“Shiriti përgjegjësi”, kapiteni Pjeshka fut në “skaner” Flamurtarin: Shpërdoruam shumë, kam një këshillë për vëllain

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2023 | 21:58

“Shiriti përgjegjësi”, kapiteni Pjeshka fut në “skaner” Flamurtarin: Shpërdoruam shumë, kam një këshillë për vëllain

Denis Pjeshka nuk e dramatizon barazimin në Luz. Mbrojtësi mendon se Flamurtari e nisi mbarë kampionatin, ndonëse “qan” rastet e humbura. Në një intervistë për “Panorama Sport”, shkodrani thotë se te kuqezinjtë mbizotëron dëshira për të punuar dhe cilëson grupin si pikën më të fortë.

pjeshka flamurtari

Flet për shiritin, por edhe afrimin e të vëllait në ekip. E emocionon prezenca e Paulos, por nuk ngurron që t’i japë edhe ndonjë këshillë.

Flamurtari e nisi me barazim kampionatin. Mjafton një pikë?

Mund të them se ishte një nisje pozitive për ne. Shpërdoruam shumë raste. Duhet ta kishim mbyllur ndeshjen me fitore. Por ndonjëherë është edhe fati në mes. Megjithatë, ne i kemi bërë përgatitjet e duhura dhe mendoj se kemi një start të mirë.

Ndeshjen e radhës do ta luani në shtëpi me Bylisin. Mendoni se do të jetë e vështirë?

Të them të drejtën çdo ndeshje duhet vlerësuar maksimalisht, pavarësisht kundërshtarëve se cilët janë ata. Megjithatë ne duhet që t’i marrim ndeshjet një e nga një për të dhënë më të mirën tonë dhe për të marrë maksimumin.

Si po ju duket skuadra e këtij sezoni dhe cila është pika e fortë e saj?

Ne jemi një skuadër pothuajse e re. Kemi një ekip me kontingjent të ri dhe dëshirë për të punuar. Unë mendoj se grupi është pika më e fortë e kësaj skuadre. Shoh angazhim maksimal nga të gjithë. Kam bindjen se do të bëjmë mirë.

Vendosët të qëndroni në Vlorë, ishte një dëshirë e juaja apo e drejtuesve?

Dëshira ka qenë e të dy palëve. Donim që ta vazhdonim ende këtë rrugëtim. Këtu te Flamurtari unë ndihem si në shtëpinë time. Qyteti është i bukur. Ambienti në klub shumë miqësor. Jam i shumë i respektuar nga të gjithë.

Këtë sezon jeni kapiteni i skuadrës. Si ndiheni për këtë përgjegjësi?

Në fakt është një përgjegjësi shumë e madhe për mua. Është vlerësim dhe sidomos kur të bëhet nga një klub si Flamurtari merr vlerë të jashtëzakonshme.

Këtë sezon luani me vëllain në një skuadër. Çfarë emocioni keni?

Në fakt më emocionuese ishte kur kemi qenë si kundërshtar.

Çfarë i keni këshilluar Paulos?

Paulos thjesht i kam thënë se duhet të punojë dhe të vlerësojë çdo mundësi që i jepet.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"