“Shkriu” Izraelin, rrëfehet Sadiku: Guri dhe Balaj të gjuajnë në portë nga çdo pozicion, ju tregoj recetën fituese

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2018 | 21:38

“Shkriu” Izraelin, rrëfehet Sadiku: Guri dhe Balaj të gjuajnë në portë nga çdo pozicion, ju tregoj recetën fituese

Faza më delikate është lënë prapa dhe Armando Sadiku këto ditë ka filluar fazën e rikuperimit të tij të plotë. Fizioterapi me dy seanca në ditë dhe ushtrime në palestër. Kjo është “receta” që po zbaton stafi mjekësor i ekipit spanjoll, Levante, në këtë periudhë me futbollistin shqiptar, që siç e thotë edhe vetë, është në garë me kohën për t’u rikthyer sa më shpejt.

Në vigjilje të ndeshjes me Izraelin, ai flet për momentin e vështirë që po kalon, por natyrisht nuk mungon të japë edhe “recetën” e fitores. I shënoi dy herë Izraelit në Haifa në triumfin 0-3. “Porosia ime është të gjuajnë sa më shumë në portë, nuk ka ndonjë sekret”, thotë ndër të tjera bomberi elbasanas në një rrëfim për “Panorama Sport”.

izrael shqiperi sadiku1

Armando, si po ju ecën faza e rikuperimit pas operacionit të kryer?

Pjesa më kryesore, që ishte suksesi i operacionit, tashmë është lënë pas. Kjo ishte më kryesorja, sepse dëmtimi ishte serioz. Gjithsesi po mundohem ta harroj momentin e dëmtimit dhe jam në garë me kohën për t’u përmirësuar sa më shpejt.

Konkretisht, cila është “receta” që ju ka afruar për zbatim stafi mjekësor?

Dy herë në ditë stafi mjekësor i klubit të Levantes zbaton programin me fizioterapi intensive. Por, kam pak ditë që kam filluar edhe ushtrime në palestër. Besoj shumë se në ditët e fundit të këtij viti do jem gati për t’u bashkuar me skuadrën.

Periudhë e vështirë kjo për ju në bokset e infermierisë…

Shumë e vështirë, që nuk më kishte ndodhur më parë në karrierën time. Ajo ndeshje miqësore e 4 gushit ndaj Hereven do mbetet gjatë në kujtesën time. Po bëhesha gati të bëja një paraqitje ndryshe këtë sezon te Levante ose te ndonjë skuadër tjetër, ku mund të shkoja nga merkato e verës. Fati nuk ka qenë me mua në këtë rast.

Klubi, shokët e skuadrës, drejtuesit dhe miqtë tuaj, a ju kanë qëndruar pranë këto ditë?

Kam falënderim të veçantë për gjithë që me fjalët dhe moralin e tyre më kanë qëndruar dhe vazhdojnë të më qëndrojnë pranë për ta kaluar me sukses të plotë këtë periudhë të vështirë.

Familja ka qenë disi e shqetësuar për dëmtimin tuaj…

Jo shumë larg, por dje u kthyen në Elbasan të dy prindërit e mi. I kisha disa ditë këtu dhe nxorën merakun e dëmtimit dhe operacionit të kryer. Më kanë mbështetur dhe më kanë dhënë moral të fortë. Si mjeke të përditshme kam të fejuarën Elonën që kërkon që gjithçka të kryhet në rregull sipas këshillave të stafit mjekësor.

Keni besim se do ktheheni në fushën e lojës edhe më i fortë?

Me punën riaftësuese që po kryej, jam optimist se gjithçka do jetë në parametrat e duhur. Por, ajo që është më kryesorja, aftësinë për të shënuar gola mendoj se do ta kem ndoshta dhe më të mirë.

Që do thotë se Sadiku…

Do të thotë se do kërkoj të shënoj sa më shumë gola me skuadrën që do aktivizohem dhe me ekipin tonë kombëtar.

Në 33 ndeshje me ekipin kombëtar keni shënuar 11 gola, cilin do veçonit prej tyre?

Atë që shënova në finalet e “Francë 2016” kundër Rumanisë dhe dy golat e shënuar ndaj Izraelit në ndeshjen e 11 qershorit 2017 ku fituan në fushën e tyre me rezultatin 0-3.

Çfarë të veçante kishin dy golat e shënuar ndaj Izraelit në “Sami Ofer Stadium”?

Së pari, izraelitëve iu dhamë përgjigjen e asaj humbjeje po 3-0 që kishim pësuar më 12 nëntor 2016 në “Elbasan Arena”. E dyta, skuadra jonë vinte në këtë ndeshje pas paraqitjeve jo të mira në ndeshjet miqësore të zhvilluara. Por, më kryesorja ishte se pas kësaj ndeshjeje, u largua dhe trajneri Di Biazi. Me këtë fitore mendoj se e mbylli me sukses karrierën tek ekipi ynë Kombëtar.

Izraelin e kemi përsëri kundërshtar në “Elbasan Arena” për ndeshjet në Ligën e Kombeve…

Një ndeshje jo e lehtë, por që duhet fituar për të treguar se pas zhgënjimeve në dy miqësoret e kaluara, skuadra ka forca të reagojë. Ekipi kundërshtar ka ndryshime në përbërje, por kjo nuk do thotë që të nënvlerësohet në asnjë drejtim.

Krahas mungesave për dëmtime në ekipin tonë janë rikthyer lojtarët e përvojës si Agolli, Memushaj dhe Hyka?

Më vjen keq që ka mungesa nga dëmtimet, ku pjesë e tyre jam edhe vetë. Rikthimi i titullarëve me përvojë është një arsye më shumë për të besuar në marrjen e një rezultati pozitiv që në ndeshjen e parë me Izraelin e për të menduar me kujdes atë të disa ditëve më vonë kundër Skocisë.

Në “ndihmë” të trajnerit Panuçi duket se është dhe De Biazi…

E lexova këtë gjë dhe më vjen mirë që “maestro De Biazi” nuk e harron Shqipërinë dhe ekipin tonë kombëtar. Ai e di mirë si mundet Izraeli. Përpara ndeshjes së zhvilluar në Izrael, më ka këshilluar veçmas mua, duke më thënë “Gjuaj sa më shumë në portë, se do e gjesh golin”. Në fakt kështu ndodhi me mua dhe Memushaj që me golat e shënuar nënshkruan fitoren 0-3.

Mendoni se kjo ‘porosi’ ja vlen të bëhet dhe për Balaj dhe Gurin për këtë ndeshje?

Tani është dhe radha ime t’ua bëj këtë këshillë në formë porosie sulmuesve të ekipit tonë. Dhe ua them me shumë besim të gjuajnë sa më shumë në portë dhe nga çdo pozicion se goli ashtu gjendet më mirë.

 

Moisi Dalipi

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"