Shkëmbi: E mendonim më të vështirë, luajta me gjilpërë, isha më i miri në fushë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2015 | 20:04

Shkëmbi: E mendonim më të vështirë, luajta me gjilpërë, isha më i miri në fushë…

Laver Alla takohet me ShkembinKapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, kurrsesi nuk mund ta humbiste ndeshjen e djeshme ndaj Partizanit. Ishte një prej atyre takimeve që mund të përcaktojnë të gjithë sezonin. Mesfushori nuk është menduar gjatë dhe dy orë përpara sfidës ka vendosur të bëjë një gjilpërë qetësuese për dhimbjet në pulpë dhe për të qenë i gatshëm. Luan përgjatë 90 minutave dhe ishte një prej më të mirëve për korçarët. Por, Shkëmbi bën modestin dhe nuk e pranon lehtë këtë kur ia thonë.

Shkëmbi – Pas takimit të djeshëm, Shkëmbi u shpreh: “Vërtet ishte një ndeshje shumë e vështirë. Aq më tepër që kishim disa mungesa të rëndësishme, në një kohë që në fushë ishin 2-3 futbollistë me probleme, të cilët luajtën pothuajse me një këmbë. Jemi shumë të lumtur pas kësaj fitoreje, por dua të falënderoj edhe Zotin, pasi të gjuash dhe të shënosh gjithmonë nuk ndodh shpesh, për të mos thënë që ndodh shumë rrallë”. Më shumë se kaq gola nuk i keni shënuar asnjë prej rivalëve deri tani, çfarë ndodhi? “Është forca e grupit ajo që ndikon.

Me gjithë ato mungesa, nuk u ndie asnjë prej tyre. Dhe kjo është forca e grupit që na diferencon nga skuadrat e tjera”, përgjigjet Shkëmbi. Kapiteni ka bërë një gjilpërë qetësuese rreth orës 15:30 të ditës së djeshme për të mos ndier dhimbje. Në lidhje me këtë, ai shprehet: “Edhe në ndeshjen me Kukësin dhe Laçin, kam pasur një problem mbrapa në kofshë, por sot (dje) mendova që të sakrifikoja dhe të luaja duke parë edhe mungesat që kishim. Bëra një gjilpërë për të mos ndier dhimbje, dhe shyqyr Zotit, shkoi mirë.

Megjithëse nuk isha në 100% siç mund ta keni vënë re, u mundova të isha i domosdoshëm taktikisht”, thotë Shkëmbi. I ngacmuar për faktin se është konsideruar si më i miri në fushë, ai përgjigjet me jo pak modesti: “Ndoshta, duke ruajtur forcat, isha edhe më i miri në fushë”, përfundon kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi. Ndërkaq, pas përfundimit të takimit, kapiteni është drejtuar në Spitalin Rajonal të Korçës për të bërë një injeksion qetësues. Dhimbjet kanë qenë disi shqetësuese dhe injeksioni ishte i domosdoshëm. Gjithsesi, gjithçka paraqitet normale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"