Shkodrani Nikaj: Vllaznia ekipi i momentit, por ndalen në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2024 | 13:31

Shkodrani Nikaj: Vllaznia ekipi i momentit, por ndalen në Korçë

Skënderbeu mori një fitore të madhe në Laç në një takim të vështirë duke hapur shpresat për një përfaqësim në “Final Four”, pasi ndodhet në vendin e katërt.

nikaj

Për bardhekuqtë kjo fitore kishte një vlerë të dyfishtë pasi jo vetëm i largon më shumë pikë në renditje nga vendet e fundit, por mundin për herë të parë Laçin në këtë sezon. Heroi i Skënderbeu, Ardit Nikaj, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, flet për këtë fitore dhe arritjen e vendit të katërt nga ana e Skënderbeut.

“Ka qënë një ndeshje shumë e vështirë dhe e kishim përgatitur mjaft mirë pasi e dinim që në Laç do të ishte e fortë. Ekipi ka zhvilluar një ndeshje shumë të mirë dhe jemi të lumtur që kemi arritur të dalim me pikë të plota nga ky takim. Ishte një fitore në frymën e fundit dhe si e tillë shijon akoma edhe më shumë. Mendoj se meritonim të dilnim me pikë nga kjo ndeshje pasi gjatë gjithë javës i kemi kushtuar një rëndësi të veçantë. Sa i përket golit jam shumë i kënaqur që kam arritur të shënoj duke i dhënë tri pikë të tjera ekipit tim. Ishte një rast që kurrësesi nuk mund ta shpërdoroja dhe kjo më ndihmon të jem i qetë edhe për ndeshjet e tjera”,- theksoi fillimisht Ardit Nikaj, teksa i pyetur edhe për katërshen e parë që Skënderbeu ka arritur të kapë për momentin, shkodrani nuk ka preferuar të shohë aq larg, por është fokusuar vetëm tek ndeshja e radhës.

“Ju keni të drejtë, vendi i katërt është arritur tashmë por ne nuk shohim asgjë tjetër veç ndeshjes së radhës. Objektivi jonë është përgatitja me Vllazninë dhe jo “Final Four”. Kemi edhe dhjetë javë për të luajtur dhe do të mundohemi që secilës prej këtyre ndeshjeve t’i kushtojmë rëndësinë e veçantë, me qëllim që të marrim maksimumin e mundshëm. Prandaj nuk duam të shpërqëndrohemi në objektiva afatgjatë, por jemi të përqëndruar tek ndeshja e radhës.”- theksoi Ardit Nikaj.

Vllaznia- Një shkodran që do të kërkojë të ndalë Vllazninë e Shkodrës, ky mund të jetë rasti i Ardit Nikajt që vlerëson maksimalisht kundërshtarin e radhës duke parë edhe ecurinë mjaft të mirë që kanë në ndeshjet e fundit. Përtej respektit, Nikaj shprehet se do të bëjë më të mirën që të ndihmojë ekipin e tij në këtë takim.

“Vllaznia është ndoshta ekipi më i mirë i momentit dhe këtë e tregojnë rezultatet që kanë arritur të marrin. Jam shumë i lumtur që ekipi i qytetit tim ka një ecuri të tillë dhe më vjen mirë për këtë fakt, por në këtë ndeshje do të jemi si kundërshtarë. Do të bëj maksimumin e mundshëm që të jap kontributin tim për Skënderbeun dhe pse jo të marrim pikët e plota në këtë takim. Vllaznisë i uroj suksese në ndeshjet e tjera pasi në Korçë do të jemi kundërshtarë.”- përfundoi sulmuesi shkodran i Skënderbeut Ardit Nikaj.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"