të thotë që do të dorëzohemi përpara kohe. Janë dy ndeshje që nëse i përballojmë me shpirtin e duhur, mund të arrijmë një rezultat të kënaqshëm. Sfida të tilla janë një dhuratë për punën e këtyre djemve, por edhe për tifozët tanë që nuk na e kanë kursyer kurrë mbështetjen e tyre”.

ARDIAN CUCULI

Në të njëjtën gjatësi vale edhe mbrojtësi Ardian Cuculi. Për ish-futbollistin e Partizanit në kampionatin shqiptar, sfida ndaj Milanit përbën një moment sa interesant edhe të lumtur për të gjithë ambientin rreth ekipit të Shkëndijës. Në fjalën e tij, 30-vjeçari sqaroi:

“Përballja me Milanin do të jetë një kënaqësi. Do të kisha dashur ndonjë ekip më të lehtë pasi dëshironim të arrinim në fazën e grupeve, por i tillë rezultoi shorti ynë”. Edhe Cuculi mendon se ekipi duhet të japë më të mirën pavarësisht forcës së Milanit:

“Për të kaluar turin, do të na duhet të luajmë në maksimum dhe sigurisht të kemi pak fat. Sido që të shkojnë dy ndeshjet, përballja me Milanin do të jetë një dhuratë e bukur për të mbështetësit tanë. Milan është Milan dhe ne nuk do të mund të ndryshojmë asgjë, ndaj them që le të jetë spektakël”.

REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"